Dogana: 101 çertifikata për studentë praktikantë
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u zhvillua sot “Ceremonia e Mbylljes së Stazhit Profesional” për studentët të cilët kryen praktikën pranë Administratës dhe Degëve Doganore gjatë 2 muajve të verës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Financave Z. Shkëlqim Cani dhe Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Zj. Elisa Spiropali.
Ky stazh profesional është zhvilluar këtë vit për herë të parë në historinë e Administratës Doganore, me iniciativë të Doganës, dhe do të zhvillohet edhe në vitet në vazhdim si pjesë e një vizioni të ri për të pranuar në administratë si praktikantë, studentë dhe të sapodiplomuar. Qëllimi i këtij internshipi ishte i shumëanshëm. Së pari, mundësia që disa studentë të sapodiplomuar shqiptarë të përballen me një eksperiencë pune në administratën shtetërore, të njohin nga afër proceset e punës, mënyrën e organizimit të administratës doganore. Së dyti, për vetë administratën doganore është një mundësi për të evidentuar studentët që tregojnë përkushtim dhe aftësi të veçanta gjatë ushtrimit të detyrave të dhëna, duke i konsideruar si potencial për të qenë pjesë e administratës në të ardhmen. Gjithashtu, kjo është një mënyrë e re e administratës shtetërore për të rritur transparencën ndaj publikut duke e afruar atë me qytetarët.
Në total ka patur 163 aplikime nga studentë të sapodiplomuar ku pas një procesi seleksionimi u përzgjodhën 101, prej të cilëve 60 u vendsosën pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe 41 pranë degëve doganore të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Këta studentë u bënë pjesë e pothuajse të gjitha drejtorive të Doganës, që nga Drejtoria e Tarifës dhe Origjinës, Analizës së Riskut dhe Monitorimit, Procedurave dhe Garancive, Metodikave dhe Kontrollit, Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Kontrolleve Pas-zhdoganimit, Teknologjisë së Informacionit, Pronësisë Intelektuale, Antikontrabandës, Antitrafik, Juridike dhe Drejtorisë së Financës.
Ministri i Financave, Z. Shkëlqim Cani shprehu bindjen se në dogana është bërë një punë e madhe, megjithatë ka ende për të bërë. Gjatë ceremonisë për çertifikimin e studentëve që kryen stazhin profesional në Doganë, Ministri tha se ka ende hapësira për t’a përmirësuar imazhin. “Imazhi ndryshohet, por jo mbi bazën e fjalëve, por imazhi ndryshohet me fakte, shifra e realitete. Është bërë shumë, por ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Ne duhet të zbatojmë ligjin, në dogana, në tatime apo kudo. Ju duhet të lini gjurmë në dogana, jepeni mendimin tuaj hapur. Kjo është mënyrë që ne të reflektojmë. Jeni të mirëpritur për të konkurruar për t’u punësuar, duke zbatuar ligjin”, tha Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani. Ai u shpreh i kënaqur që një institucion i varësisë së Ministrisë së Financave si Doganat kishte zhvilluar këtë stazh profesional duke pranuar në administratë për një periudhë 2-mujore 101 studentë dhe të sapodiplomuar.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave zj. Elisa Spiropali e vuri theksin tek transformimi i administratës. “Ju jemi mirënjohës sepse përgjatë 2 muajve si pjesë e administratës së Doganës në të gjithë Shqipërinë, këta studentë i sollën një fytyrë të re gjithë institucionit duke e bërë atë më të hapur, më energjik dhe cilësor në shërbimin ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Administrata doganore ka shumë prioritete: përmirësimin e vazhdueshëm teknologjik dhe legjislativ, luftën kundër korrupsionit, sofistikimin e sistemit të hetimit, investigimit dhe antikontrabandës, rritjen e të ardhurave, lehtësimin e tregtisë. Por mbi të gjitha ka një prioritet, quajeni po të doni një kryeprioritet, pa të cilin asnjë nga ato që unë përmenda nuk është e mundur: transformimin e administratës në një administratë mirëfilli evropiane, në shërbim të biznesit dhe qytetarëve”, deklaroi Zj. Spiropali. Më tej Drejtorja e Doganave shtoi: “Ky internship, ky stazh profesional, është kaq i rëndësishëm për ne si një fidanishte për të afruar të rinj si ju, të shkolluar, inteligjentë, të aftë të punojnë në administratën doganore. Ju ftojmë të gjithëve të mos i shkëpusni kontaktet por të merrni pjesë nëpër trajnimet dhe konkurset tona për t’u bërë pjesë ë Administratës Doganore në të ardhmen.”
Gjithashtu në këtë ceremoni folën edhe disa nga stazhierët të cilët ishin pjesë e administratës si praktikantë, duke treguar eksperiencën e grumbulluar përgjatë dy muajve si pjesë e stafit të Doganës. Në përfundim të këtij aktiviteti Ministri i Financave dhe Drejtorja e Përgjithshme e Doganave kanë shpërndarë certifikatat për studentët që përfunduan stazhin profesional pranë Administratës Doganore Shqiptare.