Bota

Dita e Donald Trump

Mijëra pritet të jenë të pranishëm në Capitol Hill dhe miliona të tjerë pritet ta ndjekin nga ekrani. Kjo është dita e Donald Trump, kur miliarderi realizon një ambicie të hershme të tij.

Por çfarë është “Inaugurimi Presidencial”? Bëhet fjalë për një traditë të hershme amerikane, që simbolizon tranzicionin paqësor të pushtetit dhe që shoqërohet me aktivitete të ndryshme para, gjatë dhe pas betimit.

Betimi ndodh para kreut të Gjykatës Supreme të SHBA çdo katër vjet. Aktualisht ky pozicion mbahet nga John G. Roberts, Jr. Pikërisht përpara tij do të betohet Donald Trump si pasues i Barack Obamas dhe Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Koha e betimit, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën amerikane, është mesdita e 20 janarit. Por jo gjithmonë ka qenë kështu. Që nga shpallja e pavarësisë e deri në vitin 1933, Presidenti i zgjedhur amerikan inaugurohej më 4 mars. Në 1933 amendamenti 20 i Kushtetutës amerikane u ndryshua dhe koha e tranzicionit të pushtetit, nga vjeshta kur zhvillohen zgjedhjet e deri në inaugurim u zvogëlua.

Ceremonitë dhe aktivitetet e inaugurimit kanë nisur që të enjten, kulmojnë të premten me betimin e Trump dhe vijojnë edhe të shtunën me disa aktivitet.

Çfarë ndodh sot?

Donald Trump e nis ditën me pjesëmarrjen në meshën e organizuar “St John’s Episcopal Church”, pranë shtëpisë së Bardhë. Pas kësaj, i shoqëruar nga Melania do të pijnë kafen e mëngjesit me Presidentin Barack Obama dhe Zonjën e Parë, Michelle Obama. Menjëherë më pas, çiftet presidenciale do të udhëtojnë drejt Capitol.

Në 09:30 me orën lokale, nis ceremonia e inaugurimit me disa performanca muzikore.

Në 11:30 betohet zv.Presidenti Mike Pence.

Në mesditë, (ora 18:00 me orën tonë), Donald Trump betohet para John G. Roberts, kryetar i Gjykatës Supreme amerikane. Pas betimit, Presidenti do t’u adresohet amerikanëve me fjalimin e rastit.

Nga ora 15:00 deri në orën 17:00, Trump dhe Pence do të parakalojnë në “Pensylvania Avenue”, ku me gjasa do të priten nga mbështetës dhe protestues.

Ceremonia zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Autoritetet amerikane thonë se parashikojnë rreth 800 mijë persona pjesëmarrës në këtë ceremoni, rreth 1 milion më pak sesa pjesëmarrja në inaugurimin e Barack Obamas tetë vjet më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button