Kryeartikull

Çfarë po ndodh me të kaluarën tonë ?!

FADIL LEPAJA 

Fadil Lepaja“Çfarë po ndodh? A ka të ardhme, e kaluara jonë e ndritshme?!” Kështu, tepër i shqetësuar për të kaluarën e kombit, po pyeste veten një qytetar, ndërsa po rrëmonte pasuksesshëm nëpër xhepat e tij me vrima për të kompletuar centët e fundit, sa për të blerë një hamburger. Aq kushton hamburgeri te ne. Një euro! Më pak se një paketë cigare. Gruaja i kishte përgatitur petulla për mëngjes, por ai kishte ikur sikur një i çmendur nga tryeza. Brumi po e irritonte deri në bezdi, ndërkohë që po shqetësohej  pafundësisht edhe nga ideologjia zyrtare e mediave tona, të cilat mbi të gjitha kujdesen për vijën e qytetarëve. Është politikë qeveritare. Nuk bën me u trash, kurrqysh! Kolesteroli vret më shumë se kallashnikovi!  “Kallashnikovi” u përplasej veshëve me rafale edhe nga kënga me të njëjtin emër e mikut tonë, Bregoviç. Atij me çelës. Po çfarë kallashnikovi, vëlla?! I kemi shitur, të gjithë. I kemi shitë dhe i kemi shpenzue lekët. Më falni, eurot, se te ne llogarisim me euro. Kallashnikovi vret veç në Afrikë, Azi… Jo në Europë.

“Mos hani hamburger, mos hani çizburger, mos hani “fingers…”, mos hani yndyrë… mos hani, mos hani …!  E me çka me funksionue, more vëlla”, po pyetej ai?! “Veç me ia nisë e me pi naftë!”

Qytetari ynë ishte ndalur përpara kioskës së vogël në këndin e rrugës, e cila bënte aq shitje sa asnjëherë nuk ishte pa zhurmën e qytetarëve të uritur. Aty bëhej kaosi vet, nga parkimet vend e pavend të veturave. Ka “të çmendur” pas hamburgerëve, të cilët ndalnin veturën në mes rrugës dhe presin në radhë. Kiameti vetë bëhet aty. Ruaj nervat, vëlla!

“Ma mbështjell një hamburger, usta! Mi mbështjell dy! Tre!”, bëheshin porositë e ai po numëronte centët në xhep, me gishta. Zor se bëhen 100, po numëronte ai me vete! Po i dallonte nga madhësia. 10,5,5, 20, 50 … Kaq!

“Ta mbështjell si një hamburger” i jehonte në vesh ehoja e një kënge të vjetër për ideologjinë komuniste të viteve ’80, të shekullit që iku. Në fakt, ishte këngë kundër saj. Kundër agjitpropit komunist. Kundër megalomanisë… kundër diçkaje, po. Kosova republikë, pavarësi, Kosova Kontinent! Këndonte Naseri. Po pra. Kontinent.

Ish-luftëtari po rrëmonte pasuksesshëm në xhepat e tij, për të gjetur dhjetëcentëshin e fundit, në radhën e gjatë për hamburger. Radha po ecte e ai …me të. Nuk po e gjente.

Mos më keqkuptoni! Nuk po shkruaj për tema migjeniane, për varfërinë, se varfëria nuk ka punë me ne. Ajo është kategori afro-aziatike, të cilën e shohim vetëm në ekran dhe të cilën ne nuk duam ta importojmë. Ne jemi Europë. Edhe kur gërmojmë nëpër kontejner, kjo ka një emër tjetër. Është ndonjë pensionist, ndonjë ish-luftëtar, ndonjë… Por, jo. Nuk është varfëri. Është stil, mënyrë jetese! Nuk janë me qeverinë.

Pastaj, veç mos të më quajnë majtist, se tani dhe kjo tingëllon keq, gati sa islamist. Ideologji hesapi, vëlla. Ideologji ekstreme. Me dhunë, me i zgjedhë problemet.

E ku di miku ynë me duart në xhepat e tij plot vrima se çka është ideologjia?! Ai merret me të kaluarën e tij të lavdishme. Nuk don me e …rrezikue. Po e dini! Me të ardhmen merret qeveria. E ardhmja është e sigurt. Sikurse është e sigurt që pagat do të rriten para zgjedhjeve. Atëherë do të luftohet edhe korrupsioni. Do të arrestohet ndonjë zyrtarë i lodh’t, sa për të mbyllur letrat e të tjerëve dhe …do të lëshohet pas zgjedhjeve. Pra, është e sigurt. Askush nuk mundet me ndikue në të ardhmen, sikurse nuk ndikon dot as në të kaluarën. Në të kaluarën edhe mundet… Ka kush kujdeset edhe për të kaluarën. Janë komisionet.

Kryesorja, të dashur miq, mos u merrni me të tanishmen! E tashmja, si mësohet edhe në gramatikë, është ajo kohë në të cilën jetojmë. Por, ne nuk jetojmë në të tashmen do të thoni? Ne jetojmë në të ardhmen ose në të kaluarën. Të dyja janë të lavdishme, sepse ato varen direkt nga udhëheqësit tanë, po ashtu të lavdishëm. Veç e tashmja varet nga ne. Por e tashmja nuk ekziston. Aq sa e mban ujin nëpër pëllëmbë. Aq e ka e tashmja. Menjëherë bëhet e kaluar, rrjedh dhe arkivohet te kujtimet. Krejt bardhë. Shndritshëm, kështu duket e ardhmja, sa asgjë nuk shihet. Krejt zi, sikur qielli natën duket e kaluara, përveç atyre që bëjnë dritë. Yjeve! Nganjëherë në mendjen e tij e kaluara dhe e ardhmja lidheshin në një, aq sa e kishte idenë se e ardhmja merrte dritën nga e kaluara. Supernova, ishte e kaluara jonë. Një yll që shuhej dhe …shpërthente. Verbonte nga drita.

“Hajde “Rambo” po i thoshte “mbështjellësi” i hamburgerëve! Sa do? Një?”

Ai hodhi 90 cent mbi suprinën e xhamtë të banakut! “Kaq më jep” i tha ai, duke shikuar në ekranin e sheshtë, të varur anash në mur. Kaq! Ekrani po jepte futboll. “Droni” ende po fluturon mbi Beograd.

Derisa “mbështjellësi” po i hidhte pak kechup, të kuq fare mbi petullën e mishit që po lëvizte gëzueshëm në bukën e hapur dhe po përzihej me qepët e freskëta e të grira imtë, ai prapë mendoi për ideologjinë dhe shau nën zë.

“Ti, mos u ngushto asnjëherë për dhjet cent, or burrë, apo për njëzet”, po i fliste “mbështjellësi” duke e shikuar me sytë ku shihej admirimi. “Ti je legjendë, or burrë! Ke një të kaluar të shkëlqyer, or burrë! Sa të jesh gjallë ti e ke gratis, “hamburger”-in. Nga unë”.

Refleksi i parë që i erdhi ishte, të dilte jashtë dhe të kthehej te petullat e saj, ai brumë i thatë që përpëlitej në vajin përvëlues. “Ani çka! Nuk e shes të kaluarën e lavdishme për një hamburger”, po thoshte me vete. “Qysh nuk e shes?! Po kush ta blen ore burrë”, do t’i thoshte gruaja dhe ai do të dorëzohej detyrimisht para këtij argumentimi realist. Kush ta blen të kaluarën, qoftë edhe të lavdishme?!

“Shes të kaluarën e lavdishme, për një hamburger”, se si i erdhi të thërrasë me sa zë që kishte. Por, nuk klithi. E mori “Hamburgerin” dhe filloi të hante ashtu në këmbë, duke shikuar jashtë xhamave kaosin që po e krijonin në komunikacion blerësit e uritur.

Një sirenë automobili po binte nga larg, sikur rrezik që po afrohej, dhe ai pa se si nëpër xhama po reflektoheshin me xixëllimë dritat e veturës qeveritare, e cila po e bartte për në zyrën e tij një nga bashkëluftëtarët.

“Jo, nuk e shes”, po thoshte, dhe po e hante petullën e tij prej mishi …dhe po trashej në heshtje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button