DANIMARKË – Shërbimet sekrete paralajmërojnë për përgatitje ruse për sabotim
KOPENHAGË, 3 shtator /ATSH-DPA/ – Rusia po përgatit në mënyrë aktive operacione sabotimi kundër Danimarkës, veçanërisht industrisë së saj të mbrojtjes, tha sot kreu i kundërzbulimit danez për shtypin lokal.
“Rusët po përgatiten në mënyrë aktive operacione sabotimi që synojnë industrinë e mbrojtjes në Danimarkë”, tha Emil Graesholm, kreu i kundërzbulimit në Shërbimin Danez të Sigurisë (PET), për gazetën e përditshme ”Berlingske”.
“Është thelbësisht e rëndësishme që industria e mbrojtjes, në përgjithësi, të marrë masat e nevojshme të sigurisë në mënyrë që të mund të mbrojë veten”, theksoi ai në televizionin TV2.
“Shumë aktorë në sektor tashmë po punojnë aktivisht për këtë”, theksoi ai.
Që në vitin 2024, PET kishte treguar se kërcënimi rus kundër Danimarkës, një vend që mbështet Ukrainën, ishte intensifikuar.
Sipas Graesholm, shërbimet ruse të sigurisë po kërkojnë të rekrutojnë “danezë krejtësisht të zakonshëm”.
Këto misione mund të përfshijnë, për shembull, marrjen e fotografive, shqyrtimin dhe raportimin mbi kushtet e aksesit dhe të sigurisë përreth një objekti.
”Po diskutojmë për metodat, sepse ato nuk kanë nevojë të ngjajnë me një film spiunazhi”, theksoi ai për ”Berlingske”./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.