Çfarë parashikon terapia anti-HIV me injeksion dy herë në vit
Shteti i vogël i Eswatinit, i njohur deri para disa vitesh si Swaziland, dhe i rrethuar tërësisht nga Afrika e Jugut, ka filluar zyrtarisht të administrojë ilaçin e ri për parandalimin e infeksionit me HIV, “lenacapavir”.
Sipas autoriteteve 2 000 qytetarë kanë marrë injeksionin që nga dhjetori i kaluar deri sot.
Ilaçi është tashmë në përdorim në Shtetet e Bashkuara, ku është zhvilluar dhe prodhohet, si dhe në shtatë vende të tjera afrikane.
“Përgjigjja ka qenë shumë pozitive”, theksoi Sindy Matse, përgjegjëse e “Eswatini National Aids Programme”.
Lenacapavir, i prodhuar nga kompania amerikane Gilead Sciences, është një injeksion nënlëkuror që administrohet dy herë në vit.
Ilaçi është menduar për të reduktuar gabimet që mund të ndodhin me marrjen e përditshme të tabletave anti-retrovirale PrEP (profilaksi para-ekspozimit), si p.sh. mosrespektimi i dozës ose pamundësia për të pasur një sasi të mjaftueshme tabletash për t’u marrë vazhdimisht.
Matse tha se ”synimi është që ilaçi i ri të bëhet i disponueshëm në të gjitha 206 strukturat shëndetësore që tashmë ofrojnë PrEP.
Sipas të dhënave të fundit të shpërndara nga Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), rreth një e katërta e banorëve të këtij shteti të vogël afrikan, midis moshës 15 dhe 49 vjeç, jeton me virusin vdekjeprurës.
Megjithatë, infeksionet e reja janë ulur thuajse me tre të katërtat midis 2010 dhe 2024, duke rënë nga 14.000 në 4.000, falë përmirësimeve në parandalim dhe trajtim, sipas të dhënave të CDC-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.