“Dear Albania” i Eliza Dushkut shfaqet sot në Muzeun Historik Kombëtar
Aktorja me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, do të prezantojë sot në Tiranë dokumentarin “Dear Albania”, një rrugëtim në 15 qytete të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Tetovën dhe Prishtinën, në një guidë turistike promovuese për traditat, kulinarinë, besimin dhe turizmin shqiptar.
Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Kulturës, dokumentari “Dear Albania”, do të shfaqet në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik Kombëtar.
Dokumentari është një bashkëprodhim mes Dushkut dhe fotografit me famë botërore Fadil Berisha, ndërsa rol të rëndësishëm ka luajtur edhe aktori Blerim Destani. Në qendër të dokumentarit janë pamjet e mrekullueshme ku ka udhëtuar aktorja Eliza Dushku dhe pikërisht 15 qytete kryesore të Shqipërisë në kërkim të rrënjëve të saj ku dalin në pah bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë turistike. Aktorja e nis udhëtimin e saj nga Kalaja e Krujës, por një vend të rëndësishëm zë kryeqyeteti shqiptar, Tirana duke udhëtuar më pas për në Berat, Korçë, Berat, Shkodër dhe pa harruar bukuritë e bregdetit, të cilat i quan të mrekullueshme.
“E dashur Shqipëri. Kam qenë gjithnjë kureshtare dhe e hipnotizuar nga misteret e tua. Unë jam një shqiptare e Amerikës nga Bostoni. Gjyshërit e mi emigruan në Amerikë në vitet 1940 dhe u larguan nga kjo jetë përpara se unë të lindja. Babai im më ka mësuar të jem krenare për gjakun tim shqiptar dhe tani është koha për mua që të zbulojë përse-ne”, me këto fjalë e nis dokumentarin e saj nën titullin “E dashur Shqipëri” aktorja hollivudiane me origjinë shqiptare Eliza Dushku.
Në vitin 2012 ky dokumentar u prezantua në kinema Millennium, ndërsa sonte hyrja për publikun është falas për ndjekjen e dokumentarit në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar.
Eliza Dushku lindi më 30 dhjetor 1980 në Boston, Massachusetts, prindërit e sajn janë profesorë universiteti, babi është nga korça , ndërsa nëna daneze.Ajo u bë e njohur me rolin Faith në TV serinë “Buffy” dhe nga seriali televiziv “Angel”. Dushku ka luajtur në dy seriale të rrjetit Fox, Tru Calling dhe Dollhouse. Ajo është gjithashtu e njohur dhe për rolet në filma si “True Lies”, “The New Guy”, “Bring it On”, “Wrong Turn”, dhe “Jay and Silent Bob Strike Back”, gjithashtu në aktivitetin e saj nuk mungon dhe si dublante me zërin e saj për lojëra elektronike.