Politika

Dështimi i takimit për reformën, Koçijançiç: Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar

E pyetur gjatë një konference për mediet gjatë mesditës së të martës, zëdhënësja e Mogherinit, Maja Koçijançiç ka ritheksuar qëndrimin e pandryshuar të Bashkimit Europian mbi nevojën e miratimit të reformës në drejtësi në Shqipëri, si një pikë kyçe edhe për hapat e mëtejshëm të vendit drejt unionit.
Duke theksuar edhe njëherë atë çfarë BE-ja bëri të ditur një ditë përpara takimit Rama-Basha, – pra që reforma e drejtësisë, e thellë dhe tërësore ka qenë për një kohë të gjatë një kërkesë e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Shqipërisë si dhe një kërkesë thelbësore për hapin e ardhshëm të vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian, – Koçijançiç deklaroi se pavarësisht dështimit të tryezës së një dite më parë mes krerëve politikë të vendit, “kjo reformë duhet të miratohet dhe bisedimet e përpjekjet për të të rifillojnë, pasi gjithçka ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe komisioneri i Zgjerimit mbetet e vlefshme”.
Por, nëse Përfaqësuesja e Lartë Mogherini do të ishte e kënaqur thjesht dhe vetëm me miratimin e një reforme drejtësie, apo me një reformë në drejtësi që garanton moskapjen e drejtësisë nga politika, Koçijançiç përsëriti edhe njëherë faktin që “drafti legjislativ që është aktualisht përpara Parlamentit reflekton rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe është në përputhje të plotë me standardet europiane, si dhe i konsultuar gjerësisht përpara se të hartohej”.
Dhe arsyeja pse Mogherini ka thënë dy ditë më parë se çdo parlamentar do të ketë përgjegjësi individuale mbi këtë reformë, është se “për miratimin e saj është thelbësore të votohet pro nga një shumicë prej 2/3-at e Parlamentit”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button