Denaj prezanton paketën fiskale, ja ndryshimet për 2020
Konkretisht projektligjet e Paketës Fiskale, që përfshijnë:
- incentivimin e sektorit të industrisë automotive duke caktuar normë tatim fitimi 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në këtë industri;
- promovimin e sportit, me qëllim rritjen e impaktit pozitiv të tij në shoqëri;
- Përjashtimin nga TVSH të automjeteve të reja vetëm me motor elektrik, me synim për të nxitur individët dhe bizneset që të orientohen drejt blerjes së këtyre mjeteve, të cilat do të jenë më pak të dëmshme për ambientin;
- shtimin e dy kategorive të makinave që të përjashtohen nga taksa e makinave të përdorura dhe konkretisht: makinave të personave me aftësi të kufizuar dhe
mjeteve të përdorura të automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi;
- trajtimi tatimor i tatimit mbi pagën për të gjithë ata individë të cilët kanë më shumë se një pagë.
Kjo masë e fundit, tha Denaj parashikon që individët që kanë më shumë se një pagë duhet të deklarojnë deklaratën vjetore të të ardhurave në një shumë të vetme, edhe nëse realizimi i të ardhurave është nën 2 milionë lekë.
Ministrja sqaroi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me vendosjen e një tatimi të ri, por ndryshimin e formës së deklarimit dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat, sikurse është parashikuar në ligj për të ardhurat nga punësimi.
“Sistemi tatimor nuk deformohet pasi ligji ka përcaktuar që baza e tatimit është paga, tatohet paga bruto, pra të ardhurat totale nga paga. Kjo masë është rekomanduar edhe nga misioni i fundit i FMN i cili asistoi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në hartimin e paketave të përmendura”, u shpreh znj. Denaj.
Projektligjet
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.
Propozohen ndryshime të cilat synojnë:
- Harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit për procedurat tatimore, me përcaktimet e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”;
- Harmonizimin dhe unifikimin e kundravajtjeve administrative që lidhen me çështjet e faturimit duke synuar përshkallëzimin e gjobave sipas përgjegjësive tatimore dhe administratës në përgjithësi;
- Kompensimin e detyrimeve tatimore ndërmjet administratës tatimore dhe administratës doganore;
- Lidhjen e një marrëveshje për detyrimet që administrata tatimore ka ndaj tatimpaguesve për TVSH e rimbursueshme, sipas një plani pagese të rënë dakord, me një afat kohor deri në 30.06.2021.
- Zgjerimi i objektit për lidhjen e marrëveshjes së pagesës me këste për detyrimet e tatimpaguesve edhe për detyrimet e vetdeklaruara për tvsh, si dhe për sigurimet shoqërore në raste specifike për institucionet buxhetore.
- Ndryshimi i deklaratës së tatimpaguesit vetëm një herë brenda 36 muajve dhe për sigurimet shoqërore vetëm një herë në muajin pasardhës.
- Njoftimi i tatimpaguesit para kontrollit dhe vizitës fiskale nga 30 ditë dhe 10 ditë bëhen përkatësisht 10 dhe 5 ditë.
- Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar;
- Incentivimin e sektorit të industrisë automotive duke caktuar normë tatim fitimi 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në këtë industri.
Vendosja e një norme të reduktuar tatimi mbi fitimin për këtë sektor, siç kemi bërë edhe më parë për sektorin e agrobiznesit apo ICT, e shndërron këtë sektor në një sektor prioritar dhe e përafron me incentiva që vende të tjera të rajonit në Ballkanin Perëndimor kanë realizuar për këtë industri.
- Politika fiskale këtë vit ka synuar gjithashtu promovimin e sportit, me qëllim rritjen e impaktit pozitiv të tij në shoqëri.
Për të orientuar dhe inkurajuar sponsorizimet e biznesve në këtë sektor, kemi propozuar njohjen e shumave të sponsorizuara në fushën e sportit si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, sa trefishi i shumës së sponsorizuar. Ky ndyrshim do të vlejë vetëm për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milion lekë.
Gjithashtu, kemi propozuar që të rriten shpenzimet e njohura të sponsorizimit për sportin me 5 % të fitimit para tatimit nga 3 % që janë aktualisht.
- Një propozim tjetër që synon tërheqjen dhe mbajtjen e investitorëve të huaj lidhet edhe me rishikimin në rritje të afatit të mbartjes së humbjeve nga ana fiskale.
Sigurisht që investimet e mëdha kërkojnë një periudhë të gjatë investimi për të kaluar në fitim dhe për këtë arsue është zgjatur afati nga 3 në 5 vjet, sikurse është edhe praktika rajonale dhe evropiane.
- Pjesë e kësaj pakete është dhe trajtimi tatimor i tatimit mbi pagën për të gjithë ata individë të cilët kanë më shumë se një pagë. Dëshiroj të ndalem këtu, nisur edhe nga diskutimet mediatike lidhur me këtë çështje.
Ne kemi propozuar që këta individë të deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjithë të ardhurat e siguruara nga punësimi.
Do të kenë detyrim për të dorëzuar këtë deklaratë vjetore të të ardhurash edhe nëse realizimi i të ardhurave të tyre është nën 2 milionë lekë.
- Nuk kemi të bëjmë me vendosjen e një tatimi të ri, por ndryshimin e formës së deklarimit dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat sikurse është parashikuar në ligj për të ardhurat nga punësimi.
- Sistemi tatimor nuk deformohet pasi ligji ka përcaktuar që baza e tatimit është paga, tatohet paga bruto, pra të ardhurat totale nga paga.
- Kjo masë është rekomanduar edhe nga misioni i fundit i FMN i cili asistoi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në hartimin e paketave të përmendura.
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”:
Dy janë ndryshimet kryesore në këtë projektligj.
- Përjashtimin nga TVSH të automjeteve të reja vetem me motor elektrik, me synim për të nxitur individët dhe bizneset që të orientohen drejt blerjes së këtyre mjeteve, të cilat do të jenë më pak të dëmshme për ambientin;
- Harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” në vendin tonë lidhur me faturimin dhe përcaktimet e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i cili sjell një ndikim në gjithë procesin e transaksioneve.
- Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar
Ndryshimet kryesore të propozuar në këtë ligj lidhen me taksat e makinave si ato të përdorura dhe ato luksoze.
- Kemi propozuar shtimin e dy kategorive të makinave që të përjashtohen nga taksa e makinave të përdorura dhe konkretisht:
- Shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar për tu përjashtuar nga taksa vjetore të mjeteve të përdorura. Ky është një përjashtim me efekt social për këtë kategori përsonash në nevojë ishte e nevojshme. Si dhe jeni në dijeni, ligji aktual parashikon përjashtim nga taksa e makinave të përdorura për të verbrit e invalidët dhe në bazë të të dhënave janë rreth 11 mijë automjete në pronesi të kësaj kategorie.
- Përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura të automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi. Numri i mjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi të vetëdeklaruara pranë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor deri në këto momente është afërsisht 200 automjete.
Përjashtimi nga taksa të këtyre mjeteve është një praktikë e njohur europiane dhe synon si në promovimin e sektorit të mekanikës ashtu dhe në uljen e kostove të shërbimeve të këtyre mjeteve.