Kryeartikull

Drejtësia, shansi i fundit për shpëtim

Nga Andrea Stefani

Në analizat apo opinionet për situatën në Shqipëri dhe ardhmërinë e saj, përgjithësisht po injorohet ndikimi që pritet të ketë mbi politikën reforma për themelimin e një pushteti të pavarur drejtësie. Në një kuptim, kjo shpreh edhe mosbesimin e thellë të analistëve dhe gazetarëve, dhe jo vetëm të atyre, se kjo reformë mund të sjellë diçka. Madje disa, kanë përvetësuar edhe tezat berishiste se reforma në drejtësi, e projektuar, e monitoruar dhe mbështetur nga ndërkombëtarët, tenton ta kalojë drejtësinë nga vartësia prej Berishës si deri më sot, në vartësi të Ramës.

Mosbesimi se do të ketë ndonjë ditë edhe në Shqipëri një prokurori që të hetojë peshkaqenët e korruptuar dhe mafiozuar të politikës dhe botës së krimit, i shtyn analizat drejt gjetjes së shpëtimit po te politika!

Duhet një forcë e tretë – thotë Fatos Lubonja. Nuk them se nuk duhet, por kush garanton se edhe kjo forcë e tretë nuk do të ndjekë po të njëjtat lakmi si përgjithësisht politika në këto 26 vjet? Ajo që e ka korruptuar kaq palcërisht politikën shqiptare është mungesa e ndëshkimit të politikanëve të korruptuar dhe kriminalizuar prej drejtësisë prandaj, është utopi të shpresosh që po në mungesë të drejtësisë, një forcë politike të mos korruptohet me të marrë pushtetin.

Ne sot vuajmë një fillim të gabuar të tranzicionit bazuar vetëm te pluralizmi, te zgjedhjet dhe demokracia por jo te drejtësia. Kjo ka çuar edhe në kalbëzimin e demokracisë, që e përjetojmë sot si klientelizëm partiak, si shitblerje të votës, si korrupsion dhe krim. Themelimi i një sistemi të drejtësisë së pavarur u neglizhua edhe nga ndërkombëtarët, por u pengua edhe nga shfaqja, me të marrë pushtetin, e prirjeve autokratike të Berishës që, ndër të tjera, zëvendësoi prokurorë dhe gjykatës të PPSH me ata të PD (kursi i Plepave). Ndërkaq, duhet shtuar se një forcë e tretë, edhe sikur të dalë, do ta ketë shumë të vështirë të fitojë mbi dinozaurët e vjetër dhe të korruptuar të politikës, nëse këta të fundit nuk do të jenë spastruar nga goditjet e ligjit me anë të një drejtësie të pavarur.

Lindja e një force të tretë politike në kushtet e tanishme kërkon politikanë të përgjegjshëm, ndryshe nga shumica e politikanëve që kemi parë deri më sot në qarkullim. Na duhen politikanë të përgjegjshëm, shkruan Enver Robelli, për të shmangur një kolaps si ai i vitit ‘97. Dhe shton me skepticizëm – po a ka të tillë?

Dyshimi është i përligjur. Sepse të jesh i përgjegjshëm, do të thotë mbi të gjitha të përgjigjesh jo vetëm para elektoratit gjatë zgjedhjeve, por edhe para ligjit. Por kur nuk ka drejtësi që ndëshkon deri vjedhjen e votës, politikani i korruptuar manipulon zgjedhjet dhe demokracia pushon së qenuri mekanizëm llogaridhënie i politikanit para elektoratit. Eshtë sistemi që i bën njerëzit të përgjegjshëm, Ky është rregulli. Të tjerat janë përjashtime që përforcojnë rregullin.

Edhe pse pa dyshim ka politikanë me prirje për përgjegjshmëri, mungon rrethana që ky lloj politikani të bëhet realitet dominues, sepse mungon drejtësia dhe prevalon pandëshkueshmëria. Sot përgjegjshmëria nuk është një rregull, por një përjashtim. Si rrjedhojë, prevalon edhe politikani i papërgjegjshëm, luksi i jetës private të të cilit rrëzëllin pacipërisht, me vanitet dhe cinizëm mbi sfondin e varfërisë dhe privacioneve të një pjese të shqiptarëve që, megjithatë, vazhdojnë t’i votojnë këta sharlatanë dhe maskarenj që janë shkaku i mjerimit të tyre për shkak se mungesa e drejtësisë ka bërë që të bien në kthetrat e tyre.

Të kërkosh shpëtim nga kalbëzimi i sotëm politik duke bazuar vetëm te politika e kalbur, duke lënë mënjanë drejtësinë, do të thotë që edhe nja 10 a 15 vjet të tjerë të vazhdojë kjo vërdallosje që na mban të zhytur në të njëjtën kënetë ku na pijnë gjakun shushunjat dhe mushkonjat e korrupsionit dhe mafias. Do të thotë që, për shembull, të vazhdojë rutina që LSI të bëjë king-maker-in mes PD dhe PS duke vendosur ajo se kush do të vijë në pushtet. Dhe për shkak se LSI nuk e ka përdorur këtë pozitë strategjike përherë funksion të disa parimeve themelore për demokracinë (në 2008 kritikoi Berishën për amendimin e gabuar të Kushtetutës dhe pastaj bëri qeveri me Berishën duke e “harruar” fare Kushtetutën dhe atë që me të drejtë e denonconte si “Republikë Kryeministrore”) por thjesht të një pragmatizmi partiak, nuk do të qe çudi që nesër, t’i hapte përsëri rrugën drejt pushtetit një force si PD që po tregon se nuk ka asnjë vullnet për t’u distancuar nga as nga tradita e një keqqeverisjeje 8 vjeçare dhe që për shkak të korrupsionit dhe kriminalizimit që trashëgon (rruga Durrës-Kukës, “Gërdeci”, “21 janari”) ka dalë hapur kundër reformës në drejtësi.

Shtegu për ndryshim dhe shpëtim kalon vetëm nëpërmjet një drejtësie të pavarur që, si për ironi, të detyruar nga presioni i ndërkombëtarëve, e kanë votuar edhe politikanë të korruptuar që nesër duhet të japin llogari para saj. Atë e dinë këtë dhe prandaj i shohim sot të fusin shkopinj në rrotat e reformës nën pretekstin e dhunimit të “sovranitetit” të shtetit dhe, tani së fundi, të Kushtetutës.

Prandaj në vend se të shfaqemi skeptikë për reformën, edhe pse vërtet është një sipërmarrje tepër e vështirë, duhet të këmbëngulim që ajo të bëhet. Prandaj jam edhe më i prirur të mbështes koalicionin qeveritar PS-LSI që, edhe pse i brishtë dhe i ngritur jo vendosmërisht mbi parime, por mbi pragmatizëm partiak, nuk i është bërë pengesë reformës në drejtësi. Kjo është thelbësore në qëndrimin ndaj një qeverisjeje që edhe pse nuk mund të mos ketë problemet e veta, pikërisht për shkak të heterogjenitetit të saj, shfaqet shtet-ndërtuese krahasuar me qeverisjen (nëse mund të quhet e tillë) shtet-shkatërruese të PD. Prandaj kundërshtoj PD dhe aleatë të saj që po bëjnë gjithçka ta pengojnë reformën.

E mbështes pozicionimin e koalicionit qeveritar në favor të reformës edhe nga që e di se jo gjithçka është në dorën e tyre, se një garanci shtesë janë ndërkombëtarët, SHBA dhe BE, një garanci se prokuroria e pavarur që kanë projektuar të lindë, do të thërrasë para saj jo vetëm të korruptuarit e PD por edhe të PS apo LSI, se gjykatat po ashtu, do t’i japin dënimin që meriton gjithkujt, pavarësisht pozicionit në shtet, dhe jo të fajësojnë, si deri më sot, vetëm cironkat dhe të shfajësojnë ”peshkaqenët”.

Nëse kjo nuk ndodh, atëhere dhe vetëm atëherë, reforma mund të quhet e dështuar. Shpresojmë të mos ndodhë kështu. Do qe fatale për Shqipërinë. Do qe prova se drejtësia e pavarur nuk lindi dhe reforma dështoi. Dhe pa drejtësi të pavarur, Shqipëria ose do binte përfundimisht nën diktaturën e mafias dhe korrupsionit, ose vetëm dalja masive e shqiptarëve të dëshpëruar në rrugë në një revoltë gjithëpërmbysëse mund ta shpëtonte situatën. Veç mund të sillte edhe kaos, një tjetër ’97. Por deri atëhere, reforma duhet mbështetur si e vetmja rrugë shpëtimi.

Duhet shpresuar dhe duhet bërë gjithçka që ajo të kurorëzohet me sukses. Mjerisht, reforma më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, edhe pse në sondazhe aprovohet nga shumica e shqiptarëve, nuk ka prapa saj mbështetjen e masave të organizuara qytetare. Dhe kush nuk është i organizuar, nuk ekziston si forcë, si faktor. Gjë që është në favor të klaneve të korruptuara të politikës që rreken ta pengojnë reformën. Gjë që tregon edhe se shoqëria civile nuk e ka kuptuar fare rëndësinë historike që ka kjo reformë për shtetndërtimin. demokracinë dhe lirinë në Shqipëri. Nuk e ka kuptuar se vetëm me një drejtësi të pavarur do të jetë më e mundur të kemi edhe mbizotërimin e politikanëve të përgjegjshëm edhe të partive politike që e bazojnë suksesin jo të klientelizmi, korruptimi apo blerja e votës, por te merita që është drejtësi dhe përgjegjshmëri njëherësh.

Related Articles

Nje koment

  1. Shqipetaret kane 2 vjet qe kerkojne te digjen te gjalle deputetet e PD fashiste.Hajduteria nuk e do reformen ne drejtesi.PD te digjen me gjithe cfare kane.Te shpetohet populli shqipetar.Te sillet NATO ne Tirane

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button