Bota

Çfarë po ndodh në Rumani: Pse nuk ndalen protestat dhe a do të rrëzohet qeveria?

Prej 8 ditësh Bukureshti është përshirë nga protestat më të mëdha në vend që nga rënia e regjimit komunist të Nikola Causeshkut, në vitin 1989. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të protestuar kundër vendimeve të fundit të qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e saj.

Kush qeveris në Rumani?

Partia Social Demokratike (PSD) fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor, me 45.2% të votave.

Megjithatë, lideri i saj, Liviu Dagnea, u përjashtua nga posti i kryeministrit për shkak se ndodhet nën hetim për një rast korrupsioni, gjë që e skualifikon automatikisht nga posti, sipas ligjeve të vendit.

Kështu, në fund të dhjetorit, presidenti rumun Klaus Iohannis, i cili ka fuqinë të pranojë ose jo kandidatët, emëroi si kryeministër socialdemokratin Sorin Grindeanu, pasi hodhi poshtë propozimin e kandidates myslimane Sevil Shhaideh.

Po cili është ligji që ka nxitur protestat?

Të martën e shkuar, qeveria miratoi në formë urgjente një dekret që dekriminalizonte rastet e korrupsionit, dëmi i të cilave ishte më pak se 44 mijë euro. Shoqëria rumune, ku problemi i korrupsionit perceptohet si një barrierë për zhvillimin e vendit u ngrit menjëherë kundër.

Përveç kësaj, ky modifikim penal u shoqërua me amnistinë e 2700 të dënuarve për kundërvajtje, por edhe për korrupsion, u reduktua në gjysmë dënimi i të burgosurve që janë mbi 60 vjeç dhe atyre që kanë fëmijë më të vegjël se 5 vjeç.

Ekzekutivi e justifikoi këtë vendim me nevojën për të zbrazur burgjet e tejmbushur.

Megjithatë partitë opozitare, presidenti i vendit ashtu si dhe gjyqësori, Prokuroria Anti-korrupsion, Komisioni Europian dhe disa vende europiane si Gjermania dhe Franca kritikuan ashpër dekretin që përveç të tjerash nuk figuronte në programin elektoral të PSD-së.

Cili ishte reagimi i qytetarëve?

Vendimi shkaktoi pakënaqësi masive dhe nxiti një valë protestash  nga qytetarët, të frustruar me qeverinë.

Që nga e marta, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit por edhe në qytete të tjera dhe në Sheshin e Fitores në Bukuresht ku zakonisht mbahen fjalime, dëgjohen brohorimat “Hotsii! Hotsii!” (Hajdutë! Hajdutë!).

Në një rast, protestuesit tentuan të hynin në selinë e qeverisë, por që u shpërndanë nga policia e cila sulmoi me gaz lotsjellës.

Por ajo që duhet pasur parasysh në gjithë këtë histori është se një nga ata që përfiton nga dekriminalizimi i korrupsionit është vetë Dragna, lideri i PSD-së, i akuzuar për ryshfet në vitin 2015 që arrinte vlerën e 24 mijë eurove.

Qeveria u tërhoq, pse nuk kanë ndalur protestat?

Protestuesit morën mbështetjen e presidentit Iohannis, gjë që u cilësua automatikisht nga kryeministri Grindeanu si “puç”; Dhe Presidentit i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker, i cili tha se “lufta kundër korrupsionit duhet të forcohet më tej”.

Kështu katër ditë pas fillimit të demonstratave, qeveria u detyrua të shpallë tërheqjen e dekretit. Kryeministri tha se nuk donte që shoqëria rumune të ndahej dhe se do të negociojë me opozitën një ligj të ri që ka përkrahjen maksimale.

Megjithatë, korrigjimi nuk ka shërbyer për të qetësuar pakënaqësinë e qytetarëve, të cilët vazhdojnë të manifestojnë çdo natë në kryeqytet dhe qytete të tjera për të kërkuar dorëheqjen e ekzekutivit dhe përsëritur zgjedhjet, diçka që PSD refuzon ta bëjë pasi i cilëson pretendimet si një pretekst për të forcuar ndryshimin e pushtetit.

Siç shpjegohet nga korrespondenti i BBC në Bukuresht, Nick Thorpe, pavarësisht shfuqizimit të dekretit, shumë prej protestuesve nuk kanë besim se qeveria do të mbajë alën.

“Kanë frikë se legjislacioni i ri i premtuar nga kryeministri, mund të përmbajë disa elemente të njëjta por në forma të ndryshme”, shpjegon Thorpe.

 

Jemi të vendosur të rezistojmë dhe të vazhdojmë të luftojmë derisa qeveria të japë dorëheqjen. Kanë humbur të gjithë kredibilitetin dhe jo vetëm me popullin e Rumanisë, kështu që është koha që të largohen”, tha për BBC një protestues.

Kjo qeveri është organizuar nga niveli më i lartë deri tek më i ulëti si mafie dhe ne nuk duam diçka të tillë”, thotë një tjetër protestues për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Protestat masive, të cilat nuk kanë udhëheqës të dukshëm, duket se janë organizuar spontanisht nëpërmjet rrjeteve sociale.

Por jo të gjithë janë dakord me idenë se ajo që po kalon Rumania është një betejë e thjeshtë mes zyrtarëve të korruptuar dhe një shoqërie që lufton kundër korrupsionit.

“Kush e organizon këtë? Është e vështirë të thuhet, por shpresoj që institucionet shtetërore ta kenë këtë informacion”, tha për një televizion lokal, Liviu Dragnea.

Edhe aleati i PSD në koalicionin qeverisës, Calin Tariceanu, lideri i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve, gjithashtu argumenton se situata është më e komplikuar.

“Më vjen keq të them, por në Rumani pushteti gjyqësor nuk është i pavarur”, tha ish kryeministri për BBC, i cili aktualisht shërben si president i Senatit.

Dhe, sipas Tariceanut, prokurorët e Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsionit (DNA) kanë bashkuar forcat me anëtarët e shërbimeve sekrete dhe disa gjyqtarëve për të shkelur liritë civile në një formë të paprecedentë që nga epoka e komunizmit.

DNA dhe shërbimet e inteligjencës janë bërë institucionet që nuk respektojnë kuadrin ligjor janë të korruptuar dhe po përdoren për të përfituar në betejat politike në Rumani”, tha politikani.

Diçka të ngjashme tha dhe Adrian Nastase, ish ministrin Social Demokrate i cili është dënuar dy herë me burg për korrupsion.

Megjithatë, e gjithë kjo është mohuar kategorikisht nga drejtoresha e DNA , Laura Kovesi, që tha për BBC-së se zyra e saj ka hetuar si zyrtarë të qeverisë ashtu dhe figura të opozitës.

Rastet e iniciuara nga DNA shihen, verifikohen dhe shqyrtohen nga gjyqtarët. Gjyqtarët në Rumani janë të paanshëm”, tha Kovesi.

Drejtoresha e Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsionit, Laura Kovesi

Dhe, sipas zyrtares, qeveria ka në plan jo vetëm të kufizojë në mënyrë drastike kapacitetet e agjencisë, por edhe të detyrojë lirimin e qindra politikanëve, kryetarëve të komunave, gjykatësve, doganierëve dhe drejtuesve të kompanive dhe institucioneve shtetërore të dënuar për korrupsion; përveç se të pengojë më shumë se 2151 raste që janë duke u hetuar.

Megjithatë protestat vazhdojnë dhe mbetet për t’u parë ndikimi i tyre mbi qeverinë e Grindeanu.

Ky është një vend ku protestat në rrugë kanë arritur të përmbysin qeveri në të kaluarën”, kujton korrespondenti i BBC në Bukuresht, Nick Thorpe.

Dhe demonstruesit e dinë këtë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button