“Dimri i vetmisë së madhe” Zgjon debatet mbi disidencën
Shtëpia botuese “Saras” promovoi dje në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, librin studimor të prof. Met Dervishit, “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’”, në një auditor studentësh dhe profesorësh të letërsisë
Studentë dhe profesorë, në një debat mbi disidencën letrare në Shqipërinë e paraviteve ’90
Prononcimi i Enver Hoxhës për një vepër letrare para punonjësve të Kombinatit Metalurgjik përbën një rast unik në historinë e marrëdhënies së diktatorit me artin. Gjithsesi, edhe pas qëndrimit të Enver Hoxhës, pajtimi i romanit me kodin socrealist nuk u realizua, përkundrazi, në vitet që pasuan, romani u shoqërua me një heshtje të plotë. Romani do të pajtohej me kodin vetëm pas ripunimit të tij dhe pas ribotimit me titullin “Dimri i madh”, në vitin 1977
Përveç mekanizmit shtetëror e partiak, në këtë fushatë, si me asnjë vepër tjetër të asaj periudhe, u orkestruan dhe diskutime në organizata partie, kolektiva punëtorësh e fshatarësh, mendimet e të cilëve shpesh publikoheshin dhe në shtypin e kohës. Fushata pastaj u përhap te shkollat, njësitë ushtarake, veteranët, organizatat e shoqatat e ndryshme duke u shndërruar dora-dorës në një diskutim popullor.
“Ky reagim i ashpër i kodit të kohës kundër romanit, megjithatë kishte karakter paradoksal. Shndërrimi i kritikës ndaj veprës në nivelet e një diskutimi popullor, çka nuk ishte regjistruar ndonjëherë në periudhën komuniste, nga njëra anë rrezikonte ekzistencën e saj, kurse, nga ana tjetër, ndikonte në popullaritetin e saj, duke e shndërruar në veprën më të diskutuar gjatë gjithë periudhës komuniste në Shqipëri. Këtij paradoksi i dha fund diktatori Enver Hoxha në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Në atë takim ai shprehu mendimet e tij për romanin dhe për Kadarenë”, u shpreh Dervishi. Prononcimi i Enver Hoxhës për një vepër letrare para punonjësve të Kombinatit Metalurgjik përbën një rast unik në historinë e marrëdhënies së diktatorit me artin. Gjithsesi, edhe pas qëndrimit të Enver Hoxhës, pajtimi i romanit me kodin socrealist nuk u realizua, përkundrazi, në vitet që pasuan, romani u shoqërua me një heshtje të plotë. Romani do të pajtohej me kodin vetëm pas ripunimit të tij dhe pas ribotimit me titullin “Dimri i madh”, në vitin 1977.
“Përmes këtij studimi, unë hulumtoj në ç’masë ky roman, në kohën e botimit të tij, e mbajti, zhgënjeu, kapërceu apo mohoi pritshmërinë publike të kodit, me të cilin u përball, si dhe hulumtoi nëse ka pasur distancë ndërmjet horizontit të pritjes, dhe, nëse po, ç’karakter ka pasur ai. Në këtë mënyrë, nga pikëpamja e teorisë së receptimit, një hulumtim i tillë do të ndikonte për të kuptuar ‘karakterin artistik të një vepre letrare’”, tha Dervishi, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve në kemi të bëjmë me një vepër socrealiste që ndikoi në ngritjen e kultit të Enver Hoxhës apo me disidencë estetike? “Dimri i vetmisë së madhe” mund të quhet një roman sfidë për kohën dhe unik për vetë tematikën që mbart. Kadareja me këtë roman ndeshet drejtpërdrejt me diktatorin, duke e bërë personazh në një vepër letrare dhe duke iu referuar analizave të studentëve, ai e ka mundur atë përmes disidencës estetike.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.