Çfarë e ka trembur Sali Berishën?
Nga Mero Baze
Nuk është fjala për ankesën për rojet e Gardës. Ato ka dy vjet që i mban jashtë mandatit falë “qokave” që bën qeveria “Rama” me paratë e shtetit.
Nuk është fjala as për mungesën e tij si protagonist në protestën e sotme, siç sillej më 16 shkurt, si një ujk i plagosur, që donte patjetër të shkaktonte viktima, duke tentuar të ndezë pa sukses turmën.
Është diçka më shumë se kaq. Sali Berisha ka filluar të flasë në rrethin e tij të afërt, por të çojë fjalë dhe pak më tutje, se vendimi ekstrem i opozitës, është i Lulzim Bashës dhe jo i atij. Po përpiqet ta paraqesë këtë, si një heroizëm të kryetarit të PD, që mund ta çojë PD në fitore ose mund ta varrosë. Ua thotë këtë bashkëpunëtorëve të afërt, gazetarëve të afërt dhe më tej njerëzve që mund ta çojnë fjalën dhe diku më tutje.
Njeriu që tentoi t’i vinte flakën vendit, duke u bërë promotor i dhunës në dy protestat e fundit dhe këmbngulës deri në në fund, për kamikazllëkun politik të opozitës, tashmë i trembet peshës së gjëmës që prodhoi.
Dhe duket se ka arsye për këtë.
E para, ai nuk do që të jetë përgjegjës për vdekjen politike të Partisë Demokratike, por e dëshiron shumë që pas tij, ajo të mos egzistojë. Dhe duket se ja arriti qëllimit, duke detyruar atë që ngarkoi të drejonte partinë, të bënte vetëvrasje politike. Duke luajtuar gjithçka, Partia Demokratike, është duke humbur gjithçka, dhe duke u kthyer në një relike politike e papërdorshme dy vjet më pas.
Vendimi për të dorëzuar mandatet është një nga ato vendime që i marrin zakonisht njerëz që duan të dalin nga politika dhe ta trondisin atë me mungesën e vlerave të tyre. Në rastin e Partisë Demokratike ky akt trondit historinë e asaj partie, pasi partia që solli pluralizmin, ka bërë sot aktin esktrem vetëvrasës ndaj pluralizmit, duke keqkuptuar pozitën e saj në shoqëri. Të dorëzosh mandatet dhe të ikësh nga politika për të bërë shoqërinë të reflektojë, është një akt i madh, por të ikësh për t’u thënë që do rikthehemi, është një budallallëk i madh, që do ta vuajë historia e kësaj partie.
Shoqëria mund të reflektojë dhe padyshim do reflektojë gjatë mbi aktin vetëvrasës, por kurrë nuk do gjejë arsye që të ndjejë mall për ikjen e këtyre figurave politike. Shoqëria jonë ka pasur problem të kundërtën, mungesën e një mekanizmi për t’i hequr nga skena politikanë të tillë. Vetëvrasja e tyre mund të na bëjë të reflektojmë se ç’duhet bërë për të pastruar politikën dhe nga pala tjetër, por kurrë për të rikthyer ata që ikën vetë.
Së dyti, ka një keqkuptim të madh mbi presionin pozitiv që kanë bërë disa gazetarë, kolegë të mi por dhe opinion- bërës mbi nevojën e djegies së mandateve, si akt radikal. Ndër ta shquan Andi Bushati. Është e vërtetë që ai e ka pasur këtë tezë të tij prej fillimi, dhe nuk e ka pasur keq, edhe pse shumë vetë tani e anatemojnë. Ai e ka pasur si një mënyrë për t’i dhënë fund këtij sistemi politik, kësaj balance masoniste mbijetuese mes pozitës dhe opozitës dhe si një mekanizëm që do fillojë shkatërrimin e kësaj klase politike.
Gjithë presioni nuk ka qenë nën idenë, që PD të ngrijë diku veten, siç ngrin Bleona vezët, për të lindur kur të ketë kohë.
Presioni ka qenë, që PD të dalë nga skena politike, që ajo të disbalancohet dhe pastaj t’i vijë rradha Partisë Socialiste. Kjo është një ide radikale e majtë, që e trumbetojnë populistët dhe që nuk e ka marrë serizoisht askush në botë, përveç Lulzim Bashës në Shqipëri. Tani mos fajësoni Andi Bushatin po ikët nga historia, se ai këtë ka kërkuar. Tani përpiquni të bëni një gjë të re nga e para se ndoshta dikur ja dilni. Dhe Sali Berisha e di mire këtë, por nuk është se shqetësohet. Pas tij, qameti!
Dhe së fundmi, Berisha është më koshient se Basha dhe Kryemadhi për stuhinë Perëndimore ndaj këtij vendimi. Perëndimi nuk është i shqeëtsuar dhe as i pret shumë barku për pushtetin e Edi Ramës, por për sistemin dhe rregullat e lojës. Demokracia dhe pluralizmi janë fitorja më e madhe e Shqipërisë këto tridhjetë vjet, dhe ato nuk mund të hidhen në erë, nga paranoja dhe frika e dy udhëqësve të opozitës, të cilët mendojnë se duke prishur rregullat e lojës, mund të bllokojnë reformat, institucionet e drejtësisë apo përballjen me drejtësinë.
24 orë më parë dy liderët e opozitës kanë pasur një bisedë të vështirë telefonike me Uashingtonin, i cili e konsideron këtë konspiracion kundër interesave të SHBA dhe përdorimin e mundshëm të dhunës, një “vijë të kuqe”, që mund t’u kushtoj zjarrëvenësve, jo vetëm përballjen me SHBA në “listat e zeza”, por dhe përndjekjen e aseteve të tyre kudo që i kanë si çdo terrorist.
Sali Berisha e di mire këtë dhe është i kënaqur që atë telefonatë nuk e kanë dëgjuar veshët e tij, por argatët e tij. Tani rri lart e poshtë duke folur për vendimin e madh të Lulzim Bashës, nga i cili mund të digjen ose mund të fitojnë gjithçka.
Burracak dhe i pa besë dhe ndaj bashkepuntorëve të vet, ndaj demokratëve dhe atyre që i kanë besuar, ai tentoi të djegë Shqipërinë për fatin e vet dhe dogji Partinë Demokratike, një pasuri që edhe pse është përdorur privatisht prej tij, ka qenë një ëndërr dhe ideal i mijëra shqiptarëve. Tani rri i fshehur si qen i rrahur, duke bërë sikur nuk e di se kush e çoi punën deri tek vetëvrasja e Partisë Demorkatike.
Me sa duket po përpiqet t’i dalë para gjyqit të historisë për përdhunimin që i bëri Partisë që lindi dhe u rrit me të si politikan. Vetëm një njeri që e ka në gjak incestin, mund të përdhunojë dhe të mbysë pjellën e vet kështu.