“Dërgatat” gjithmonë kanë dështuar
Nga Arben Malaj
Historia shqiptare e pas-Luftës së Dytë Botërore na ka ofruar një statistikë mjaft dekurajuese për të ashtuquajturat “dërgata”, për të ndryshuar regjime e sisteme politike në Shqipëri. Me përjashtim të ardhjes së Zogut në pushtet, me ndihmën e Beogradit të asaj kohe, çdo dërgatë ose ndërhyrje nga jashtë, pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet e asaj që pasoi, pas rënies së sundimit të tij, kanë pasur një fat tragjik, e gjithmonë kanë dështuar në misionet e tyre.
Së fundmi, po identifikohet një “dërgatë” amerikane, me disa eksponentë publikë të postkomunizmit, me njerëz të angazhuar publikisht, si ish-këshilltarë të Berishës, kur flas për Grid Rojin, ose student i Dhjetorit dhe themelues i Partisë së Berishës, në rastin e Shenasi Ramës.
Edhe pse e kuptoj dëshirën e mirë dhe fisnike të tyre për të ndryshuar mënyrën, se si funksionon demokracia shqiptare, dhe çfarë do të duhet të ndryshojë në vendin tonë të përbashkët, kam frikë se kanë dështuar në idealizmin e tyre, që në krye të herës.
Nuk besoj se kjo e ashtuquajtur “dërgatë” demokracie, ka sponsorizim të institucionalizuar amerikan, pasi Uashingtoni politik, nuk është aq naiv dhe aq i painformuar, për të mos thënë se do duhet të dijë, kur do, dhe se si ta ndryshojë gjendjen, e cila mund të bëhet e patolerueshme kur kapërcehen “vijat e kuqe”. Kjo dërgatë e re ka dështuar të kuptojë se si funksionin politikisht elektorati shqiptar, i cili ka parametra jo anglosakson në mënyrën si e ushtron dhe koncepton demokracinë. Shpresoj që prania e tyre në Tiranë këto ditë dhe protesta bunker-djegëse e kësaj jave, t’ua ketë ndriçuar sadopak perceptimin e tyre për këtë elektorat.
Shqiptarët historikisht, por edhe në postkomunizëm, votën e hedhin me partishmëri dhe pragmatizëm ekstrem. Pa përjashtuar, nivelin joadekuat të të jetuarit në demokraci si kohëzgjatje, për shkak të trashëgimisë politike dhe historisë së kombit, i cili realisht ka djegur etapa të nevojshme të zhvillimit politik dhe institucional, përmes kapërcimeve jonatyrale të rendeve politiko-shoqërore në dy shekujt e fundit.
Shqiptarët e Tepelenës e Tropojës, të Korçës e Shkodrës, nuk janë si banorët e Nju Jorkut e Teksasit, as si ata të Londrës e Birmingamit, dhe nëse aplikon mënyra sjelljeje politike dhe ndërgjegjësime ekstra-shqiptare, në një ambient infantil demokratik, si Shqipëria dhe tërë ato pjesë, ku jetojnë bashkëkombësit tanë, është recetë për dështim. “Paria” e Tiranës ose Prishtinës e Tetovës, po të doni, ende nuk e kanë mbushur fazën e ngopjes pasurore. Për më tepër, ata kanë krijuar një sistem dhe kod tejet funksionues, për të sunduar antidemokratikisht, edhe pse në shumicën e rasteve u delegohet pushteti në mënyrë demokratike. Ata nuk “çahen” nga dërgatat nga jashtë. Por ata janë të cenueshëm nga partnerët ndërkombëtarë, pasi u dihen shumë prapësira dhe kanë shumë informacion për vendndodhjen e rezultateve të korruptimit të tyre, nëse do kishte realisht vullnet për t’i diskretituar.
Të kundërtën e kësaj që po them do të refuzoja të ma kundërshtonin si të pasaktë. Por me siguri, janë interesa të tjera, qoftë edhe gjeostrategjike, edhe pse jo në tërë atë kuptim që shpesh asociohet ky term, e që diktojnë tolerimin e një klase ose parie, sidomos politike, që praktikon shëmtueshëm demokracinë e re shqiptare. Edhe shqiptarët, duke qenë se e kuptojnë një gjendje të tillë, apo edhe pse janë të pazotë për të ndryshuar shumë gjëra, që nuk shkojnë dhe nuk ua përmirësojnë jetën e përditshme, përballë këtij fatalizmi, disi edhe të imponuar, përzgjedhin apatizmin dhe përshtatjen, një tipar i miridentifikuar shqiptar, nën sundime të shumta ndër shekuj. Padyshim, që gjendja do të duhet të ndryshohet parimisht, por realisht kjo mbetet një sfidë hëpërhë e pakapërcyeshme, pasi ndër vite, është krijuar me tinëzarllëk një sistem i atillë funksionimi të partive politike, që ua mundëson vertikalisht liderëve të tyre, absolutizmin, në përzgjedhjen e atyre që do u rinë sus të parit të parisë politike.
Ndërkohë, horizontalisht, aleanca më e madhe, është ajo mes barinjve politikë, që si në kodet e mafies, i shkelin syrin njëri-tjetrit dhe bëjnë marrëveshje me njëri-tjetrin, për të toleruar secilin në korruptimin e radhës dhe mosndëshkimin e tyre, kur nuk janë në pushtet. Çdo përpjekje naive për të ndryshuar nga jashtë politikisht Shqipërinë kam frikë se do të regjistrohet si dështimi i radhës dhe dërgata, ashtu siç kanë ardhur do të ikin, për t’iu përkushtuar punëve të tyre, nëse kanë ende në vendet nga vijnë. Padyshim, më realist do ishte vetëm ndikimi dhe angazhimi ndërgjegjësues nga jashtë përmes opinioneve dhe kontributeve analitike për të bindur, aq sa të mundin dhe kur të mundin, shqiptarët për gjëra që në fakt edhe i dinë, por arsyet e mësipërme, ua diktojnë të sillen politikisht, ashtu siç janë sjellë deri më tani. Dërgatat në Shqipëri kanë dështuar dhe kurrë nuk kanë pasur atë ndikim dhe nuk kanë realizuar ato synime, shpesh dashamirëse për të rregulluar punët e Shqipërisë.
Pa paragjykuar dhe pa asnjë dozë dashakeqësie, më vinë ndërmend tërë ato dërgata, që dështuan të ndryshonin regjimet politike në Shqipëri, që nga të ashtuquajturit diversantët të stërvitur e dërguar nga Malta prej anglo-amerikanëve, te Xhevdet Mustafa e ndonjë tjetër. Kjo paaftësi për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri për shkak të fortësisë së regjimit, ishte edhe shkaku i mbylljes së Radio Londrës në gjuhën shqipe (BBC), në mesin e viteve ‘60 të shekullit të kaluar, për t’u rihapur në fillim të vitit të largët tashmë, 1993, kur unë isha pjesë e stafit të ri të BBC në Shqip, në një kohë kur regjimi dhe komunizmi i kohës së Tajar Zavalanit dhe Enver Hoxhës kishte rënë.
Koha do të tregojë sa e suksesshme do të jetë dërgata e radhës, por kam frikën dhe parandjenjën për të kundërtën dhe do doja që koha të më dështojë në parashikimin dhe analizën time ose edhe paragjykimin tim, nëse doni ta quani të këtillë.