Letër kritike e dashamirëse ministrit të Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi
Nga Ismet Isufi
I nderuar zoti Ministër,
Nuk njihemi, por kam arsye, t’u drejtohem si anëtar i udhëheqjes së Partisë që qeveris; si pjesëtar i pushtetit legjistativ dhe atij ekzekutiv, e posaçërisht, në detyrën e ministrit. Është e treta herë që Ju shkruaj. E para, zyrtarisht, kërkoj takim, po vartësit Tuaj më penguan! Tjetra, publikisht, në këtë gazetë. Asnjë reagim. Qoftë kjo “E treta,- e vërteta” për nga reflektimi. Qëllimi im qe e mbetet t‘i përgjigjem thirrjes së qeverisë dhe Tuajën, e titulluar “Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër”, si detyrimin moral për të dhënë kontributin modest në atë që Ju e quani betejë kundër abuzimeve e shpërdorimeve. Pas një kalvari sorollatjesh torturuese prej mëse 5 vjetësh, nëpër dyert e Sigurimeve Shoqërore, kam dashur të denoncoj para Jush me fakte dhe prova të plota dokumentare “Elitën” e Sigurimeve Shoqërore, për shkeljet flagrante të ligjit, për pensionet, deri edhe në vjedhjen dhe vënien e gjobave aforfe, me synimin që Qeveria dhe Ju të ndërhyni për t‘i dhënë fund një sahat e më parë situatës antiligjore që sundon aty.
Ministri im dhe i shqiptarëve,
Ju drejtohem me togfjalëshin “ministrit tim”, se e vetmja “çertifikatë” për këtë pronësi, është fakti jo sekret se pa kurrfarë tesere të asnjë partie, kam besuar e votuar përherë të majtën, që dhe Ju përfaqësoni. Por ende nuk kam parë të më votoni të drejtën kushtetuese e ligjore që më takon mua dhe shumë shqiptarëve si unë. Realisht, Ju jeni i të gjithë shqiptarëve, në detyrën delikate, siç është aspirata për mirëqenie sociale të të gjithëve. E mira apo e keqja e qeverisjes i zë të gjithë shqiptarët, edhe ata që s’u votuan. Për më tepër, e keqja ndahet me lugën e kafesë. Shkuan 2 vjet e ca dhe punët e premtimet kanë ecur çalë-çalë. Le të jetë një reflektim i Juaji, si shans e shpresë e ndryshimit në vend.
E di fare mirë që ministri nuk merret me llogaritjen e pensionit të një qytetari. Por ka detyrë e përgjegjësi ligjore të merret posaçërisht me problemin që fshihet, a duket pas ankesës së tij, kur ai është gjithëpërfshirës, për të drejtën dhe zbatimin e ligjit. Nuk kërkoj të më zgjidhësh hallin, por angazhim me problemin kapital: vendosja e rregullit, disiplinës, respektimit të ligjit, edhe në Sigurimet Shoqërore, çka bën të zgjidhet si halli im dhe i të gjithë shqiptarëve. Rruga e zgjidhjes, jo me zarf, (se nuk kam), tani më çon në gjykatë, se as ministria e as qeveria s’po vënë dorë për zbatim të ligjit. Kurrë s‘e kam pandehur buzëplasjen, injorimin e denigrimin në ato zyra. Dhe kjo ndodh, pikërisht në zemrën e kryeqytetit, ku injorohet jo më qytetari i thjeshtë, por edhe kultura dhe profesionalizmi i lartë i inteligjencës shqiptare. E keqja më madhe është se antiligji po parakalon serbes përpara syve, veshëve dhe tërë qënies së Ministrive e Qeverisë, ndërsa frika e ndëshkueshmërisë s’ekziston. Dhe kjo situatë absurde, është mëse e qartë për këdo, se me kohë është iniciuar, stimuluar dhe mbrojtur nga shteti.
Abuzimet dhe shpërdorimi i detyrës në Sigurimet Shoqërore janë të shumta e të natyrave të ndryshme, që mbi bazën e dokumenteve që disponoj, sipas mendimit tim, konsistojnë:
Në shkeljet flagrante të ligjit të sigurimeve shoqërore, të ligjeve specifike të ushtarakëve, dhe të ligjeve të tjera në fuqi, madje deri edhe Vendime të Gjykatës Kushtetuese, duke mos caktuar masën e pensionit, sipas ligjit, që përkeqëson masën e pensioneve.
Në ndryshim e fallsifikim dokumentesh, me synim zvogëlimin e masës së pensioneve.
Në moskryerjen e saktë të veprimeve të thjeshta aritmetikore, që çojnë në zvogëlimin kur kanë për t’u dhënë, dhe në zmadhimin kur u duhen ndalur pensionet.
Në sorollatjen pambarim dhe mosrespektim të afateve ligjore, për shqyrtim dhe kthim përgjigjeve të ankesave e kërkesave.
Për informacionet e pasakta, formale, të gabuara, të paargumentuara e në kundërshtim me ligjin të përgjigjeve të ankesave e kërkesave.
Fshehje, zvarritje e mosdhënie në kohë e në formatin e duhur të vendimeve, shpesh herë gjysmake, pa të dhëna, pa bazën ligjore, pa shpjegime si dhe pa emrat, mbiemrat, firmën e përpunuesve dhe të miratimit prej titullarëve, dhe pa vulë zyrtare.
Në vendosjen e fletë-gjobave aforfe, pa ligj, pa llogari, e pa kurrfarë arsyetimi logjik.
Në funksionimin formal dhe pa asnjë efektivitet të takimeve me drejtuesit kryesorë.
Në mosfunksionimin sipas ligjit të Komisioneve të Ankimimit, dhe në zhvillimin e lojës “pingpong”, duke ia përcjellë ankimet njëra-tjetrës, për të lodhur e mërzitur pensionistët;
Në mosrespektimin e Kodit Etik Profesional, në sjellje, pritje dhe sqarim të pensionistëve.
Pa patur tagrin e avokatit të gjithë pensionistëve, po jap pak fakte që më kanë ndodhur, se janë të njëjta edhe me mijëra pensionistë:
-A është normale, zoti ministër, që pensioni të të llogaritet pas 3 a 6 muajsh, ku më absurdja është, caktohet pensioni minimal dhe jo ai që përcakton ligji, dhe pa kurrfarë arsyeje, për 3 vjet rresht sorollatje e buzëplasje në zyra, për një çështje fare banale, për 4 veprimet e thjeshta aritmetikore të të dhënave, të rillogaritet 7 herë pensioni?! Vetëm në fund të vitit 2013, pensioni i pleqërisë u vendos sipas ligjit. Suplementari jo, sepse, për çudi, kryetares së degës, pjestimi 24 me 2 i del 11 dhe jo 12(?!). Besova që mbaroi kalvari torturues. Po më ngriu buzëqeshja, sepse pas dy muaj, pa ligj, pa llogari, pa vendim më vendosin një fletë- gjobë aforfe 2200 lekë/muaj, për 3 muaj?! S’më japin asnjë sqarim. Ankohem e për inat, më vendosin fletë- gjobë të dytë aforfe, 2400 lekë/muaj, për detyrimin “debitor”, pa u marrë asnjë kacidhe, për 120 mijë, që ta shlyej deri më 2018, po isha gjallë. Për ta justifikuar, në errësirë, merret një vendim absurd, pa firmat e gjobëvënësve, pa asnjë të dhënë, pa bazë ligjore, pa llogaritje, siç e kërkon ligji. Më skandaloz e alogjik, është “arsyetimi” se mbahen për pensionin e parakohshëm të para 5 viteve, 2009, kur jam në pension pleqërie, dhe ai pension ka 5 vite që ka “vdekur”. Mbi 2 vjet nëpër zyra e s’i japin zgjidhje vjedhjes. Janë mbi 30 takime, 21 ankesa e kërkesa me “Elitën”. Korrespondenca arrin në 80 faqe, me DRSSH, ISSH, përfshi dhe ministrinë e Mirëqënies. Këto shifra duken si të pabesueshme. Jeta dhe praktika më mësoi se fjalët i merr era, e shkruara mbetet. Të shkruarat m’i kërkon ligji. Këto dokumente, janë pasuri e madhe, për drama, komedi, skeçe, poezi satirike, emisione si Fiks-Fare ,etj. dhe më shumë për në gjykatë. Ato janë fotografia, pasqyra e vërtetë e “Elitës”. Janë të plota gjurmët e shpërdorimit të detyrës në grup, me synim përvetësim të vlerave monetare prej pensionit. Gjurmë janë njëlloj si tek armët e krimeve, madje dhe më të qarta, me dorën, shkrimin, firmën e vetë personave përkatës, dhe më së fundi me vulën blu të pushtetit. Në to shpaloset qartë skandali i shëmtuar i vjedhjes ku implikohen direkt e indirekt 10 vetë në DRSSH, nga inspektorja përpunuese deri tek drejtori; 5 vetë nga ISSh, nga inspektori audit deri tek drejtoresha. Dhe vini re, ju lutem: Ky implikim nuk është vetëm tek unë, po në mijëra skandale korruptive, të shënuara në dosjet e çdo pensionisti. I çuditshëm reagimi i ministrisë Tuaj: ndërsa kërkoj takim me Ju, ato “sqarojnë” se pensionet i trajton ISSH. I kundërshtoj, e më pataksin me përgjigjen tjetër që citojnë nenin 71 të ligjit të sigurimeve (?!). Nuk është detyra ime t’i mësoj të lexojnë dhe kuptojnë mirë ligjin, se vërtet ISSH është i pavarur, por nuk është shtet mbi shtetin, dhe për më tepër jo i pavarur nga ligji! Pikërisht, neni 71 edhe 72 e73 përcaktojnë qartë se ISSH drejtohet nga Këshilli Administrativ, e Drejtori i Përgjithshëm, dhe se për shkak të lidhjes direkte të kësaj ministrisë së Mirëqënies me pensionet, më 12.6.2014, Kryetar i këtij Këshilli, midis 6 vetëve, përfaqësues të Qeverisë (financës, ekonomisë, mirëqënies, shëndetësisë, drejtësisë, statistikës) u zgjodh ministri paraardhës! Me këto përgjigje të pabazuara në ligj, vartësit Tuaj, që më percjellin, me mendësinë se janë në rregull, “i lanë duart”, si Ponc Pilati.
“O njeriu me mënd, provoje në trupin tënd, si të dhëmb, ashtu më dhëmb!”.
Ky është një kod moral shqiptar në kohëra. Nuk e di se si do të ndjeheshit Ju, i nderuar ministër, që kur një ditë të zbrisni nga kolltuqet e të delni në pension, të shkoni në këto zyra të të shpërfillën, të të përbuzin, të të injorojnë, të të sorollasë “Elita” aty, për të drejtën e pensionit që të takon, siç sillen me mua dhe me mijëra pensionistë! Është anormale që për 500 apo 1000 lekë pensionistët të hyjë në grevë urie, të protestojë apo të hapin gjyq, ku vetëm për shpenzimet, (hapje gjyqi, avokat, ekspert) do t’i duhen pensioni i vitit! A nuk e kanë hak kallëzimin në organet e drejtësisë për shpërdorim e abuzim në detyrë, ku neni 248 i Kodit Penal, ka dënime të kripura, nga 7 vjet burg, e gjobë 300 mijë deri një milion lekë! S’e nuk është bërë kurrë ky kallëzim, dhe askush nuk është ndëshkuar për shkelje ligji, aty spekullohet kaq shumë! Me gjithë klimën korruptuese në sistemin e drejtësisë, ende ka mjaft djem e vajza me integritet që japin drejtësi! I mendojnë pasojat e krimit të abuzimit me detyrën, mund t’i çojë edhe në burg, apo heqë nga puna, kur kanë për të ushqyer veten dhe familjen, dhe për këto pasoja, nuk do t’i mbrojë shefi, drejtori, ministri apo kushdoqoftë, që i ka urdhëruar të shkelin ligjin, se ligji nuk njeh asnjë prej urdhërdhënësve?!
Anormalitet të paparë për masën e pensioneve:
Janë dhjetëra mijë pensionistë, sidomos ish-ushtarakët, që për kushte objektivisht të njëjta, marrin pensione të ndryshme. Ligji nuk bën asnjë dallim e diskriminim lidhur me masën dhe kohën e daljes në pension! Vartësi im merr më shumë; unë – më shumë se ish eprorët, me shumë vite pune, por dalë në pension më parë. Ankohen e “Elita” nuk e zgjidh, siç dikton ligji, por u kthen përgjigje parafabrikate absurde. A e dini se nga 20 mijë ushtarakë, vetëm i ati i deputetit të Partisë Demokratike, e ka marrë të plotë pensionin e pleqërisë e atë suplementar që i takon me ligj (me gjyq)! Gjej rastin ta uroj ish kolegun: “Jetë të gjatë e ta gëzosh pensionin, që të takon me ligj! Mos e ul kokën, kur kalon para ish eprorëve, që marrin pension shumë më pak, sepse nuk je Ti fajtor!” Është krejt e pamundur, që çdo prind të presë t’i bëhet fëmija deputet, kryeministër, ministër, apo në postet e larta të kupolës shtetërore a partiake, që të gëzojë pensionin e caktuar me ligj! Është absurde, që trajtohen pensionistët ca si të nënës e ca si të njerkës, se kur vjen puna tek çështja e parasë të gjithë janë të së njëjtës fe, krahine, ide, mide a tesër partie! Ligji është i drejtë, i saktë, i barabartë për të gjithë, nuk bën kurrëfarë dallime raciale, partiake, farefisnore.
Si e la i pari, na zuri si dimri dhe behari!
Në këto 25 vite trazicion, si çdo gjë që është shkatërruar, qënka më i keq shkatërrimi i administratës publike, në sigurimet shoqërore. Disa nga “Elita” aty janë bërë të padurueshëm, për shkak të veprimeve të paligjshme. Të kapur nga “bosët e politikës”, kontrollojnë çdo gjë aty. Të thyejnë turinë me derë, as të qasin, as të sqarojë, po të thonë “Shko ku të duash”. Këto veprime të shumta abuzive cënojnë jetën e dinjitetin e pensionistit, çka e kthejnë këtë “Elitë” në shëmtirë, një pasqyrë e shtrembër, një shembull tipik se si nuk duhet të ekzistojë kështu një institucion i tillë publik. Nuk i fut të tërë në një “thes”, se ka punonjës që “të japin ujë me bisht të lugës”, me saktësi gati kompjuterike të thonë ç’të takon. Korrekte janë ato që kryejnë veprime teknike, si në arshivë, protokoll, etj. Por këta janë të pakët dhe kanë frikë, se i hedhin në rrugë, dhe nën zë të thonë: “Këtu nuk zgjidh gjë”. Duhet të jesh naiv në shkallën sipërore, apo sakat nga mendja të pranosh përgjigjet të papërgjegjshme, që japin, me gojë a me shkrim drejtuesit, shefat, juristët, ekonomistët. Le të kesh disa diploma, deri për matematikë a juridik. Ata të fyejnë, të injorojnë, të shumëzojnë me zero, se kanë tjetër ”ligj” e “arithmetikë”.
Ja, tre shembuj:
”Kërkesa juaj, sipas nenit X të ligjit Y të ushtarakëve, nuk është objekt shqyrtimi”, shkruan kryejuristja, firmos drejtori. Marrëzia qëndron se ky nen e ky ligj, është shfuqizuar qysh 10 vjet më parë, në 2005(?!).
N/drejtor’ i Përgjithshëm i ISSH, më shkruan: “Kërkesa juaj nuk është objekt shqyrtimi për Komisionin e Ankimit, sipas nenit 86, pika 1, 2 e ligjit 7703/’93”(?!) Alogjikja qëndron pikërisht se ky nen dhe ky ligj drejton çdo qytetar dhe mua te ky komision!
3.Nga që e kundërshtoj, më vjen përgjigja e dytë: “Të është bërë rillogaritja e pensionit 2009-2011, sipas Vendimit nr.2/2013 të Gjykatës Kushtetuese”. Kjo është alogjike, se pensionin në 2009 që përfundoi në 2011, bëhet me ligjin e vendimin e asaj kohe, dhe ky vendim s’kishte “lerë” në atë kohë, por në 2013. Por ka edhe vendim të posaçëm e të detyrueshëm për zbatim, ai nr.33/2010, po të kësaj Gjykate, pse nuk e zbaton kjo “ Elitë”?! Përgjigjet kundërshtojnë njëra tjetrën, e dyta të parën e kështu me radhë. I lexoj, e kujtoj ironinë e mendjendriturit Volter: “Në varrimin e të vërtetës, gënjeshtra mbajti një fjalim prekës!”
Natyrshëm lind pyetja: Kjo “Elitë” nuk DI, nuk DO, apo janë të KORRUPTUAR?
Për mua pak e nga të gjitha, më shumë kjo e fundit. U takon Juve, zoti ministër, kompetenca e verifikimit, e analizës profesionale, me synim e mirë ndryshimin e situatës antiligjore. Kaluan mëse 2 vjet që qeverisni. Ende në Sigurimet Shoqërore ecet me kokëfortësi në rrugën e Antiligjit, që mbolli kudo, si virus kanceroz,Dr.Saliu. Është po ajo ideologji, ai koncept, ajo praktikë, ai model sjellje, ai veprim shkatërrues, që aq shumë dëm i solli Shqipërisë. Mosreflektimi është një miopi vrastare, me kosto për mbarë shqiptarët. Nuk “pi” më ujë “Fajin e ka Saliu; Na e la peshqesh Berisha”. Në se jeni realisht për Ndryshim, Shtet Ligjor, zoti ministër, na demostroni me punë se keni marrë në dorë “fshesën” të pastroni shpejt e pa hezitim pengesat, të zezat, anormalitetin që la pas Qeveria që u vithis, dhe në Sigurimet Shoqërore.
Një “shpikje” e pashembullt
Pa iu tharë boja firmës së Kryeministrit në Vendimin 561/’15, për indeksimin 1.4% të pensioneve, sigurimet shoqërore e “zbatojnë” duke e kthyer atë me kokë poshtë. Dhe studenti e di fare mirë se ky lloj indeksimi ka të bëjë me kompesimet për përballimin e inflacionit, pra, të rritjes së çmimit të mallrave dhe të tarifave të shërbimeve. Një detyrim ligjor ky për Qeverinë, në nenin 61 të Ligjit 7703/’93, për ta bërë çdo vit, me vendim të posaçëm këtë kompesim. Por “Elitat” e kupton si rritje të mirëqënies, rritje pensionesh, një peshqesh-gënjeshtër kjo, që e futi në sistem Dr. Saliu, kur dihet se realisht, i provuar në treg, në kuletë e në tavolinë, që inflacioni nuk është kurrfarë mirëqënieje, përkundrazi. “Shpikja” qëndron, se me këtë koeficent 1.4% shumëzojnë edhe masën e shpallur “debitor”, që në fakt është gjobë aforfe, me absurdin: “Kur rritet pensioni, rritet dhe debitori”. Pensionisti duhet t’i mësojë “ekspertët” e sigurimeve se ç’farë është ky lloj indeksimi, zoti ministër? Kjo duket si një gjë e vockël, por 17 mijë “debitorëve-aforfe”, siç deklaron në shtyp ISSH, u mbahen 2400-4600 lekë, mesatarisht 3.500, pra, u vidhen 714 milionë/vit. Vetëm nga ky indeksim absurd u mbahen më shumë 140 lekë/muaj secilit, ose të gjithëve 28 milionë/vit. Sipas pikës 1/e, 5 dhe 9 të vendimit, …”pensioni i parakohshëm bashkë me kompesimet, nga 1.8.2015 nuk do të jetë më i vogël se 14586 lekë”. Së paku për 17 mijë ushtarakë “debitorë” që marrin pension 12 -13 mijë lekë, nuk e gëzojnë zbatimin dhe shuma e vjedhjes së tyre arrin në 423 milionë /vit; Për këto e të tjera si këto, a nuk kemi arsye logjike e ligjore më se të mjaftueshme të shprehemi se Instituti nuk është më i Sigurimeve, por i Tatim-Taksave i Mandat-Gjobave aforfe?! Troç, është kthyer në Institut të Pasigurisë Shoqërore, në një makineri vrastare, të vjeljes e vjedhjes së pensionistëve! Po sos na heqin Lekun, por dhe Tepelekun, se na injorojnë e na bëjnë budallenj. Ndjej dhimbje e zhgënjim nga heshtja, e mosreagimi ndaj skandaleve të vjedhjes, të bëra dhe publike, çka përbën shkak të mjaftueshëm të mendojmë e pyesim: Vallë, po ministria që Ju drejtoni është e Mirëqënies, apo e Varfërisë Sociale! Nuk vdesin varfanjakët pensionistë, nëse u vidhen 50 apo deri 3000 lekë/muaj, pavarësisht kushteve skandaloze ekonomike të vendit, ato lekë, për ta janë shumë, u duhen të blejnë një bidon ujë apo një pako ilaçe. Nëse u duhet kjo sasi e cituar, prej të varfërve, që të “shëndoshet” Instituti, Ministria e Qeveria, na e thoni troç, se ua japim vetë, zoti ministër, dhe mos na i merreni hajdutçe. Vendosni një kuti, që “të votojmë” me lekët që u duhen. Dhe do t’ua japim, të lirë e me dëshirë, pa u kërkuar kupon e shlyerje! Por këto vjedhje, grabitje skandaloze, fyerje, injorim e diskriminim nuk ua kemi borxh! Në moshën e pleqërisë, qënka plagë e rendë kjo lloj vjedhje e fyerje, zoti ministër. Na ndjeni, mos na konsideroni si indigjenë, nga ekonomia e mendësia! Pensioni, sidomos ky yni, nuk është luks, as lëmoshë dhe as në dëshirën e nëpunësit, drejtorit a dikujt tjetër, me pushtet që ka në dorë firmë e vulë. Ai është shpërblim i kontributit të punës së secilit, i përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj. Qeveria ka detyrimin ligjor t’ua sigurojë realisht këtë pension të gjithë qytetarëve. Jemi në të drejtën e Zotit dhe të Ligjit.
E përfundoj këtë letër-kritike e njëherazi dashamirëse, duke ju ftuar mirëkuptim se qëllimi im, nuk është të nxij këdo aty, dhe as të bëj thirrje për shkarkime e riemërime. Aq më tepër që nuk kam ndonjë hasmëri, inat dhe nuk i kam hyrë në hak askujt, sikurse s’duhet të më hyjë askush në hakën time. Ama, ata që janë të paaftë, që shkelin ligjin që s’bëjnë punë dhe prishin punë, e që na dëmtojnë të gjithëve, nuk duhet të vegjetojnë aty. Instituti i Sigurimeve Shoqërore duhet të kthehet në normalitet e dinjitet, siç ka edhe emrin, ku të zbatohet Kushtetuta dhe Ligji, që si unë dhe gjithë pensionistët, pa dallim feje, ideje e mideje, të gëzojmë të qetë e me dinjitet pensionin.
Uroj që një milionë shuplakat që iu dhanë ish-qeverisë, të mos kthehen në një milion gurë kësaj Qeverie!