Duka: Tifozë shqiptarë në Beograd, serbë në Elbasan
Çështja e tifozëve shqiptarë në Beograd vijon të jetë çështje dite, edhe pse deri në ndeshjen Serbi-Shqipëri duhen më shumë se dy javë. Por duket se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është i vendosur që në këtë sfidë të nxehtë tifozët kuqezinj të jenë prezent. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka ndërmend të lëshojë aspak në “dëshirën” e tij për të parë tifozë kuqezi në stadiumin e Beogradit në 14 tetor. Duke folur për uebsajtin serb “alo.rs”, numri një i institucionit të futbollit shqiptar ka mbrojtur pa asnjë dyshim tifozët kuqezi dhe ka kërkuar garanci nga policia dhe federata serbe për këtë ndeshje. Ja intervista që ka dhënë kreu i FSHF-së për median serbe:
Si e shikoni pragndeshjen me Serbinë?
Si fillim, duhet të nënvizoj se për ne është e rëndësishme ndeshja me Danimarkën, duke parë që kjo është edhe ndeshja jonë e parë në shtëpi për këto kualifikuese dhe jemi totalisht të përqendrruar për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Kjo edhe për faktin se luhet më 11 tetor. Vetëm pas kësaj ndeshjeje do të fillojmë të mendojmë për ndeshjen me Serbinë.
Tifo-grupi “Plisat” ka konfirmuar se do të jetë në Beograd, cili është mendimi juaj?
Unë mendoj se Serbi-Shqipëri është vetëm një ndeshje futbolli dhe asgjë më shumë se kaq. Mendoj se kush dëshiron të shkojë në stadium, serb apo shqiptar, duhet të jetë i lirë për ta ndjekur këtë ndeshje të madhe.
Si janë marrëdhëniet tuaja me Federatën Serbe të Futbollit?
Marrëdhëniet institucionale ndërmjet dy federatave janë shumë të mira, si me presidentin Karaxhiç, ashtu edhe me sekretarin Lakoviç. Për këtë arsye, them se futbolli duhet të jetë në këtë frymë bashkëpunimi.
Premtoni se tifozët shqiptarë nuk do të krijojnë probleme në Beograd?
Unë si president i FSHF-së duhet të them një të vërtetë të madhe: tifozët shqiptarë nuk kanë krijuar asnjëherë probleme në asnjë transfertë ku kanë qenë. Nga ana tjetër, unë mirëpres tifozët serbë në Shqipëri. Jemi dy vende që i përkasim Europës dhe duhet të sillemi si europianë. Unë mendoj se duhet të krjojmë një atmosferë që i shërben futbollit.
Nisur nga historia ndërmjet dy vendeve, u trembeni incidenteve të mundshme në stadium?
Ne premtojmë se do të mendojmë vetëm për ndeshjen dhe asgjë më shumë. Dua që kjo ndeshje të shërbejë për të afruar më shumë dy vendet. Nuk jemi në luftë dhe as kemi pasur ndonjëherë fërkime me serbët në sport.
Çfarë mendoni për thirrjet “vrisni shqiptarët”, vërshëllimin e mundshëm të himnit tuaj dhe kërcënimet në rrjetet sociale?
Nuk pres një frymë të tillë nga tifozët dhe dëshiroj që mediet të shërbejnë për të larguar frymën e incidenteve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, duke kujtuar që është vetëm një ndeshje futbolli. Nga ana tjetër, duhet të theksoj se është detyrim i federatës serbe dhe e policisë vendëse të japë garanci dhe të sigurojë mbarëvajtjen e qetë të ndeshjes.
Cili është komenti juaj për kërkesën e FSHF-së për t’i luajtur dy ndeshjet pa tifozë?
Nuk kemi pasur asnjë marrëveshje ndërmjet dy federatave për këtë çështje. E vërtetë që kemi pasur një kërkesë nga federata serbe që tifozët e të dy skuadrave të mos udhëtonin në transferta, por personalisht mendoj se një marrëveshje e tillë nuk është në të mirë të tifozëve dhe futbollit. Besoj se ashtu siç do të ketë tifozë shqiptarë në Beograd do të ketë edhe serbë në ndeshjen në Elbasan. Ne do t’ju garantonim sigurinë maksimale.