Opinion

Deputetët e opozitës po vetëmbrohen nga grushtet e njëpasnjëshme të regjimit

Andi Bushati

Sherri me grushta në parlament është interpretuar në mënyra diametralisht të kundërta nga palët e përfshira në të. Nga njëra anë, qeveria dhe mbështetësit e saj e kanë përshkruar atë si një përpjekje për radikalizim nga Berisha, për të mbrojtur interesat personale dhe ato të familjarëve të tij të goditura nga SPAK.

Nga ana tjetër, për PD, ky është thjeshtë një reagim vetëmbrojtës, ndaj mekanizmit të shtypjes të çdo lloj të drejte që i takon me ligj dhe kushtetutë opozitës. Po t’i vesh në peshore të dyja versionet, nuk është e vështirë të mbërrish në një përfundim. Në pamje të parë, duket sikur argumenti kundër Berishës ka logjikë. Në një situatë, kur ai po preket për herë të parë realisht nga drejtësia, në kushtet kur po shqyrtohehen me themel përfitimet financiare të njerëzve pranë tij, ajo çka do i interesonte atij qe kaosi i demostruar përmes ushtrimit të forcës. Por kjo logjikë duket e tillë vetëm në sipërfaqe, pasi konkretisht gjërat janë shumë më ndryshe.

Së pari, rebelimi i demokratëve daton përpara se drejtësia të shpallte goditjen e saj ndaj shefit të opozitës. Pra, përplasjet në parlament filluan që në 19 tetor dhe ato u pasuan me përjashtimin nga Kuvendi të dy duzina deputetësh demokratë. Megjithatë, më thelbësorja nuk është alibia kohore, por thelbi real i rebelimit opozitar. Po të vëzhgohen me vëmendje ngjarjet e fundit në parlament, aty vërehen tre mëkate të mëdha nga shumica rilindase. Së pari, me votat e tyre, socialistët po tentojnë të caktojnë se kujt i takon përfaqësimi i PD në Kuvend. Së dyti, ata po i mohojnë afro 50 deputetëve demokratë të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në komisionin e reformës zgjedhore. Dhe së treti, ata po shkelin me të dyja këmbët Kushtetutën, duke e zhveshur minorancën nga e drejta për të ngritur komisione hetimore.

Le të marrim dy shembuj ilustrues për të kuptuar më mirë atë që po ndodh. Deputetët e PD kanë dështuar të ngrejnë komisione hetimore parlamentare për koncesionet në shëndetësi, për konfiktin e interesit në investimet strategjike të tipit Xhaçka, për pretendimin e vjedhjes të të dhënave të sistemit TIMS, për udhëtimet me çarter të Edi Ramës etj. Po le të ndalemi tek ky i fundit. Opozita pretendon se kryeministri ka shpenzuar mbi 20 milionë euro duke udhëtuar si sulltan i një vendi naftëmbajtës me avionin e tij personal. Nga ana tjetër Edi Rama pretendon se e ka kursyer buxhetin me këtë metodë, duke harxhuar shumë më pak se në kohën e qeverisjes Beisha. Tani a ka të drejtë publiku të marrë vesh se kush gënjen dhe kush thotë të vërtetën? A jemi ne të denjë si popull për të pasur transparencë mbi paratë tona të përbashkëta? A duhet të ushtrojë parlamenti kontroll mbi shpenzimet e luksit të qeverisë?

Kaq po kërkon opozita dhe kjo është ajo që asaj po i mohohet.

Një patate tjetër e nxehtë është ajo se cili do të përfaqësohet në reformën zgjedhore, grupi i Berishës, me 43 deputetë apo ai i Bashës me 7–8. Socialistët pretendojnë të ruajnë Lulin si një atu me vlerë për ta, duke përdorur si justifikim, se vula ende i takon atij. Dhe thonë ata, reformat zgjedhore nuk bëhet nga deputetët, por nga partitë kryesore në pozitë dhe opozitë. Por edhe këtu thjesht mashtrojnë, sepse më parë emrat e anëtarëve të Komisionit hetimor gjithnjë i ka vendosur grupi parlamentar. Kush e mban mend kohën kur opozita dogji mandatet, pra kur PD-ja ishte jashtë Kuvendit për ndryshimet kushtetuese, mes partive u ngrit një mekanizëm jashtë parlamentar, si Tryeza politike, por në Kuvend vazhdoi të funksiononte komisioni me deputetë fallco. Pra, edhe e shkuara e afërt e rrëzon tezën që socialistët po duan të përdorin si alibi tani.

Djalli që fshihet në këto detaje e nxjerr në pah qëllimin kryesor të asaj që po ndodh kohëve të fundit. Ajo është një strategji e qartë për t’i ulur kokën dhe për ta zhbërë opozitën duke e zhveshur atë edhe nga ato pak mundësi që i jep sistemi. Rebelimi dhe ngritja e tensionit nga deputetët e PD-së ka në gjenezë këtë frustrim. Prandaj shtrimi i çështjes sikur kjo po bëhet për kalkulimet personale të Berishës është më shumë një tezë që do të shmangë thelbin. Natyrisht Berisha, ashtu si tek e fundit çdokush, nuk është i zhveshur nga hallet dhe synimet vetjake, por në këtë rast edhe po të ketë të tilla, ka rastisur që ato t’i përkojnë me interesin e opozitarizmit. Sepse, fatkeqësisht, për mungesë force apo vetëbesimi, nuk është ai që po e radikalizon opozitën, por janë deputetët e saj që po vetëmbrohen nga grushtet e njëpasnjëshme të regjimit./LAPSI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button