Dhjetë shtetet me kushtet më të vështira ekonomike
Por lufta civile, situatat kritike politike, problemet mjedisore, çojnë shpesh në varfëri dhe realisht ka shumë vende në të cilat ekonomia është në kushte katastrofale dhe mbart pak shpresa për përmirësim .
Gjithkush, kudoqoftë, ankohet me të drejtë me apo nën zë, nga qeverisjet (ose më mirë nga qeveritarët apo dhe politikanët që i udhëheqin). Por mjafton vetëm një moment për të hedhur sytë te një listë vendesh, të cilat kanë një situatë vërtetë të pashpresë dhe ku “loja e jetës” është vërtetë e ashpër: shumë shtete, shpesh të panjohura, jetojnë situata të tmerrshme si lufta civile, sëmundje vdekjeprurëse, skamje etj. Disa prej tyre jua sjellim nga sajti Curiosone.
- Birmania/Myanmar
E vendosur në lindje të Indisë, Birmania, në gjuhën amtare e njohur edhe si Myanmar, është një shtet në të cilin jeta nuk është edhe aq e mirë. Për shkak të një grushti shteti të ndodhur në vitin 1962, vendi kontrollohet nga një regjim ushtarak. Kundër këtij regjimi, në vitin 2007, nga ana e qytetarëve u zhvilluan protesta të ndryshme. Tashmë situata është e paqëndrueshme, sepse ende nuk dihet se si do të përfundojë ky konflikt.
- Liberia
Liberia është një vend, emri i të cilit (ashtu siç mund edhe të kuptohet) vjen nga fjala “liri”; bëhet fjalë për republikën më të vjetër afrikane, e cila është krijuar nga skllevërit e lirë. Por njerëzit aty duket se nuk janë të aftë ta mirëmbajnë e kultivojnë “lirinë”, përderisa në këtë shtet është praktikisht e pamundur të jetohet: shkalla e papunësisë është mbi 50%, ndërsa janë konsumuar dy luftëra civile, të cilat kanë shkatërruar praktikisht ekonominë. Në ditët e sotme bëhet fjalë për një shtet për të cilin OKB-ja investon shumë për operacionet e paqes, për ta rimëkëmbur.
- Eritrea
Eritrea është një nga shtetet tashmë në paqe, por që ka dalë nga një seri luftërash të cilat e kanë gjunjëzuar atë. Qeveria aktuale qeveris prej 22 vitesh, qysh kurse edhe është krijuar. Pra, qëkurse vendi ka fituar pavarësinë, nuk janë bërë asnjëherë zgjedhje demokratike, ndërsa personat të cilët drejtojnë vendin, janë po të njëjtët.
- Uganda
Uganda është një shtet afrikan i pozicionuar shumë në brendësi të këtij kontinenti dhe më i varfri i tij. Pavarësisht kësaj, në vitet ’80 u krijua një qeveri, e cila gjithsesi nuk arriti ta nxjerrë dot vendin nga situata në të cilën gjendet aktualisht, dhe kjo do të thotë se tensionet janë në rend të ditës. Sistemi nuk ka një sistem të vërtetë pluripartiak dhe ky fakt (por jo vetëm) e bën shumë të vështirë edhe ripërtëritjen në shumë plane.
- Burundi
Një shtet tjetër shumë i vogël dhe i vendosur në një vend vërtet të vështirë për t’u arritur, gjithnjë në Afrikë, është Burundi. Është një republikë presidenciale që prej 50-vjetësh dhe për shkak të një grushti shteti, qeveria nuk ka ndryshuar asnjëherë prej shumë vitesh. Kjo padyshim se ka krijuar vështirësi, të cilat i kanë shkaktuar vendit revolta të vërteta: aktualisht ky shtet gjendet në një situatë lufte civile që prej dhjetë vitesh, ndërsa jetesa atje mbetet tejet e vështirë. Kjo situatë duket se do të zgjasë edhe për shumë vite të tjera.
- Nigeri
Ndryshe nga ç’mund ta mendoni, nuk kemi gabuar në të shkruar: Nigeri nuk është Nigeria, por një shtet shumë pranë saj e që gjendet në buzë të Saharasë. Zhvillimi i këtij vendi është shumë kompleks, pikërisht për shkak të pozicionit gjeografik dhe situatës së keqe prej një qeverie ushtarake e cila e kontrollon atë prej shumë vitesh. Nigeri është një nga dhjetë shtetet me GDP-në më të ulët në botë.
- Etiopia
Etiopia është gjithashtu një vend i Afrikës shumë pranë Saharasë, gjë që shkakton probleme me thatësirën, për të mos u nënvlerësuar. Kjo situatë, përveç konflikteve të shumta të armatosura që etiopianëve u është dashur të kalojnë përgjatë viteve me shtetet fqinje, e ka mbajtur pjesën më të madhe të vendit në një situatë varfërie thuajse permanente e absolute.
- Kenia
Kenia është një vend i cili për shkak të shumë konflikteve që ka kaluar, nuk ka pasur kurrë një ekonomi të fuqishme. Pavarësisht se bëhet fjalë për një nga vendet më në rritje në Afrikë për sa i përket ekonomisë, ky realitet ekziston vetëm në disa qytete, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë, më e madhja, jeton në skamje prej shfrytëzimit të të pasurve dhe korrupsionit politik.
- Nigeria
Ja dhe Nigeria! Është një nga shtetet afrikane që aktualisht gjendet në një situatë me rritje relative të ekonomisë, ajo duket sikur po “ngjallet”. Por problemi qëndron te historia politike e vendit, e cila duket sikur varet në fatin e saj nga një grusht shteti; edhe sot e kësaj dite, ndasitë mes popullsisë nuk kanë përfunduar ende. Kjo do të thotë se, pavarësisht paqes relative, nga një ditë në tjetrën, realiteti mund të ndryshojë papritur, pra për shkak të një grushti shteti që mund ta çojë vendin në regres.
- Guineja-Bissau
Guineja-Bissau është një shtet që thuajse nuk e njeh askush. Ai gjendet në afërsi të Guinesë. Është një vend i cili në të kaluarën ka pasur një ekonomi relativisht të qëndrueshme edhe për shkak të pozicionit gjeografik, me pamje nga Oqeani Atlantik. Shihej si një shembull dhe një model për zhvillimin e ekonomisë afrikane deri në vitin 1990, kur ia nisi edhe një luftë civile tejet e gjatë, që e ktheu atë në vendin më të varfër në botë.