Ekonomia

E ardhmja e Shqipërisë te industria tranzit, produktet bio dhe energjia e gjelbër

Në analizën e riskut të modelit duhet të ketë konkurrenca dhe afatgjatësia. Në modelin e deritanishëm, kemi pasur dështime pikërisht për faktin se ai ishte bazuar mbi industri që ose nuk ishin afatgjata, ose operonin në një mjedis tejet konkurrencial.

Flet Panajot Soko, ekspert ekonomie

Personalisht e çmoj hapjen e një debati mbi rishikimin e filozofisë që do të konturonte një model të ri ekonomik. Kjo, për dy arsye:

E para, sepse është kënaqësi për çdo ekspert të fushës së ekonomisë që të jetë pjesë e një debati të tillë, ashtu si një tifoz i futbollit që ka dekada që e ndjek skuadrën e zemrës, do të jepte me kënaqësi mendimin e tij se si duhet ndërtuar skuadra, kush duhet futur e kush duhet nxjerrë nga loja, kush do të luajë në krah e kush në qendër etj.

E dyta dhe më e rëndësishmja, vërtet mendoj se jemi të vonuar në këtë drejtim, nëse marrim parasysh harmonizimin e objektivave politike dhe strategjike me kapacitetin ekonomik. Jemi një vend, politikisht, në prag-anëtarësimi në BE dhe ende nuk kemi një strukturë ekonomie që do të gjente vendin e saj në hapësirën e madhe ekonomike europiane.

Gjithmonë kam besuar që faktori kryesor i ngërçit të zhvillimit ka qenë arkitektura e ekonomisë shqiptare. Ose siç njihet në ekonomi, modeli strukturor i saj. Për shumë arsye, modeli aktual i ekonomisë me prioritetet e veta strukturore, nuk dha rezultatet e pritshme dhe sot, pas gati 26 vjetësh, të gjithë që janë të mendimit që modeli strukturor duhet, të paktën, rihedhur dhe një herë për diskutim.

Natyrisht që modeli aktual u dizavantazhua dhe dështoi në misionin e vet për t’i dhënë ekonomisë një formë zhvillimi të qëndrueshëm, për një sërë arsyesh dhe faktorësh që fillojnë që tek ato më të thjeshtat si kultura e ulët kapitaliste gjatë dekadës së parë të tranzicionit, mungesa e vizionit dhe kreativitetit dhe deri te komponentë më kompleks si mangësitë në legjislacionin themeltar, mosharmonizimi i nevojave me potencialet, rendimenti shumë i ulët i shfrytëzimit të kapitalit e të tjerë faktorë që ushtruan forcë gravitacionale mbi ekonominë duke mos e lënë këtë të fundit të krijonte lokomotivat e saj të qëndrueshme dhe që do ta ngrinin lart e do t’u rezistonin kohërave.

Për sa i përket modelit të ri, personalisht kam gjykuar që përparësi në analizën e riskut të modelit duhet të ketë konkurrenca dhe afatgjatësia. Në modelin e deritanishëm, kemi pasur dështime pikërisht për faktin se ai ishte bazuar mbi industri që ose nuk ishin afatgjata, ose operonin në një mjedis tejet konkurrencial.

Për ta bërë më konkrete, po marr dy raste përfaqësuese, nga një për çdo faktor risku të përmendur më sipër. Respektivisht ndërtim-infrastruktura dhe turizmi.

Për njëfarë kohe, ndërtimi “rrëmbeu” rolin e lokomotivës së ekonomisë. Dhe kjo lokomotivë kishte një motor. Motori ishin remitancat. Lokomotiva eci sa kohë që motori punonte. Kur motorit i ranë xhirot (dhe kjo ishte e pritshme, sepse remitancat janë gjithmonë të përkohshme) dhe lokomotiva ndaloi. Çështja është se sektorë të tillë që janë të destinuar që në lindje për të qenë të përkohshëm, krijojnë flluska shumë të dëmshme për ekonominë. Dhe një flluskë e tillë u krijua dhe te ne. Sot aktualisht janë mbi 40.000 apartamente stok në gjithë Shqipërinë që kanë krijuar një gropë kapitali, që mund të shkojë me miliarda dollarë që i mungojnë qarkullimit.

Ndërsa ajo që ndodh aktualisht me turizmin është që turizmi shqiptar është i rrethuar nga konkurrenca. Prandaj ai në vetvete nuk rritet, por mbetet gjithmonë në nivele primitive. Sepse investimi dhe kthimi i investimit është tejet i rrezikuar nga konkurrenca shumë e ashpër. Të qenët në krah të bajlozëve të turizmit botëror si Greqia, Turqia, Kroacia, Italia, Mali i Zi e pak më tutje Egjipti apo Spanja, Shqipëria e ka shumë të vështirë të çajë në këtë sektor. Dhe çdokush bindet dhe vetë kur krahason miliardat e dollarëve që këto vende kanë investuar në hotele luksoze që ofrojnë shërbim me 5 yje për një çmim shumë konkurrues, me shtëpitë e Dhërmiut apo apartamentet e Orikumit, ku diskutohen nevojat bazike, ujë, drita etj. Dhe kjo natyrisht që në momentin që do të mbarojë ngazëllimi patriotik dhe kosovarët dhe maqedonasit do të shikojnë për opsione më të leverdishme, do të sjellë një rrënim për gjithë sektorin.

Dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, sepse konkurrenca në raportin cilësi/çmim është totalisht e papërballueshme.

Do turizëm elitar shko në Kroaci, Greqi dhe Itali; do turizëm ekonomik shkon në Turqi dhe Mal të Zi. Prandaj, personalisht e shoh dhe turizmin si një industri që shumë shpejt do të dorëzohet.

Për këto arsye, gjykoj se prioritetet duhet të ndryshojnë. Shqipëria duhet të orientohet drejt atyre industrive, të cilat për shkak të kushteve dhe rrethanave gjeografike, pasurore, kulturore etj., shmangin konkurrencën e superfuqive ekonomike.

Dhe në gjykimin tim personal, tri janë fushat ku Shqipëria mund të avantazhojë:

1. Agrokultura dhe agropërpunimi i produkteve bio.

Mjafton t’u referohesh të dhënave të vendeve europiane dhe kupton që aktualisht ka një superkërkesë për produkte bio, duke bërë që në këtë industri të fshihet një minierë ari. Dhe ky është një treg, të cilin ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë në maksimum dhe përjetësisht. Sot konsumatori europian paguan çmime marramendëse kur vjen puna për çfarëdolloj frute apo zarzavate bio me farë organike. Domate që arrijnë çmimin 15 eur/kg kur janë bio premium, mish bio i ushqyer organikisht që shkon dhe 50 euro/kg etj., etj., dhe për të gjitha këto Europa është e uritur.

Shqipëria mund ta shfrytëzojë këtë oportunitet dhe të orientojë bujqësinë e saj drejt produkteve bio, pasi këtu përveç të tjerave, Shqipëria e ka tashmë famën si vend nga ku vijnë vetëm mallra cilësore. Ato pak eksporte bujqësore apo të agropërpunuara të deritanishme, kanë renditur produktet shqiptare si bio premium dhe në supermarketet e Europës shiten me çmime tejet të leverdishme, çka do t’i jepte jetë një industrie, me zhvillim të garantuar dhe të qëndrueshme për nga forma, dhe normalisht dhe të superfurnizuar me kapital likuid. Tregu në këtë industri është tejet gjigant saqë sikur Shqipëria të përdorë në eficencë maksimale gjithë burimet e saj në këtë fushë, ajo vështirë se plotëson nevojat e vetëm Italisë si shtet për produkte bio. Pra imagjinoni çfarë madhësie ka tregu në këtë industri aktualisht, pa imagjinuar se çfarë do të ndodhë më pas kur popullsia të rritet.

2. Industria e tranzitit

Totalisht e neglizhuar deri më sot edhe për shkak të mungesës së vëmendjes në këtë drejtim, industria e tranzitit është një opsion me shumë potencial zhvillimor. Pozicioni ynë gjeografik në zemër të kontinentit është një oportunitet që patjetër duhet zhvilluar. Ne ofrojmë një mundësi shumë oportune komunikimi mallrash mes Lindjes dhe Perëndimit, Jugut të pasur me lëndë të para dhe Veriut me produktet e gatshme. Zhvillimi dhe demokratizimi i Lindjes së Mesme, do të sjellë një komunikim shumë herë më të madh të produkteve që nisen nga Europa Veriore në drejtim të saj dhe lëndëve të para që do të vijnë nga Lindja e Mesme në drejtim të Europës. Gjithashtu, Europa do të rrisë shkëmbimet dhe me kontinentin afrikan, ku komunikimi me pjesën lindore të këtij kontinenti ka në trajektoren e vet Shqipërinë.

Po ashtu dhe vëllimi tregtar i Europës me Kinën dhe Indinë do të vijë gjithnjë e duke u rritur në progresion aritmetik. Vendet e tjera të Lindjes së Largët si Pakistani, Indonezia etj., po rriten me shpejtësi marramendëse dhe gjithashtu vëllimi i tyre tregtar me Europën, kërkesa e tyre për produktet e Europës do të vijë duke u rritur. Pra në gjithë këto zhvillime që pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt, Shqipëria mund të jetë e aftë të shfrytëzojë pozicionin e saj për të pasur pjesë nga të mirat materiale që do të rrjedhin nga ky evolucion ekonomik.

Krijimi i një nyje universale tranziti do të thotë që Shqipëria të ketë vëllime portuale trajtimi mallrash të paktën 500-1000 herë më të madh nga çka aktualisht. Po ashtu, të ketë gjithë infrastrukturën e nevojshme rrugore, hekurudhore, ajrore që ta lidhin atë me Europën në të gjitha format. Të ketë pika shërbimi për mjetet dhe kapacitetet e nevojshme të stokazhit.

Aktualisht, pika kryesore e shkarkimit të pjesës më të madhe të tranzitit që vjen nga Juglindja, është Porti i Pireut në Greqi. Rritja eksponenciale e vëllimit të shkëmbimeve të mallrave mes Europës dhe Azisë dhe Afrikës, që hyjnë në Mesdhe nga Kanali i Suezit, ka bërë që ky port të jetë i detyruar të operojë në kushte të mbikërkesës për shërbime. Koncesionarët gjermanë kanë filluar punimet për zgjerimin e gjithë portit, ndërsa çmimet për një pjesë të madhe të shërbimeve janë rritur vjet dhe këtë vit planifikohet dhe një rritje tjetër. Dhe kjo është thjesht një miniaturë e asaj që pritet në të ardhmen e afërt kur Irani, India, Indonezia, Pakistani, Etiopia, Botswana, Sudani etj., t’i bashkëngjiten listës së vendeve që do të kenë rritur vëllimet tregtare me Europën.

Për këtë arsye, unë e konsideroj tranzitin si industrinë që Zoti, kur na krijoi, pati ndër mend për shqiptarët. Do të jetë një treg i pashtershëm, që vetëm do të rrisë vëllimin e tij dhe që ofron kapital likuid me shumicë.

3. Energjia e gjelbër.

Një ndër industritë më të mirënjohura në Shqipëri, e cila së fundmi ka filluar të shfrytëzohet disi, por ende me ritme të ulëta. Për momentin vendi nuk arrin dot të përmbushë as nevojat e veta me energji. Përqendrimi në industrinë e energjisë së gjelbër vjen për shkak të nevojës gjithnjë e në rritje për këtë lloj energjie. Në një perspektivë afatmesme, masat kundër efektit serrë dhe ngrohjes globale, pavarësisht se sot janë ende në nivele modeste, do të kthehen në imperative për gjithë planetin. Nisur nga kjo, si dhe duke pasur parasysh që Shqipëria i ka burimet e nevojshme natyrore për të qenë një prodhues i rëndësishëm i energjisë së gjelbër, e kthejnë këtë të fundit në një aset të vyer për zhvillimin e qëndrueshëm në kohë. Nëse sot, lufta bëhet për naftën dhe gazin, nuk do të vonojë dita kur këto të zëvendësohen me ujin, diellin dhe erën.

Dhe janë pikërisht këto dy të fundit tek të cilat duhet këmbëngulur. Si një shtet me vende ku dielli shkëlqen në ¾ e vitit kalendarik, energjia fotovoltaike gjen këtu një mundësi vërtet të çmuar zhvillimi. Parqet energjetike me hapësira mijëra hektarësh ku shtrihen panele diellore, do të jenë një aset i vyer në një botë që përpiqet shumë fort të shkëputet nga hidrokarburet. Shfrytëzimi i energjisë së erës gjithashtu, duke ngritur parqe energjetike në ato gryka malesh dhe brigje detare që kanë leverdi ekonomike, është gjithashtu një opsion që duhet marrë në konsideratë pasi ajo do të jetë energjia e së nesërmes. Dhe e nesërmja do të vijë shumë shpejt.

Si mund të ndërhyjë dhe ndihmojë shteti

Në përfundim, shpresoj shumë që gjithsesi në Shqipëri të fillojë të futet fryma e një dizenjimi strategjik të modelit strukturor. Ideimi teorik është ndoshta pjesa më e lehtë. Implementimi në praktikë i këtij dizenjimi është pjesa më e vështirë që kërkon një punë shumë profesionale nga ana e ekzekutivit.

Deri më sot kemi bazuar formësimin e prioriteteve strukturore tek iniciativa të tipit subvencionim apo lehtësi fiskale, por që kjo duhet kuptuar që nuk është rruga e duhur. Ndërhyrje të tilla, me nxitje të profilit fiskal, siç janë bërë deri tani, nuk janë aspak efikase. Ato më tepër krijojnë korrupsion. Duhet kuptuar që incentivimi ka të bëjë më tepër me të kthyerin e industrisë në atraktive duke i siguruar fillimisht rregulla të qarta dhe të qëndrueshme, një legjislacion i plotë dhe sa më stabël dhe leva ekonomike dhe teknike që lehtësojnë procesin vital të industrisë që është dalje në treg me sa më pak kosto.

Prezantimi i një banke bujqësore, prezantimi i kontratës me ekzekutim në të ardhmen, gjetja e rrugëve të marketingut dhe në përfundim dalja e produkteve bujqësore në tregun e huaj është ajo çka do ta incentivonte produktin bio.

Krijimi i kushteve për transportin e mallrave, krijimi i zonave ekonomike, porte me kapacitete të mëdha, vende për rimontin e anijeve, zona stokazhi produktesh apo lëndësh të para, krijimi i një tregu kombëtar për mineralet, vënia në funksionim e hekurudhës që do të na lidhte me Beogradin, Athinën dhe Sofjen, akset kryesore autostradale që do të na lidhnin me të njëjtat qendra etj., janë disa nga kushtet që duhen plotësuar për të nxitur industrinë e tranzitit.

Pra shkurtimisht, këto janë kushtet që nxisin investimin në një industri që është paracaktuar si prioritare, pasi kështu investitorët dhe sipërmarrësit shikojnë që mjedisi ku do të operojnë është i sigurt dhe ky është hapi i parë drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button