Bota

Dita e 193-të, Trump “rifillon” presidencën e tij

Pas 193 ditëve në detyrë, Donald Trump po shtyp butonin e nisjes nga e para. Java e kaluar përshkruhet nga CNN si më e keqja e të gjithë presidencës së tij. Betejat e brendshme të stafit shpërthyen në publik; përpjekja e Senatit për të rrëzuar “Obamacare” dështoi; Trump vet u hodh në sulm kundër prokurorit të Përgjithshëm; e në fund hoqi qafe edhe shefin e kabinetit.

Vendimi për largimin e Reince Priebus dhe zëvendësimin e tij me shefin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, John Kelly, një person i vlerësuar nga të dy kampet, u trumpetua nga aleatët e presidentit si lëvizja e shumënevojitur për t’i shkundur gjërat në një Shtëpi të Bardhë që ka humbur drejtimin.

Kelly, – kujton CNN, – është një drejtues tejet i disiplinuar dhe i organizuar, e kabinetit i nevojitet një njeri i tillë. Ai është gjithashtu një ushtarak i lartë me gjoksin e mbushur me dekorata dhe një person, të cilin Trump e sheh si të barabartë.

Kelly, me pak fjalë është njeriu që i duhej Trumpit. E gjithë kjo ideja e shkartisjes është e mirë për gjigantin televiziv amerikan. Problemi i vetëm, sipas tij është se Donald Trump vazhdon të jetë presidenti i vendit.

Priebus nuk ishte shumë efikas në menaxhimin e hallakatjes së kreut të shtetit, që brenda ditës kërcente nga një çështje te tjetra, bombardonte “Twitter”-in me mesazhe që kundërshtonin drejtpërdrejtë linjën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, e ushqente konkurrencën mes anëtarëve të stafit si të ishte një lloj sporti.

Por njeriu që menaxhoi fushatën e paraprakeve të miliarderit njujorkez në vitin 2016, Corey Lewandowski thotë se gjenerali Kelly nuk duhet të përpiqet ta ndryshojë manjatin. “Unë mendoj se ai duhet ta lërë që Trump të jetë vetvetja”, tha Lewandowski për CNN. “Kjo e ka bërë të suksesshëm për 30 vite dhe kjo është gjëja për të cilën e votuan zgjedhësit amerikan. Kush mendon se mund ta ndryshojë, nuk e njeh aspak Donald Trumpin”, shton ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button