Politika

Detaje nga takimi/ Çfarë i kërkoi Rama homologut italian, Conte

Njohje të sigurimeve shoqërorë për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali. Kjo ka qenë kërkesa që kryeministri Edi Rama i ka bërë sot homologut të tij italian Giuseppe Conte.

Kryefjala mbetet forcimi i marrëdhënieve mes dy shteteve. Rama tha se bashkëpunimi në këtë drejtim mes dy vendeve është konfirmuar nga kryeministri Conte. “Ashtu sikundër meriton të çmohet dhe të futet në rrugën e zgjidhjes çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh në shtetin italian. Më vjen shumë mirë që bashkëpunimi i nisur në këtë drejtim është konfirmuar nga Kryeministri dhe ne do të vazhdojmë dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për ta përmbyllur këtë marrëveshje, që ka një rëndësi të madhe për ekonominë e këtyre e këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre njerëzve, por edhe për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë”, -tha Rama.

FJALA E RAMES

Shumë faleminderit, i nderuar Kryeministër, i dashur Giuseppe, për këtë ftesë dhe për shprehjen kuptimplotë të një mikpritjeje të ngrohtë, në një periudhë kaq të shkurtër mes dy takimeve tona, që pasojnë njëra-tjetrën edhe si shprehje kuptimplotë e vullnetit të palëkundur të Italisë mike dhe tuajin personalisht, në mbështetje të rrugëtimit europian të Shqipërisë. Ashtu sikundër bëra edhe gjatë takimit me Kryeministrin, dëshiroj ta bëj edhe publikisht, falënderimin e sinqertë për qëndrimin e prerë dhe përpjekjen deri në fund, nga ana e tij, në radhën e shumicës dërrmuese të vendeve të BE-së, që mbështetën çeljen e negociatave me Shqipërinë. Fatkeqësisht, Këshilli Europian nuk arriti dot të marrë vendimin e duhur, duke i mohuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut atë që meritonin dhe natyrisht duke dhënë një mesazh dobësie dhe e thënë deri në fund, një mesazh pafuqie për të mbajtur premtimet nga ana e BE-së.

Por, siç e ndava dhe me Kryeministrin, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse asaj që është rruga e projektuar nga rilindësit tanë dhe e ndjekur vijimësisht nga populli ynë, rruga e të bashkimit të plotë me Europën. E në këtë rrugë, ne jemi besimplotë edhe për faktin se kemi miq të mëdhenj dhe partnerë të palëkundur si Italia. Ashtu sikundër, në këtë rrugë, ne do të vijojmë po njësoj, gjë për të cilën informova Kryeministrin edhe lidhur me përshpejtimin e procesit të reformës zgjedhore, të cilën dëshirojmë padiskutim ta kryejmë në marrëveshje me të gjitha forcat politike, por do ta përmbushnim në Parlamentin e Shqipërisë, sipas të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. E nga ana tjetër, me kënaqësi mora nga Kryeministri, mbështetjen e plotë për paketën e re antikrim dhe antikorrupsion që ne po përgatisim, ku njohuritë, dija, eksperienca e Italisë mike dhe njerëzve që do të na vihen në dispozicion janë me një vlerë të paçmueshme.

Në Itali janë gjysmë milioni shqiptarë dhe 31 mijë prej tyre janë titullarë kompanish private. Ashtu sikundër, afro 300 mijë prej tyre kontribuojnë në arkën e shtetit italian dhe nga ana tjetër 115 mijë fëmijë mësojnë në shkollat italiane, si dhe 10 mijë studentë shqiptarë në universitetet italiane, ku janë më të mirët ndër studentët e huaj, gjë që ma konfirmoi edhe Kryeministri në cilësinë e profesorit të universitetit që ka patur mundësi t’i njohë nga afër studentët shqiptarë. Për këto arsye, mendoj se meriton të falënderohet Kryeministri dhe Italia mike, për jo vetëm fjalët, por edhe veprat kuptimplota në drejtim të integrimit të plotë të shqiptarëve në Itali. Ashtu sikundër meriton të çmohet dhe të futet në rrugën e zgjidhjes çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh në shtetin italian. Më vjen shumë mirë që bashkëpunimi i nisur në këtë drejtim është konfirmuar nga Kryeministri dhe ne do të vazhdojmë dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për ta përmbyllur këtë marrëveshje, që ka një rëndësi të madhe për ekonominë e këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre njerëzve, por edhe për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë.

Së fundi, diskutuam padyshim edhe për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik. Italia është faktori kryesor i huaj në tregun shqiptar. Të gjitha shifrat flasin për këtë. Numri i italianëve që vizitojnë Shqipërinë vjen në rritje. Shifrat e vetë shtetit italian për rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, çdo vit, flasin vetë. Kompanitë italiane janë të mirëpritura. Disa investime strategjike për të cilat ne kemi diskutuar janë në proces dhe ne mirëpresim padyshim kompanitë e mëdha italiane që të përfshihen në këto investime. E sigurisht që vlerësojmë pa masë edhe aspektin e dijes dhe të eksperiencës që këto kompani sjellin. Duke e falënderuar edhe njëherë përzemërsisht Kryeministrin dhe duke nënvizuar edhe sensibilitetin e shumëpritur dhe të mirëpritur nga ana jonë të shtetit italian, lidhur me komunitetin më të vjetër shqiptar në Itali, komunitetin arbëresh, si dhe angazhimin për të mbështetur këtë vlerë kulturore në tërësinë e vlerave të jashtëzakonshme të këtij vendi të bekuar siç është Italia, pres me padurim që të vazhdojmë punën e nisur. Jam i bindur se rezultatet do të flasin vetë, qoftë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, qoftë në aspektin e marrëdhënieve bilaterale, qoftë edhe të forcimit të zërit të Italisë falë argumenteve dhe rezultateve të bashkëpunimit në Këshillin Europian.

VIZITA

Kryeministri i vendit, Edi Rama udhëtoi dje pasdite drejt Italisë, ndërsa sot u prit në një vizitë zyrtare nga Giuseppe Conte. Kreu i qeverisë shqiptare u prit me një ceremoni zyrtare nga Conte, ndërsa më pas dy zyrtarët mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Vizita zyrtare e Edi Ramës vjen pak ditë pas vizitës që kreu në Tiranë kryeministri italian, ndërsa theksoi se mbështetja e Italisë ka qenë dhe do jetë e vazhdueshme për Shqipërinë.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button