Ekonomia

Denaj: Bashkëpunim për reduktimin e barrierave në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Dhomave të Ballkanit –ABC, e cila u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të Javës Cefta 2019.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtuesit e Dhomave të Tregtisë në Ballkan, Presidenti i Unionit të Dhomave dhe Shkëmbimit të Mallrave të Turqisë, z. Rifat Hisarciklioglu, përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore dhe sipërmarrja.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj theksoi rëndësinë bashkëpunimit mes dhomave të tregtisë dhe bizneseve në vendet e rajonit, në funksion të synimit të përbashkët për zhvillimin ekonomik. “Marrëdhënia dhe dialogu me biznesin është kyç për të zhvilluar ekonominë dhe për të çuar përpara zhvillime të cilat në ditët që jetojmë sot janë komplekse”, u shpreh znj. Denaj.

Duke iu referuar shkëmbimeve tregtare mes vendeve anëtare në ABC, Ministrja pohoi se ekzistojnë potencialet që këto shkëmbime të rriten dhe në këtë drejtim duhet punuar në drejtim të eleminimit të barrierave të mundshme, në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria jo vetëm në nivel rajonal, por edhe më gjerë.
Më tej, Ministrja Denaj u ndal të tre aspekte thelbësore që ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin ekonomik: Dixhitalizimi i ekonomisë; arsimi dual i ndërthurur mes teorisë dhe praktikës; intensifikimin dhe ridimensionimin e dialogut mes qeverive dhe dhomave të tregtisë.

“Si Ministre e Financave dhe Ekonomisë jam shumë e hapur për të parë mundësinë se si ta ridimensionojmë dialogun me Dhomat e Tregtisë. Është shumë e rëndësishme që ai të jetë i bazuar në elementë konkretë dhe analiza teknike për të sjellë dy elementë të rëndësishëm, një bazë komunikimi me fakte dhe oportunitet të dhomave ndaj anëtarëve të tyre me shërbime. Për të dy këto elementë, MFE është e hapur për të biseduar me Dhomat dhe për të parë se si të zgjerojë bashkëpunimin, por njëkohësisht të zgjerojmë anëtarësimin, i cili të jetë efektiv për të gjithë bizneset brenda dhomave”, u shpreh Ministrja Denaj.
Sipas znj. Denaj, shkëmbimi i eksperiencave mes dhomave të tregtisë është një mundësi shumë e mirë për të sjellë në vëmendje të qeverive dhe dhomave të tregtisë masat që duhet të ndërmerren për intensifikimit e dialogut dhe efektivitetin e shërbimeve ndaj biznesit, për të arritur rezultate pozitive në zhvillimin ekonomik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button