Ekonomia

Dhoma Amerikane kërkon rishikim dhe ulje të tatim fitimit

fitimiDhoma i sugjeron qeverisë rishikim të normës së tatimit mbi të ardhurat personale nga paga në mënyrë që të kemi një trajtim të barabartë të të ardhurave personale, pavarësisht nëse ato janë të krijuara nga puna, aktiviteti i biznesit apo kapitali. Dhoma Amerikane i ka dorëzuar Ministrisë së Financave komentet dhe sugjerimet e saj lidhur me Paketën Fiskale 2015, bazuar në mendimin e anëtarëve të saj dhe ekspertëve më të mirë të fushës. Dhoma, në kërkesat e saj e vë theksin në uljen e informalitetit dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve. Nëse do të veprohej në këto drejtime, kjo do të mundësonte rishikimin e nivelit të tatimit të fitimit dhe të ardhurave personale në mënyrë që ato të bëhen të konkurrueshme në rajon dhe që do t’i jepte mundësi më të mëdha biznesit per rritjen e investimeve dhe për pasojë, nivelit të të ardhurave në buxhet.
Konkretisht, Dhoma ka kërkuar marrjen e masave nga qeveria dhe administrata tatimore për uljen e evazionit fiskal dhe formalizimin e ekonomisë, jo vetëm nëpërmjet fushatave informuese, por edhe nxjerrjen dhe zbatimin e masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Në këtë kuadër, sugjerohet të gjendet një mënyrë për mbledhjen e kuponave tatimorë nga konsumatorët, në mënyrë që më pas të njihen si shpenzime të zbritshme apo të ofrohen incentiva të tjerë fiskalë. Kjo do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë dhe konkurrencën e ndershme, duke vënë bizneset informale përpara përgjegjësisë.
Ulje e tatim fitimit, taksë e sheshtë në të ardhurat personale
Dhoma i kërkon qeverisë rishikim të normës së tatimit mbi të ardhurat personale nga paga në mënyrë që të kemi një trajtim të barabartë të të ardhurave personale, pavarësisht nëse ato janë të krijuara nga puna, aktiviteti i biznesit apo kapitali. Sugjerohet një zbutje e dallimeve mes këtyre llojeve të të ardhurave, në mënyrë që të ardhurat personale të tatohen në të njëjtat nivele, pavarësisht nga natyra e tyre. Për këtë qëllim, të ardhurave personale nga paga mund t’u njihen disa incentiva si shpenzime të zbritshme. Një kërkesë tjetër e Dhomës është rishikimi dhe ulja e normës së tatimit mbi fitimin. Kujtojmë se tatim fitimi u rrit në janar 2014, nga 10 në 15%.
Ulja e këtij tatimi, sipas Dhomës, do të nxiste rritjen ekonomike nëpërmjet riinvestimit të të ardhurave më të larta “në duart” e bizneseve; do të ulte shkallën e evazionit fiskal, e cila qartësisht dhe lehtësisht evidentohet në treg në shumë sektorë të ekonomisë; Do të rriste interesin për FDI-në, duke e barazuar ose sjellë në nivele të ngjashme me vendet e rajonit;
Një tjetër sugjerim i Dhomës është mosaplikimi i tatimit mbi fitimin i kompanive (rimbursimi i tatimit mbi fitimin) në rastin kur fitimet vjetore të tyre nuk shpërndahen në formë dividenti, por riinvestohen nga kompania. Kjo do të sillte rritjen e interesit nga biznesi për të riinvestuar të ardhurat vjetore, duke rritur në mënyrë të drejtpërdrejtë investimet në ekonomi, vende të reja pune, ulje të informalitetit etj. Nuk do të kishte kosto të lartë në buxhetin e shtetit në raport me benefitet në periudhën afatmesme.
Kërkohet dhe rritja e periudhës kohore për mbartjen fiskale të humbjeve nga 3 vjet që është aktualisht në 5 ose 7 vjet. Kjo gjë do të përmirësonte situatën, sidomos të atyre tatimpaguesve që kryejnë investime të konsiderueshme dhe është praktikë e njohur në botë dhe aplikuar me sukses edhe në vendet e rajonit.
Një tjetër kërkesë e Dhomës është që pagesa e detyrimit dhe e interesave të vendosur nga organet tatimore të kryhet vetëm pas dhënies së një vendimi të formës së prerë (nga drejtoria e apelimit apo gjykata), pasi në mjaft raste edhe vendosja e një garancie për ndjekjen e procedurës së apelimit rezulton e pamundur nga bizneset dhe nga ana tjetër mund të nxisë abuzimin e administratës tatimore për arkëtime detyrimesh tatimore në një afat të shkurtër. Në kushtet e funksionimit të rregullt të gjykatës administrative (me shkurtimin e kohës së nevojshme për çështjet gjyqësore administrative), është shumë më e lehtë marrja në konsideratë e kësaj kërkese.
Dhoma ka sugjerua që Drejtoria e Apelimit Tatimor të bëhet një drejtori e veçantë brenda Ministrisë së Financave, me qëllim rritjen e pavarësisë së kësaj Drejtorie. Aktualisht, vetëm Drejtori i Drejtorisë është i varur nga Ministria e Financave, ndërkohë që inspektorët emërohen dhe largohen nga detyra me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Sugjerohet të ndryshohet dispozita mbi amortizimin e aktiveve afatgjata të biznesit, duke iu përshtatur zhvillimeve të reja ekonomike dhe teknologjike. Metoda aktuale (mbi vlerën e mbetur) nuk reflekton me realitetin ekonomik, duke sjellë një shtrembërim edhe në aspektin e raportimit financiar. Sugjerimi ynë do të ishte aplikimi i metodës lineare në bazë të vlerës historike (pa marrë parasysh amortizimin kontabël) në normat e mëposhtme:
1.Për ndërtesat 5%.
2. Për linjat teknologjike dhe makineritë 10%.
3. Për pajisje informatike 33.3%.
4. Për të tjerat 20%.
Ky ndryshim do të ndikonte në cilësinë e raportimit kontabël, duke e çliruar këtë të fundit nga ndikimet që ka legjislacioni tatimor mbi të. Po ashtu, normat e propozuara janë më afër realitetit teknologjik dhe do të ndikonin në rritjen e investimeve në aktive afatgjata.
Sugjerohet që në Ligjin nr. 9975, datë 28/07/2008 “Për Taksat Kombëtare”, taksa për ambalazhet njëpërdorimshe të prodhuara me material të ricikluar nga mbetjet plastike të gjeneruara në vend, të jetë 1 (një) lekë/kg, një vlerë kjo simbolike dhe që mund të përdoret për efekt statistikor.
Dhoma ka pohuar se data 5 e deklarimit të librave të Blerjeve dhe të Shitjeve është shumë e shkurtër dhe krijon vështirësi për shoqëritë. Kjo datë kaq e afërt nuk ka pasur ndonjë efekt në uljen e evazionit në lidhje me lëshimin e faturave fiktive të shitjes. Si rrjedhim, ajo sugjeron që kjo datë të njehsohet me deklarimin e TVSH-së, pra edhe deklarimi i librave të Blerjeve dhe të Shitjeve të bëhet në të njëjtën datë me deklarimin e TVSH-së ose të bëhet pas 5 ditësh pune (jo në datën 5 të muajit), ose brenda datës 10, sepse është një kohë e pamjaftueshme në rastet kur fillimi i muajit koinçidon me fundjavën ose me festa zyrtare.
Me qëllim përmirësimin e konkurueshmërisë së industrisë vendase si dhe rritjen e atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte, sugjerohet anullimi i akcizës dhe taksës së karbonit mbi lëndët djegëse, në linjë me direktivat e BE-së (Direktiva e BE-së 2003/96/KE e datës 27 tetor 2003), e cila ristrukturon kuadrin ligjor të Komunitetit për taksimin e produkteve të energjisë dhe energjinë elektrike), në rastin kur ato nuk përdoren si lëndë djegëse për mjete motorike apo për ngrohje.
Nga ana tjetër, duke konsideruar kontributin e rëndësishëm të këtyre taksave në buxhetin publik, zgjidhje të tjera alternative mund të gjenden për të rivendosur konkurencën e drejtë pa impakt në financat e shtetit si psh. rritja e TVSH-së së aplikueshme për produktet e çimentos dhe/ose aplikimi i një takse tjetër ekuivalente në shitjen e produktit final (çimento), ose anullimi i akcizës ekuivalente dhe taksës së karbonit për sasitë e eksportuara nga prodhuesit vendas dhe aplikimi në import i një detyrimi doganor prej 2.5 – 3 euro/ton.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button