Politika

Drafti i SHKB-së, PS-LSI përfshihen në debate

Komisioni i Sigurisë “rrëzon” ligjet, kompetencat për strukturat dhe rregulloren janë vetëm të ministrit

komision sigurie

Prania e deputetëve e opozitës në mbledhjen e radhës, nuk i ka stepur përfaqësuesit e mazhorancës që të debatojnë ndërmjet tyre për projektligjin e ri për strukturën që heton dhe kontrollon shkeljet e ligjit dhe korrupsionin në radhët e forcave të policisë, që njihet ndryshe si projektligji për SHKB-në. Debate të forta do të shkaktonte neni për autoritetet drejtuese, ku deputetët dhe përfaqësuesit e ministrisë kërkuan që ministri të përjashtohet nga kompetenca për t’u informuar mbi burimet e informacionit dhe bashkëpunëtorët e këtij shërbimi në terren. Pikërisht kjo pikë ka sjellë ndërprerjen e diskutimeve dhe shtyrjen për një datë tjetër, duke u kërkuar riformulimi i saj nga ekspertët e ministrisë.

Debatet

Gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit “Për shërbimin për ankesat dhe çështjet e brendshme, në Ministrinë e Brendshme”, debati u përqendrua në nenin 13 pika 3 të këtij projektligji që parashikonte se ministri duhej të njihej dhe të kishte informacion mbi bashkëpunëtorët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Deputeti i PS-së, Vexhi Muçmata, u shpreh se në këtë pikë ka një përplasje kompetencash, pasi ministri s’ka kompetenca mbi burimet e informacionit. “Ministri është titullari më i lartë, por s’ka të drejtë te burimet e informacionit”- tha Muçmata, i cili gjeti përkrahje edhe nga zëvendësministri Ilir Mustafaraj. “Ministri është një person politik, s’ka pse t’i dijë këta bashkëpunëtorë”, tha zëvendësministri. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe deputeti tjetër i PS-së, Ulsi Manja, i cili theksoi se kur s’ka prokurori akses në këto informacione, “s’ka pse t’i ketë ministri”, tha ai. Por, këto deklarata u kundërshtuan nga deputeti i LSI-së në komision, Luan Rama, i cili u shpreh se ministri është përgjegjësi para qeverisë dhe para vendit, ndaj ai duhet të ketë akses në burimet e informacionit. “Pse mos të njihet ministri me bashkëpunëtorët e SHKB-së?”, pyeti kolegët e tij, Rama. Por përgjigjen do ta merrte nga ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Pjerin Ndreu. “Çfarë thua mor zotëri, sa ministra kalojnë aty, e bëjnë çorap këtë shërbim pastaj. Ka dy lloje bashkëpunëtorësh: publik dhe privat. Bashkëpunëtorët publikë janë media etj., ku ministri ka të drejtë t’i dijë. Bashkëpunëtorët privat që janë edhe burimet e informacionit nuk ka pse t’i dijë ministri”, u shpreh deputeti i PS-së. Por debati do të merrte tjetër rrjedhë, teksa Xhemal Qefalia shprehu pakënaqësinë e tij për mënyrën e funksionimit të mbledhjeve të komisionit. “Toleranca juaj është e tepërt zoti kryetar. Kemi 3 orë këtu me 13 nene. Te  Komisioni i ligjeve që janë tamam ligjvënës kemi kaluar ligje më shpejt se këtu. Ose ne jemi më të mirë ne ose ju jeni më shumë tolerant”, tha Qefalia. Deklarata e të cilit shkaktoi nervozizëm në radhët e deputetëve të tjerë të mazhorancës. “Ti do të thuash se Fatmir Xhafa e drejton më mirë mbledhjen?”, iu drejtua Luan Rama deputetit të PS-së. “O Luan mos fol kot tani”, iu kundërpërgjigj Qefalia. “Unë them çfarë të dua këtu. S’ka çfarë thotë Xhemali dhe flet kot”, replikoi sërish deputeti i LSI-së, gjë që solli dhe largimin e deputetit Qefalia nga mbledhja gjithë nerva, gjë që e detyruan më pas kryetarin e komisionit, Spartak Braho, që të ndërpriste mbledhjen duke shtyrë dhe votimin e projektligjit. Më herët anëtarët socialistë dhe ata të LSI-së kërkuan që përcaktimi i strukturës dhe organikës së këtij shërbimi të jetë kompetencë e Ministrit të Brendshëm si autoriteti më i lartë i tij dhe jo nga Kryeministri, siç kishte propozuar Komisioni i Ligjeve, i cili kishte rënë dakord për kufizimin e kompetencave të ministrit të Brendshëm duke vendosur që struktura e SHKB-së të propozohej nga ministri, por të miratohej nga Kryeministri, duke iu referuar edhe ligjit për funksionimin e administratës shtetërore që ia jep këtë kompetencë shefit të ekzekutivit. Por pas debateve të shumta, “Siguria” si komision përgjegjës rrëzoi vendimin e Komisionit të Ligjeve duke vendosur që kompetenca për emërimin e strukturës së SHKB-së të jetë e ministrit të Brendshëm.

HERION MESI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button