Çfarë do të donit të dinit me siguri për Guatemalën
Përse zogu që njihet si simbol kombëtar me emrin Quetzal e ka gjoksin të kuq? Përse në Guatemala bizhutë vlerësohen aq shumë? Ku ndodhen qiellgërvishtësit e Majave dhe përse në atë vend janë aq krenarë për pllakat e çokollatave?
Flamuri kombëtar
Bluja e qiellit simbolizon dy oqeanet, mes të cilave ndodhet Guatemala: Atlantiku dhe Paqësori – e bardha mes tyre është simbol për pastërtinë e vendit. Në flamurin detar e atë ushtarak gjendet edhe stema me zogun kombëtar simbol, të quajtur Quetzal, plus data e ditës së pavarësisë (15.09.1821). Prejardhja e emrit Guatemala është e diskutueshme. Njëra nga teoritë pohon se ajo vjen nga fjala Cuauhtemallan, çka në gjuhën e indigjenëve vendas, Nahuatl, do të thotë “vendi i pemëve”.
Guri i çmuar i nefritit
Askund në botë nuk prodhohet më shumë nefrit (i njohur në terminologjinë ndërkombëtare si Jade, që ngjan me qelibarin e që ka një ngjyrë të gjelbër shumë mbresëlënëse) sesa në Guatemala. Domethënien historiko-kulturore të këtij minerali mund ta kuptosh në Muzeun Kombëtar për Arkeologjinë dhe Etnologjinë në kryeqytetin e vendit, Guatemala-City.
Nga njëra anë, minerali i rrallë, për shkak të fortësisë që shfaq, në Amerikën Qendrore paraspanjolle, përdorej si vegël pune për të përpunuar gurët apo gdhendur dhe vetë nefritin.
Ndër Majat ishte zakon që t’u vendosnin të vdekurve gurë të tillë në gojë, ndërsa mbretërve apo prijësve të fiseve madje, në vdekje u bëhej një maskë e zbukuruar me gurë nefriti. Majat e lidhnin me të edhe zjarrin dhe erën – dhe për shkak të ngjyrës, edhe ujin dhe gjelbërimin. I mirënjohur për sasi të mëdha gurësh nefriti, ka qenë dhe është edhe sot e kësaj dite, Río Motagua, me 486 kilometrat e tij, është edhe lumi më i gjatë i vendit.
Çokollata pllakë
Çokollata e lëngshme sigurisht se e ka prejardhjen nga murgeshat spanjolle të manastirit meksikan të Guanaco-s, që në shekullin e 16 nga produkti i atëhershëm lokal me emrin Xocoatl, prodhuan masën shkumëzuese dhe atë e përzien me vanilje e sheqer. Çokollata në formën e ngurtë, pra ajo që ne njohim kryesisht sot, në formë pllake, sidoqoftë, ka ardhur falë mjeshtërve me frymëzim religjioz nga Guatemala. Edhe sot e kësaj dite, emrat e disa fshatrave (si për shembull: Chicacao apo Cacao) të kujtojnë lehtësisht kakaon. Një vendbanim i hershëm Maja mban emrin Chocolá.
Tregu më i madh
“Kush kthehet me duar bosh nga Chichi, nuk duhet ndihmuar”, kështu thonë vendasit. Chichi quhet shkurt qyteti Chichicastenango. Në shkallët e Kishës së Santo Tomás-it, çdo të enjte dhe të diel organizohet një treg i madh, më i madhi, më i pasuri në ngjyra dhe më i gjalli në mbarë Amerikën Latine. Tregtarët nga i gjithë vendi ofrojnë atje stof, veshje, maska, lule dhe shumë ushqime, sipas recetave vendase.
Materiali i xhinseve
Levi Strauss, industrialisti gjermano-amerikan, njihet si shpikësi i xhinseve (jeans) (pantallonat e tij u patentuan më 20 maj 1873). Mirëpo, materiali aq i famshëm për prodhimin e xhinseve “Blue Denim”, thuhet se është një krijim guatemalase. Vetë nocioni “Denim” rrjedh prej frëngjishtes Nîmes, ku edhe në shekullin e 17 prodhoheshin materiale e copa për veshje (endësit e quanin atë “Serge de Nîmes” – stof leshi – nga u përftua më pas edhe emri “Denim”).
Llava vullkanike
37 vullkane ka në Guatemala dhe tre prej tyre janë akoma aktive: Pacaya, Fuego dhe Santiaguito, që ndodhen vetëm 200 kilometra larg njëri-tjetrit. Vullkani Pacaya, 30 kilometra në jug të Guatemala-City, renditet ndër më aktivët në botë (së fundmi, ai u pa të ishte aktiv një vit më parë). Dhe vetëm më 8 tetor, Fuego lëshoi sasi të madhe llave dhe reja sipër tij u ngjit thuajse pesë kilometra lart.
Zogu simbol
Qyteti Quetzaltenango (i dyti më i madh në vend) sikurse quhet edhe vetë monedha e vendit, është quajtur kështu nga një specie e rrezikuar prej zhdukjes, shumë e bukur dhe plot ngjyra; zogu Quetzal. Zogjtë meshkuj me pendët e tyre të mrekullueshme mund të arrijnë një gjatësi prej një metri. Dikur e gjithë sipërfaqja e puplave të tij ka qenë e gjelbër, edhe gjoksi. Por pas pushtimit të Amerikës Qendrore nga spanjollët, thuhet se Quetzal, sipas legjendës, u la në gjakun e mbretit të fundit të indianëve Quiché. Qysh prej asaj kohe, mashkulli i këtij zogu të rrallë ka pendë të kuq në gushë e gjoks.
Tempujt Maja
Katër ndër dhjetë guatemalas janë indigjenë (39 për qind) dhe shumica e tyre rrjedhin nga Majat. Me gjithë shekujt e kolonizimit spanjoll, mijëra vende kulti Maja, kanë mbetur sërish më këmbë – çka përbën nga ana tjetër, edhe njërën ndër arsyet kryesore për të vizituar Guatemalën. Shumica e tyre gjendet në rajonet veriore të vendit, në Petén, një rajon me vegjetacion të egër. Në vitin 1979, sitet arkeologjike në Parkun Kombëtar të Tikalit u njohën si vende të trashëgimisë kulturore botërore nga UNESCO. Me 47 metrat e tij, tempulli që gjendet në rajonet qendrore, nuk është më i larti, por sidoqoftë, më i rëndësishmi mes tyre. Në çatinë e tij mund të shquhen akoma konturet e një mbreti, i cili rri ulur mbi një fron.