Te ndryshme

Dhjetë shtetet më të mira ku i huaji ndihet si në shtëpi

A keni menduar ndonjëherë të emigroni apo të zgjidhni një vend tjetër veç atij të lindjes, për të punuar e jetuar? Sigurisht se nëse pyet shqiptarët do të thoshin direkt se perfekt do të ishte Gjermania, SHBA-ja, Kanadaja ose dhe Australia. Në fakt, nuk bëhet fjalë për destinacione turistike të preferuara, kjo është e qartë, pasi do të kishte shumë përputhje e madje do të shpërthenin shpalosjet plot mburrje të njohurive që do të ofronin vende tropikale plot ngjyra e ishuj ekzotikë.

Por, renditja e mëposhtme nuk ka të bëjë fare me to dhe për shumëkënd mund të duket e habitshme të gjejë në të shtete si Meksika, apo Ekuadori, të cilat në shumë aspekte përmenden apriori si shtete problematike e të pasigurta, ku askush nuk do donte të “digjte” vite të vlefshme të jetës së vet.

“InterNations”, rrjeti më i madh i atyre që duan të jetojnë e punojnë në emigracion, para pak kohëve ka pyetur plot 14 mijë “të huaj” nga shtete e nacionalitete të ndryshme të botës, si pjesë e një studimi të cilësuar “Expat Insider Study”, për të realizuar më pas një renditje sipas kritereve të paracaktuara.

Pjesëmarrësit në studim iu përgjigjën pyetjeve rreth aspekteve të ndryshme të jetesës në vendbanimin ose shtetin e tyre të ri, në lidhje me punën e tyre, familjen ose dhe situatën financiare.

Siç e thamë edhe më parë, ndryshe nga ç’mund të mendohet, pjesëmarrësit në anketën për këtë vit, kanë renditur në dhjetëshen e preferuar, vende të cilat ndoshta s’do kishit menduar kurrë se mund të ishin aty, duke pohuar se më së shumti ndihen si në shtëpinë e tyre:

  1. Ekuadori

Ekuadori është shpallur për herë të dytë në fakt, fitues i listës me një distancë të qartë, duke u perceptuar si më i preferuari për ata që dëshirojnë të braktisin vendin e tyre e të jetojnë diku gjetkë. Në këtë rast, gjinia e pjesëmarrësve në sondazh, nuk luan kurrfarë roli: vendi shumëngjyrësh në Amerikën Jugore, është i preferuar, si nga meshkujt, ashtu dhe nga femrat.

 

  1. Meksika

Me të gjitha shqetësimet për çështjen e sigurisë, Meksika ia ka dalë të kapë vendin e dytë në renditje. Më shumë se katër nga pesë të pyeturit, thanë se ishte e lehtë të mësoheshin me kulturën meksikane, dhe se më shumë se 90 për qind e tyre e pëlqejnë mënyrën e përzemërt të sjelljes së meksikanëve.

 

  1. Malta

Pjesëmarrësit në studimin e “Expat Insider”, kanë pohuar se Malta është dhe vendi më i mirë për të punuar e jetuar jashtë vendit tënd. Kënaqësia e përgjithshme në punë është disi e lartë dhe më shumë se dy të tretat e të pyeturve janë të kënaqur me shanset e tyre për të bërë karrierë, balancën mes jetesës dhe punës dhe në veçanti javën e tyre të punës.

 

  1. Singapori

Tigri i Azinë juglindore, është një vend atraktiv që ofron shumë mikpritje për të gjithë ata që janë në kërkim të një pune të mirëpaguar. Cilësia e shkëlqyer e jetës, kujdesi i mirë shëndetësor, një infrastrukturë moderne, si dhe anglishtja si gjuhë zyrtare, tërheqin shumë të huaj nga e gjithë bota.

 

  1. Luksemburgu

Dy të tretat e të huajve që punojnë atje, shprehen shumë të kënaqur me vendin e tyre të punës në Luksemburg. Edhe shanset për karrierë apo t’u ndier mirë me vendin e punës, janë pika të tjera plus për vendin e vogël me karakteristika të forta financiare.

 

  1. Zelanda e Re

Një shumicë e qartë ndër të huajt, është e kënaqur nga mundësitë e shumta të kalimit të kohës së lirë, por edhe prej kulisave mbresëlënëse natyrore, si dhe nga kultura relaksuese e “Kiwi”-t, që ndihmon për t’u ndier si në shtëpi.

 

  1. Tajlanda

Me gjithë taksat e larta studimore e universitare që aplikohen për shkollat ndërkombëtare, kostot e jetesës në Tajlandë janë ato që balancojnë panoramën. Situata financiare, banorët mikpritës dhe moti përrallor, janë edhe disa prej arsyeve, se përse 87 për qind e të huajve që jetojnë atje, e duan jetën në Tajlandë.

 

  1. Panamaja

O sa e bukur është Panamaja: kështu thonë të huajt në Panama, që pohojnë se ata qysh prej largimit nga shtëpia e ardhja në dhe të huaj, në Panama, janë tashmë shumë më të kënaqur. Në fakt, 14 për qind e të pyeturve pohojnë se, kërkimi për një jetë më të mirë, ka qenë edhe arsyeja kryesore për lëvizjen e tyre drejt atij vendi.

 

  1. Kanadaja

Katër nga pesë të huaj, e vlerësojnë mikpritjen e popullsisë kanadeze: ato ndihen të pritur mirë në Kanada. Shumë syresh vlerësojnë edhe organizimin e mirë të kohës së lirë atje dhe familjet me fëmijë mendojnë se qëndrimi i tyre në Kanada, ndikon më së miri në mirëqenien e tyre personale, e të jetesës së tyre familjare.

 

  1. Australia

Të huajt në këtë vend nuk duan vetëm motin e mrekullueshëm, panoramat e ndryshme shumëngjyrëshe që të ofron me shumicë dhe ofertën për kalimin sa më të mirë të kohës së lirë: edhe vetë natyra e veçantë e australianëve, u shkon më së miri për shtat të huajve që vendosin të jetojnë atje. Rreth 80 për qind e të huajve, thonë se australianët i përthithin shpejt ata në shoqërinë e tyre dhe ata ndihen më pas si në shtëpi.

Related Articles

Nje koment

  1. Ne shumicen e vendeve te vogla afroaziatike nga keto vende fshihen mafjozet dhe pasurite e grabitjeve, paret e tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button