Europa

Donald Tusk: Evropian pragmatik

Donald Tusk është evropian me bindje. Politika e tij e balancuar mund të rezultojë me sukses edhe në Bashkimin Evropian. Posti i presidetit të Këshillit të BE i hap mundësi të ndryshme.

tusk

“Ai është një evropian i pasionur, me bindje dhe i bindshëm”, komentoi Angela Merkel zgjedhjen e Donald Tusk për president të Këshillit të Bashkimit Evropian. Pikërisht këto fjalë kishte zgjedhur kancelarja edhe në vitin 2010 në ceremoninë e nderimit të kryeministrit polak me Çmimin e Karlit të Madh në Ahen – një çmim me të cilin nderohen vetëm personalitetet e mëdha evrpopiane. Me politikën e tij miqësore ndaj Evropës dhe Gjermanisë Tusk i ka mundur konservatorët nacionalistë të vëllezërve Kaczynski në vitin 2007.

Donald Tusk me orientimin e tij për dialog ishte në një kundërshtim të plotë me paraardhësin e tij shpesh të pakompromis Jaroslav Kaczynski. Përderisa fjalimet e Kaczynskit shpesh lënin pa fjalë si Berlinin ashtu edhe Moskën, Tusk i ka përmirësuar shpejt raportet gjermano-polake dhe ka ndërtuar raporte të mira dhe konstruktive madje edhe me Vlladimir Putinin. Në kujtim do të mbetet përqafimi mes Donald Tusk dhe presidentit Putin në vendin e fatkeqësisë së avionit presidencial në Smolensk. Por Tusk ka dhe aftësinë që të flasë edhe për gjërat e pakëndshme, me një gjuhë më diplomatike por shumë qartë, si në rastin e vizitës së Putinin në Poloni, me rastin e 70 vjetorit të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Historiani i diplomuar ia rikujtoi mysafirit se Poloninë e kishte okupuar jo vetëm Gjermania e Hitlerit por edhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit.

Marrja e vendimit

Zgjedhja e Tuskut për president të Këshillit të BE është një befasi për shumëkë. “Këtë vendim e kam marrë sot”, shpjegoi Tusk pas zgjedhjes së tij. Dhe vërtetë Tusk i cili në vitin 2012 përmendej si pasardhës i mundshëm i presidentit të Komisionit Barroso, deri para pak kohësh thoshte se do të përqendrohet tek politika e brendshme në Poloni. Vendimi ndryshe mund të shpjegohet me disa elemente: Pas fitores së dytë në zgjedhje në vitin 2011, sondazhet tregonin një epërsi të partisë së kundërshtarit të tij Jaroslav Kaczynski. Ndaj ftesa nga Brukseli ishte për Tuskun një lloj ikje përpara.

Tusk dhe e ngarkuara për Politikën e Jashtme të BE Mogherini

Tusk dhe e ngarkuara për Politikën e Jashtme të BE Mogherini

Përveç kësaj, konflikti ruso-ukrainas është cilësuar qartë nga ministri i Jashtëm i Polonisë, Sikorski si një “luftë”. Zgjedhja në postin e ri i jep polakut Tusk më shumë mundësi për influencë në Bashkimin Evropian se sa në kohën kur ishte me post në Poloni. Dobësia e kryeministrit polak, që ai më mirë i flet gjermanishten dhe rusishten se sa anglishten, në këtë rast mund të jetë madje edhe përparësi. Tusku i lindur në vitin 1957 në Dancig dhe i cili si i ri është angazhuar në lëvizjen sindikaliste “Solidarnoshç”, ku ka luftuar për të drejtat e njeriut dhe çlirimin nga komunizmi, e kupton më mirë mentalitetin post-sovjetik të udhëheqësisë së tanishme, se e ngarkuara me Politikë të Jashtme e BE Federica Mogherini dhe kolegët e tjerë perëndimorë.

Deputeti i CDU-së Karl-Georg Wellmann është i bindur se ky ishte një prej shkaqeve vendimtare, pse Tuskut iu besua ky post në BE. “Ky është një vendim i shkëlqyeshëm”, thotë ai në bisedë me Deutsche Wellen. Tusk konsiderohet në Berlin si një politikan i arsyeshëm dhe si një politikan i qetë, që përshtatet edhe me stilin politik të kancelares Angela Merkel. Me mbështetjen e saj, Tusk do të ketë një shans që prej dhjetorit të ketë më shumë peshë në postin e ri, se sa paraardhësi i tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button