Politika

Drejtësia, PD jep tri kushte për konsensus, PS: Në shtator nënkomisioni

NGA ARTEMISA HOXHA

komision ligjeshSesioni i ri parlamentar pritet që të risjellë në Kuvend opozitën pikërisht për draftin me tri kushte që ata do të paraqesin në lidhje me reformat në drejtësi. Këtë fakt e ka bërë të ditur ish-ministri i Drejtësisë dhe njëherësh deputet i PD-së, Eduard Halimi, i cili ka bërë të ditur se pjesëmarrjen e saj në reformat në drejtësi, opozita e lidh me tri kushte, ku më së shumti kërkon ekspertizë nga Komisioni i Venecias. Nga ana e saj, mazhoranca e ka mirëpritur këtë reagim të opozitës dhe ka shprehur gatishmërinë që të dëgjojë dhe të marrë në shqyrtim çdo propozim të saj. “Reforma në drejtësi duhet të bëhet nën udhëheqjen e Komisionit të Venecias, dhe ekspertiza ndërkombëtare të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Të kemi decentralizim të kërkesave për shkarkimin e gjyqtarëve, të mos jetë në një dorë të vetme, të ministrit dhe Kryeministrit, por të drejtën për të kërkuar shkarkimin e gjyqtarëve duhet ta ketë dhe Prokurori i Përgjithshëm, kryetari i gjykatës, mund ta ketë dhe Dhoma e Avokatisë, sa më shumë të monitorojmë sistemin gjyqësor, aq më shumë do të kemi edhe identifikim të gjyqtarëve të korruptuar. Çështja tjetër ka të bëjë me shndërrimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë karriere, pra asnjë anëtar i Gjykatës së Lartë nuk mund të vijë pa kaluar në Shkallën e Parë, Apel e më pas në Gjykatën e Lartë. Dhe së treti forcimi i llogaridhënies”, sqaron nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës. Sipas tij, pritet që në shtator të bëjnë publik dokumentin strategjik për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Nga ana e saj, mazhoranca tregohet e gatshme dhe falënderon opozitën për reagimin e saj në lidhje me këtë defekt në sistemin e drejtësisë në vend, mangësi të cilat kanë që nga miratimi i Kushtetutës së miratuar në 1998.

Subashi: E mirëpresim

Për gazetën “Shqip”, deputeti i PS-së dhe njëherësh anëtari i Komisionit të Ligjeve, Armando Subashi, vlerëson këtë reagim të opozitës. “E rëndësishme është që ne ta shikojmë me pozitivitet këtë gjë dhe ta marrim si një sinjal pozitiv. Sinjal pozitiv, është për t’u përshëndetur, qëedhe opozita më në fund tregon sedrejtësia është shqetësim dhe për këtë duhet një reformë. Ky është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Pastaj, në faktin se çfarë duhet bërë, si duhet reformuar drejtësia, cili mund të jetë roli i ministrit në të ardhmen, cili mund të jetë roli i KLD-së, Presidentit, Shkollës së Magjistraturës, çfarë kriteresh mund të ketë për emërimin e gjyqtarëve, si dhe shumë çështje të tjera, do të shihen të ndara, të cilatnë fund të fundit i takojnë Komisionit të Reformës. Ky komision do t’i diskutojë, do t’i analizojë, si dhe do të marrë edhe mendimin e ekspertëve, jo vetëm vendas, por dhe të ekspertizës ndërkombëtare dhe padyshim që në fund do të dalë me një variant, model përfundimtar, ku të themi që po bëhet diçka e mirë për reformimin e këtij pushteti. Padyshim që një gjë është evidente, që ky model, modeli mbi të cilin u ndërtua pushteti gjyqësor në bazë të Kushtetutës së 1998-s, sot mbas 16 vitesh, është një model i dështuar, pra në bazë të këtij modeli drejtësia nuk po e përmbush qëllimin e saj. Në këtë aspekt, ndërhyja dhe reforma do të jetë radikale pa dyshim”, thekson deputeti i PS-së.

Duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjen në Kushtetutë për reformat që do të merren në drejtësi, Subashi sqaron edhe rrugën që do të ndjekë mazhoranca për të arritur deri te drafti përfundimtar për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend. “Brenda Komisionit të Ligjeve mund të ngrihet një nënkomision që do të merret me hartimin e drafteve. Mund të pajtojmë edhe ekspertë vendas e të huaj, të njohur në fusha të ndryshme kushtetuese, civile, penale dhe të merren me hartimin e drafteve dhe në fund të paraqesin një draft. Këto mund të çojnë edhe deri në ndryshime kushtetuese, ndryshe do të ishin ëndrra të gjitha dhe ne s’do të bënim asgjë”, argumenton Subashi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button