“Çështja çame” si çështje europiane
VJOLLCA BRAHO*
Shtatëdhjetë vjet më parë, shumë prej gjyshërve apo prindërve tanë nuk mundën dot të mbërrinin në tokën ku do të jetonim ne, pasuesit e tyre. Shumë prej tyre mbetën përgjithmonë në mes të rrugëtimit, të masakruar nga duart e Zervës e zervave që i ndiqnin për t’i dëbuar nga shtëpitë e tyre shekullore. Të tjerët, ata që mbijetuan nga ajo masakër çnjerëzore, një masakër e turpit, udhëtuan nëpër gjithë Shqipërinë për të ndërtuar jetën e tyre, por gjithnjë me kokën pas, për vendlindjen, për atë që u kishin lënë të parët. Një vështrim i tyre që është sot në sytë tanë, në sytë e ju të gjithëve, në sytë e bashkatdhetarëve tanë që e mendojnë sot nderimin e tyre si një amanet të rëndësishëm për të gjithë ne.
Por ne, bijtë dhe nipërit e tyre që u masakruan e u përzunë nga shtëpitë e tyre, ndiejmë në këtë 70-vjetor përkujtimi një mbështetje të madhe jo vetëm nga komuniteti çam, por nga mijëra e mijëra shqiptarë, të cilët sot e konsiderojnë zgjidhjen e çështjes sonë jo thjesht si “çështja çame”, por si “një çështje e pazgjidhur e shqiptarëve”.
Komuniteti ynë dhe mijëra bashkëqytetarë të tjerë i dhanë një mbështetje të fuqishme zgjidhjes së kësaj çështjeje, kur një vit më parë, përmes votës, dhanë verdiktin që PDIU-ja, e udhëhequr nga Idrizi, të ketë një përfaqësi të rëndësishme parlamentare. Dhe unë, ashtu si shumë prej jush sot në këtë përkujtim, shpreh bindjen se ajo mbështetje e dhënë me votë ishte treguesi më i mirë se për një kohë të shkurtër kishim mundur ta rikthenim çështjen tonë nga zgjidhja e çështjes çame në zgjidhjen e çështjes së dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.
Disa ditë më parë, në hapjen e ekspozitës që i kushtohej përkujtimit të 70-vjetorit të gjenocidit çnjerëzor, z. Idrizi mblodhi të gjithë krahët politikë, duke i thirrur ato në shprehjen e të parëve tanë: “U pafshim në të mirë”! Dhe ishte një ditë kur vendit tonë iu hap drita për të nisur negociatat me vendet e Bashkimit Europian. Kjo është një ëndërr e vjetër e bashkëkombësve tanë, për të hyrë në familjen e madhe europiane. Por ne e dimë mirë, se kjo derë e madhe është njëkohësisht edhe një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes çame, për të qenë pjesë e një familjeje, ku askujt nuk i mohohet ajo që i takon dhe se rikthimi i pronës së të parëve nuk është një çështje ekonomike, por çështje e dinjitetit njerëzor, e çlirimit nga e shkuara dhe e shikimit drejt një të ardhmeje të përbashkët.
Dhe ne mundemi që bashkërisht, këtë histori që është shkruar me gjakun e gjyshërve dhe prindërve tanë, ta kthejmë në urën e bukur të paqes, e të bëjmë të mundur që të dërgojmë në vend amanetin atyre që mbyllën sytë larg shtëpive të tyre, larg tokës së tyre.
Ne e duam Shqipërinë në BE, në tempullin e lirisë dhe demokracisë, me krenarinë e ligjshme të çdo të drejte që i takon. E padyshim, që pjesë e kësaj krenarie të ligjshme është çështja që ne përfaqësojmë, amaneti që ne përfaqësojmë, dhe që ne e besojmë se zgjidhja e saj do të mund të jetë një urë më shumë në miqësinë mes popujve.
Rroftë Çamëria!
Rroftë Shqipëria!
*Kryetare e Forumit të Gruas në PDIU