Kronika

Dorëhiqen dy gjyqtarë, e treta i jep lirinë Ben Qimes

Prokuroria e Përgjithshme e cilëson si akt të paprecedentë vendimin e gjyqtares Igerta Hysi

Arben Isufaj, Ben Qimja

Arben Isufaj, (Ben Qimja)

Ndryshe nga gjykatat e kryeqytetit, ajo e Fierit ka ndjekur shembullin e Gjykatës së Torinos për çështjen në ngarkim të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja, i cili kërkohej nga drejtësia italiane si i dyshuar për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike, duke i dhënë lirinë. Vendimi i datës 15 korrik 2014 i Gjykatës së Fierit, kur nuk është pranuar kërkesa e organit të akuzës së këtij rrethi për zgjatjen e afateve të masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Isufajt, ka sjellë një reagim të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila e ka cilësuar si të paprecedentë këtë rast. Prokuroria e Përgjithshme ka detajuar gjithë kalvarin e këtij procesi ekstradimi që po shfaq shenjat e para të dështimit, pasi pritet që mëngjesin e sotëm, 45-vjeçari Isufaj i njohur edhe si “Ben Qimja”  të fitojë lirinë. Por, edhe në Gjykatën e Fierit nuk ka qenë e lehtë që Ben Qimja të fitojë lirinë, pasi gjyqtarja e parë që i ka rënë shorti të shqyrtojë çështjen e ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin. Ndërkohë, të nesërmen ajo ka dhënë dorëheqjen, duke u pasuar edhe me dorëheqjen e një kolegu tjetër. Është dashur hedhja e shortit të tretë që të caktohet gjyqtarja, e cila sot, pas mospranimit dy ditë më parë të kërkesës së prokurorisë për zgjatjen e afateve, ka vendosur lirimin nga qelia të Isufajt.

Refuzimi

Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 15.07.2014, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Fierit për zgjatjen e afatit të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Arben Isufajt(i njohur si Ben Qimja), ndaj të cilit po shqyrtohet kërkesa e autoriteteve italiane për ekstradim, pasi është akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike”. “Për prokurorinë ky vendim i Gjykatës së Fierit është i paprecedentë dhe, në seancën e sotme (dje) ku po shqyrtohet kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë për Arben Isufajn, organi i akuzës ka kërkuar përjashtimin e kryesueses së seancës, me arsyetimin se gjatë ushtrimit të funksioneve të saj gjyqtarja është shprehur në lidhje me faktin objekt gjykimi”, thuhet në njoftim.

Por, ndonëse u kërkua përjashtimi i kryesueses së trupës gjykuese, gjyqtari që e shqyrtoi këtë kërkesë, e vlerësoi si të pabazuar në ligj, duke vendosur rrëzimin e saj. Pas këtij refuzimi të dytë që Gjykata e Fierit i bëri prokurorisë së këtij rrethi, u vendos që seanca për shqyrtimin e kërkesës së mbrojtjes për shuarjen e masës të zhvillohej rreth orës 14:15 të ditës së djeshme. Por edhe kjo seancë nuk arriti të përfundojë dje për shkak se nuk ka mjaftuar koha që gjykata të argumentojë vendimin e saj rreth kërkesës së mbrojtjes, e cila u pranua një ditë pasi u rrëzua kërkesa e prokurorisë. Për shkak se sistemi audio që mundëson regjistrimin e gjithë seancave gjyqësore nuk funksionon pas orës 16:00, është vendosur shtyrja e seancës për ditën e sotme në orën 09:15.

Dorëheqjet

Sipas organit qendror të akuzës, Gjykata e Lartë, Kolegji Penal, me vendimin nr. 163, të datës 2 korrik 2014 ka vendosur prishjen e vendimit nr. 438, të 30 prillit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës së Fierit. Aty sqarohet fakti se në arsyetimin e vendimit të mësipërm Gjykata e Lartë nuk e ka cenuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e cila ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj Arben Isufajt, duke argumentuar se masës së sigurimit të vendosur nga një gjykatë jo kompetente nuk i humbet efekti. Për këtë arsye, Prokuroria e Fierit i ka paraqitur gjykatës së këtij rrethi kërkesën për vazhdimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj Arben Isufajt. Ndërkohë, mbrojtësi pretendoi se kishin përfunduar të gjitha afatet e paraburgimit. Por akuza pretendoi se këto afate nuk kishin përfunduar, për shkak se gjatë gjykimit të çështjes ishin pezulluar afatet e paraburgimit dhe se nga procesverbalet e seancave të marra nga fashikulli i gjykimit të zhvilluar në Tiranë, këto afate ishin pezulluar për 36 ditë.

Pasi ka dëgjuar pretendimet e të dyja palëve, gjyqtarja Marsela Dervishi pranë Gjykatës së Fierit, ka vendosur më datë 10 korrik që të vazhdojë masa e sigurimit personal “arrest ne burg” ndaj Arben Isufajt. Kjo, me arsyetimin se ishin pezulluar afatet e paraburgimit për një afat prej 36 ditësh. Në këtë seancë, pala mbrojtëse ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares për njëanshmëri në gjykim. Ndërkohë, një ditë më pas, më datë 11 korrik 2014, katër ditë para përfundimit të afatit tremujor të paraburgimit, duke përllogaritur edhe pezullimin e tyre, në gjykatë është paraqitur kërkesa për “zgjatjen e afatit të paraburgimit”. Por gjyqtarja e sipërcituar është dorëhequr duke bërë që ky proces të mbetet pezull për disa ditë. Edhe gjyqtari tjetër të cilit i ka rënë shorti ka dhënë dorëheqjen për arsye shëndetësore. Ndërsa gjyqtarja e tretë, Igerta Hysi, ka vendosur më datë 15 korrik, të martën e kësaj jave, që të rrëzojë kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e afateve të paraburgimit. Ndërkohë, dje ishte caktuar data për zhvillimin e seancës gjyqësore me kërkues Arben Isufajn, për “shuarjen e masës së sigurimit” të vendosur ndaj tij.

Menjëherë nga ana e prokurorisë është paraqitur kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Hysi, me arsyetimin se “gjatë ushtrimit të funksioneve të saj është shprehur në lidhje me faktin objekt gjykimi dhe seanca është shtyrë për në orën 14.15, deri në shqyrtimin e kërkesës për përjashtim”, thuhet në njoftim. Por, gjyqtari i cili është caktuar për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për përjashtim e ka rrëzuar atë duke i dhënë mundësinë gjyqtares Igerta Hysi që të vazhdojë procesin. Sot pritet që Ben Qimja të lërë qelinë ku ndodhet prej rreth tre muajsh, ndërsa në gjykatë vijon shqyrtimi në themel i kërkesës për ekstradimin e tij nga autoritetet e drejtësisë italiane, ku akuzohet për përfshirje në “trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”. Red. Akt.

Gjykata e Torinos 

 

Si u rrëzuan disa akuza për Isufajn

Arben Isufaj (Ben Qimja) është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për shkak se Gjykata e Torinos Itali, me vendimin e datës 22.06.2010 ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, si dhe është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Por, pak kohë pas arrestimit të Ben Qimes nga Policia e Tiranës Gjykata e Torinos e shpalli të pafajshëm Isufajn për akuzat më të rënda që rëndonin ndaj tij. Kështu, Gjykata e Torinos e shpalli të pandehurin Isufaj të pafajshëm për akuzën e krijimit të organizatës kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike duke i lënë vetëm akuzën e shpërndarjes së drogës. Akuza e parë parashikonte dënimin e Isufajt me rreth 30 vjet burgim, ndërsa ajo e shpërndarjes së lëndëve narkotike parashikon një dënim maksimal prej 6 vjetësh heqje lirie. Por ndërkohë që Gjykata e Torinos ka ndryshuar akuzat ndaj Isufajt, kjo gjë cenon edhe procesin gjyqësor për ekstradimin e tij. Kjo, pasi tashmë ekstradimi i tij duhet të kërkohet bazuar në një tjetër nen të kodit penal italian.

Gjykata e Lartë

Kolegji Penal shpalli moskompetencën e Tiranës 

Gjykata e Lartë, me kërkesë të palës mbrojtëse, shpalli moskompetente gjykatat e Tiranës për shqyrtimin e kërkesës për ekstradimin e Arben Isufajt, më datë 9 korrik, Gjykata e Apelit Tiranë ku kërkesa për ekstradim po shqyrtohej në themel shpalli moskompetencën. Në këto kushte, shqyrtimi i çështjes së masës së sigurisë i kaloi për shqyrtim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Ashtu si edhe në të dy shkallët e gjyqësorit në Tiranë, më datë 10 korrik, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e vlerësoi të drejtë masën e “arrestit me burg”. Por, në momentin që Gjykata e Fierit vlerësoi të ligjshme masën e sigurisë “arrest me burg”, afatet e paraburgimit prej 90 ditësh po shkonin drejt limiteve të tyre, pasi kishin mbetur edhe 11 ditë për shkak të “pingpongut” ndërmjet gjykatave të Tiranës, Gjykatës së Lartë dhe më pas në atë të Fierit, thuhet në njoftimin e organit qendror të akuzës. Por, aty shtohet fakti se pavarësisht vonesave, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, organi i akuzës ka në dispozicion edhe një zgjatje të afatit të paraburgimit me një muaj në përfundim të afatit 90-ditor. “Në asnjë rast, gjykata nuk ka refuzuar zgjatjen e këtij afati, për shkak edhe të parimeve që ka parashikuar ligjvënësi. Por, në Gjykatën e Fierit ky refuzim po aplikohet për herë të parë”, thuhet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button