Dr. Zanev: Poligrafi, testi më profesional për të zbuluar të vërtetën
Dr. Svetoslav Mladenov Zanev është një ekspert poligraf nga Bullgaria, i njohur tashmë në mbarë botën për rezultatet e tij. Në bisedë me gazetën “Shqip”, ai rrëfen eksperiencat, funksionin dhe vendet ku aplikohet “testi i së vërtetës” dhe pohon se tashmë edhe Shqipëria e ka një ekspert poligraf të vetin
Dr. Svetoslav Mladenov Zanev është një ekspert poligraf nga Bullgaria, i njohur tashmë në mbarë botën për rezultatet e tij. Në bisedë me gazetën “Shqip”, ai rrëfen qëllimin e vizitës që zhvilloi kohët e fundit në Shqipëri, si dhe funksionin, vendet ku aplikohet dhe eksperiencën botërore e atë personale me “makinën e së vërtetës”. Rendit disa vende të njohura për shkallë të lartë e profesionalizëm në shërbimet inteligjente sot në botë, si SHBA, Rusia apo Izraeli, të cilat mbështeten në rezultatet e sjella nga punën me poligrafin ose siç njihet ndryshe edhe si “makina e së vërtetës”, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri që gjen vend në shumë sektorë të hetimit penal e më gjerë.
Dr. Zanev, mund të na tregoni diçka për veten dhe gjithashtu synimin e vizitës suaj në vendin tonë?
Aktualisht jam drejtor i shoqatës më prestigjioze në botë të ekspertëve poligrafë në Bullgari, e cila quhet International Society of Polygraph Examiners. Në këtë shoqatë bëjnë pjesë ekspertë poligrafë nga e gjithë bota, të cilët praktikojnë poligrafin ose “makinën e së vërtetës”. Në Shqipëri erdha pasi pata marrë një ftesë për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore që u organizua më datë 25 prill nga Akademia Profesionale e Biznesit në Tiranë, i ftuar nga miku im, ish-dekani i Fakultetit të Drejtësisë, dr. Bledar Ilia.
Për ta bërë më të thjeshtë për lexuesit, çfarë është më konkretisht poligrafi?
Poligrafi është një instrument, i cili përdoret për të zbuluar të vërtetën, bazuar në pyetje, duke e cilësuar atë ndryshe pra edhe si “makina e së vërtetës”
A përdoret dhe në cilat raste përdoret poligrafi në Bullgari?
Sigurisht që po. Poligrafi përdoret në sektorin shtetëror dhe në sektorin privat. Ai gjen përdorim në organet kompetente shtetërore në zbulimin e krimeve të ndryshme, gjatë hetimit penal, në testime të ndryshme për të zbuluar korrupsionin e të gjitha niveleve etj. Në sektorin privat është përdorur për të zbuluar vjedhje të përmasave të ndryshme, sikurse edhe në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me shitjen e informacioneve, e cila shkatërron konkurrencën e lirë.
Po në vende të tjera të botës, ku gjen përdorim makina e së vërtetës?
Natyrisht se vendi ku poligrafi gjen përdorimin më të gjerë sot në botë është SHBA-ja. Poligrafi u përdor në vitet 1933 nga FBI-ja në luftën kundër mafies dhe në hetimet penale, sikurse edhe për zbulimin e spiunazhit. Në vitin 1949 u lejua të pranohej për përdorim edhe nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA. Vende të tjera, të cilat e përdorin poligrafin janë: Izraeli, Rusia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut, disa vende të Europës Lindore dhe Amerikës Jugore.
A i nevojitet Shqipërisë poligrafi dhe a ka Shqipëria ndonjë eksperiencë për të dëshmuar në këtë aspekt?
Unë mendoj se megjithatë, poligrafi është i nevojshëm për secilin vend të botës, pasi e vërteta duhet të zbulohet me çdo çmim. Në disa situata është e pamundur që të kuptosh se cila është e vërteta dhe cila gënjeshtra, nëse nuk ke ndihmën e poligrafit. Të tilla janë situata që hasen gjatë hetimit penal, sikurse edhe në zbulimin e korrupsionit. Në qoftë se këto vepra penale ekzistojnë në Shqipëri, atëherë duhet përdorur poligrafi. Shqipëria deri më tani nuk ka pasur fatkeqësisht asgjë për të na rrëfyer e dëshmuar në këtë aspekt. Para dy vitesh, edhe një shqiptar u trajnua për të përdorur poligrafin në bazë të standardeve të American Polygraph Association (Shoqata Amerikane e Poligrafit), e cila është shoqata lider sot në botë dhe garanton standardet më të larta të përdorimit të tij.
Dr. Zanev, kemi parë shumë filma ku poligrafi shfaqet prezent në zyrat apo ambientet hetimore, por kemi dëgjuar edhe histori, sipas të cilave, roli i tij ka qenë shumë i diskutueshëm dhe ka sjellë çorientim të rezultateve përfundimtare hetimore. Sa i vlefshëm është pra në këtë rast rezultati i testit të së vërtetës?
Testi poligraf është më shumë se 90% korrekt dhe i saktë, dhe në disa situata është 100% i saktë.
Dr. Zanev, ju vijoni të trajnoni ekspertë të tjerë në Bullgari dhe në vende të tjera?
Trajnoj në Bullgari, por edhe në vende të tjera. Trajnimet e mia të fundit kanë qenë në Rusi dhe gjithashtu edhe në Kazakistan.
A mund të na jepni një shembull konkret dhe emblematik të zbulimit të së vërtetës me anë të poligrafit?
Po ju jap një rast shumë interesant me atë që i ndodhte rregullisht një banke në Bullgari. Një nga rojat që siguronte transportimin e vlerave monetare, vidhte sistematikisht bankën, duke përdorur një shufër elastike mjaft të hollë dhe me ndihmën e së cilës ai nxirrte bankënotat nga zarfi, i cili ishte i mbyllur mjaft mirë dhe nuk e dëmtonte atë. Vetëm pasi ky rojë iu nënshtrua testit të poligrafit, rezultoi se ishte pikërisht ai personi që vidhte bankënotat, rezultat i cili u pranua edhe nga vetë ai. Roja pohoi se e kishte kryer këtë lloj vjedhje në mënyrë sistematike dhe pa lënë asnjë lloj gjurme.
Përtej profesionit, në vendin ku jetoni, punoni e banoni, ju jeni një qytetar si gjithë të tjerët. Në këtë prizëm, a keni ndonjë mesazh për shoqërinë shqiptare?
All the time tell the truth and the life is easy! (Tregoni të vërtetën gjithë kohën dhe jeta do të bëhet më e lehtë.)
Intervistoi: Bledar Ilia