Dialog i VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në Parlamentin Europian
Përfaqësues të VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së sot në Parlamentin Evropian me ndërmjetësim të tre eurodeputetëve dhe nën syrin e përfaqësuesve të Komisionit Evropian do të kenë dialog për zgjidhjen e krizës politike të Republikës së Maqedonisë.
Eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit, në ndërtesën e Europarlamentit në Bruksel janë nikoqirë të Nikolla Popovskit, Nikolla Todorovit dhe Ilija Dimovskit (VMRO-DPMNE), respektivisht të Radmilla Shekerinskës, Renata Trenevska-Deskoskës dhe Viktor Gaberit (LSDM).
Treshen e eurodeputetëve, e përbërjnë Vajgël, i cili është raportues për Maqedoninë në Europarlament, por edhe përfaqësues i Aleancës së liberal-demokratëve evropianë (ALDE), Kukan nga Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe Hovit nga Socialistët dhe demokratët evropianë (SiD). Ata të premten theksuan se ky dialog do të zhvillohet pas dyerve të mbyllura.
Sipas asaj që u paralajmërua edhe në seminarin e javës së kaluar për kulturë politike në Parlamentin Evropian, në të cilin ishte e pranishme Shekerinska dhe dy deputetë të tjerë nga radhët e LSDM-së, si dhe Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, eurodeputetët nuk pritet të ofrojnë zgjidhje, por ajo pritet nga Shekerinska dhe Poposki dhe nga ekipet e tyre, ndërsa Vajgël, Kukan dhe Hovit do të tentojnë ta lehtësojnë dialogun dhe t’i gjejnë pikat e përbashkëta për marrëveshje të mundshme. Pritjet nga Brukseli janë kthimi i LSDM-së në Kuvendin e Maqedonisë dhe dhënia fund e krizës politike që e distancon Maqedoninë nga eurointegrimet, përmes zgjidhjes institucionale dhe politike të rastit “Puç” dhe përmes formimit të Komisionit kuvendor anketues.
Siç publikoi paraprakisht MIA, përveç treshes së eurodeputetëve dhe përfaqësuesve të dy partive më të mëdha politike në Maqedoni, si vëzhgues të dialogut të sotëm në Bruksel pritet të marrin pjesë edhe nga një përfaqësues të Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim dhe politikë fqinjësore dhe të kabinetit të komisarit për negociata për zgjerim, Johanes Han. Ai pritet të jetë Dejvid Kulen, i cili është përgjegjës për dosjen “Maqedoni” në Drejtorinë e përgjithshme për zgjerim dhe Katarina Grau nga kabineti i Han, e cila gjithashtu është përgjegjëse për vendin tonë.
Nga kabineti i eurokomisarit Han, të premten për MIA-n theksuan se askush nga Komisioni Evropian nuk do të ketë rol të lehtë në dialogun e ditës së hënë në Bruksel dhe theksuan se as para e as pas fillimit të takimit nuk do të dëshirojnë të japin kurrfarë komente. Shpresat e tyre janë se dialogu do të ketë sukses.
Dialogu i sotëm VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së pritet të zgjasë disa orë, për çka është ndarë edhe koha prej pesë deri në shtatë orë në Parlamentin Evropian (nga ora 11:00 deri në maksimum 18:00). Nëse ai nuk ka sukses, paralajmërohet mbajtje e një takimi të ri, i cili do të ndodhë pas festave të Pashkëve, në gjysmën e dytë të muajit të ardhshëm, me vendin e mbajtjes në Shkup ose sërish në Bruksel.