Ekonomia

Dëmi i madh i HEC-eve të vogla; 210 aplikime në dy vjet

Nga Nertila Maho

Pas më shumë se 500 kontratave koncesionare për hidrocentrale të vogla, duket se ka një virus të ri për HEC-e deri në 2 MW. Në harkun e më pak se dy viteve janë 210 aplikime pranë ish-Ministrisë së Energjisë, ku të paktën 22 kanë marrë “ok” për të vijuar me ndërtimin.
Ekspertët ngrenë zërin se një valë tjetër kaotike HEC-esh mund të ketë pasoja të pakthyeshme në ekosistem, ndërkohë që ky model është modifikim i koncesioneve tipike që nuk kishin fuqi investimi.
Shqetësimi tjetër vjen nga hidrologët që kërkojnë rritje të mirëmenaxhimit në kushtet kur projeksionet për burimet ujore të Shqipërisë, tregojnë se vendi ynë po thahet dhe do të ketë të paktën 20% më pak sasi në vazhdim

Në ish-Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë u bë zakon që pas miratimit të një ligji të veçantë, që parashikonte se hidrocentralet deri në 2 MW jepeshin vetëm me firmën e ministrit dhe nuk konsideroheshin koncesione, të dyndeshin çdo tre ditë biznese me një aplikim në dorë.
Ajo që vihet re është se kërkesat për ndërtime hidrocentralesh kanë kaluar nga pellgjet ujëmbledhës kryesorë në degëzime minimaliste, por ku parashikohet të ndërtohen hidrocentrale me një variacion nga 1 deri në 3.

Deri këtu nuk ka asgjë që nuk e kemi parë, sepse në fund të fundit jemi një vend që koncesionet e hidrocentraleve i kemi prezente dhe nga ai numri i madh që kaloi 500, sot pak më shumë se 1/5 konsiderohen si serioze, pjesa tjetër janë në proces ose duke u ndërtuar, ose duke u rishpallur.

Çështja është se këtë herë, për të ndërtuar një hidrocentral “personal” janë turrur gjithfarësoj biznesesh, nga ato që operojnë në fasone tek ata që kanë tregti me shumicë. Kjo valë e re kërkesash, sado me kujdes të shihet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk mund të mos konsiderohet si një risk potencial në vazhdim për të shtuar kaosin në çdo lumë e përrua të këtij vendi, për të ndikuar edhe më shumë në ekosistem, sigurisht negativisht apo sa e sa pasoja të tjera zinxhir.

Aktualisht numri i aplikimeve që kanë marrë miratim përfundimtar është i vogël në raport me numrin total të aplikimeve, por situata mbetet për t’u parë.

Ndërtimi si sektor dhe ai i HEC-eve padyshim që ka efektet e veta pozitive në ekonomi, por nëse për koncesionet argumenti ku gjejmë strehë është rritja e prodhimit dhe sigurisë disi (edhe pse kjo do diversifikim më shumë), hidrocentralet 2 MW nuk janë opsioni që ofron siguri. Duken thjesht si sipërmarrje që ka ardhur pas një llogarie të thjeshtë, se kthimi është i shpejtë dhe “pse jo, pse të mos bëj dhe unë një hidrocentral”.

Aplikimet për HEC-e deri 2 MW arrijnë 210

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ju përgjigj interesit të “Monitor” për të dhënë shifrat zyrtare të aplikimeve të bëra nga subjekte të ndryshme për ndërtimin e hidrocentraleve deri në 2 MW. “Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.822, datë 17.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”, i ndryshuar, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë janë paraqitur rreth 210 aplikime për ndërtimin e hidrocentraleve me kapacitet prodhues deri në 2 MW.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka dhënë 22 Miratime Përfundimtare për ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese sipas kushteve të mësipërme dhe ka nënshkruar 13 kontrata për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e këtyre hidrocentraleve. Këto raste janë finalizuar pasi subjektet kanë marrë lejet dhe vlerësimet që përcaktohen në legjislacion, përfshirë ato mjedisore. Totali i kapacitetit të instaluar prej këtyre kontratave të finalizuara nuk kalon 20 mega.

Të paktën 50 aplikime janë refuzuar për arsye të mbivendosjes së vendndodhjeve të aplikimeve dhe mungesës së dokumentacioneve sipas rregullave të VKM Nr.822, datë 17.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”, i ndryshuar.

Pjesa tjetër e aplikimeve janë në proces shqyrtimi, matjeje ose studime të tjera lidhur me investimet për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve” thuhet në reagimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pas kërkesës së revistës.

“HEC-et 2 MW rrallë janë të leverdishëm”

Kristo Goga, inxhinier dhe një nga emrat më përfaqësues të sektorit kur vjen puna tek hidrocentralet, shprehet se “moda” e hidrocentraleve 2 MW është një shpikje që pason dështimin e hidrocentraleve të vogla. “Dalja e modelit për hidrocentrale deri në 2 MW tregon dështimin e idesë së ndërtimit të hidrocentraleve të vogla.

Me këtë model minohet struktura e mëparshme që detyrohej që koncesioni të merrej për të tërë kaskadën e një lumi apo përroi. Me atë model, koncesioni merrej, por dilnin avazet më prapa për trimërinë e treguar. Nuk kishin fuqi investuese reale. Pikërisht ky kontingjent shpiku marrjen me koncesion të hidrocentraleve me fuqi deri 2 MW dhe këtë kompetencë ta ketë ministri”, – shprehet Goga. Sipas tij përgjithësisht këto hidrocentrale shumë rrallë mund të jenë të leverdishëm.

Ndikimi i HEC-eve në mjedis, një rrugë pa kthim

Është e vërtetë që përpara ndërtimit të një hidrocentrali në “sitë” kalojnë edhe ndikimet e mundshme mjedisore si një nga kushtet që duhet të plotësohet për të marrë “ok” nga institucionet.

Për hidrocentralet e vogla, kërkesat mbi vlerësimin strategjik duket se janë disi më modeste por ndikimet reale nuk janë kështu.

Të paktën sipas Olsi Nikës, biohidrolog pranë EcoAlbania, vendosja e njëpasnjëshme e disa hidrocentraleve në një pellg ujëmbledhës mund të ketë pasoja të pariparueshme në ekosistem. “Pra ndikimi kryesor i HEC-eve të vogla është amplifikimi i ndikimit nga prania e disa HEC-eve në të njëjtën rrjedhë ose basen lumor. Kjo shpesh nuk merret fare në analizë gjatë procesit të dhënies së dritës jeshile për këto projekte. Ndikim tjetër ka edhe në bimësinë dhe faunën e ekosistemeve ujore.

Përgjithësisht HEC-et e vogla me derivacion krijojnë thatësirë nganjëherë edhe permanente në segmente të tëra përgjatë lumit. Nëse në një rrjedhë do të vendoseshin 3-4 HEC-e të tillë, atëherë humbet ajo që në ekologji quhet “lidhja gjatësore e lumit”, e cila shërben si rrugë migrimi për gjallesat që jetojnë në lumë”, -shprehet Nika.

Mungesa e mirëmenaxhimit dhe hartat e rrezikut

Orientimi drejt prodhimit hidroenergjetik mund të ketë aspektet e veta pozitive, por nuk përjashton as ato negative. Inxhinieri hidroteknik i Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë dhe Ujit, Klodian Zaimi, shprehet se nuk është problem ngritja e hidrocentraleve, por mungesa e zhvillimit të integruar të baseneve. Shqipëria e ka të vakët kulturën e monitorimit, planeve menaxheriale, si dhe parashikueshmërisë së përmbytjeve.

“Ka një mosinteresim për monitorimin në investime, në lidhje me monitorimin e parametrave hidrologjikë dhe klimatikë. Duke u matur si trupa ujorë dhe si sipërfaqe hidrografike, duke u krahasuar me një vend si Italia dhe që bën një monitorim të pranueshëm në standardin e Komunitetit Europian, ne do të na duheshin të investonim 3-5 milionë euro në vit. Në fakt, investimet tona për monitorimin pas viteve ’90 kanë qenë të papërfillshme”, – shprehet Zaimi.

E në gjithë këtë indiferencë për monitorim fokusi ka qenë tek ngritja e hidrocentraleve mbi çdo pellg ujëmbledhës, çka ia shton vështirësinë menaxhimit të burimeve ujore. Në këto kushte, ajo që po bëhet është hartimi i hartave të rrezikut që deri më sot është bërë vetëm për zonën e Shkodrës pas përmbytjeve të vitit 2010, por një projekt i ri synon që të plotësojë me këtë lloj harte gjithë Ultësirën Perëndimore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button