☁️
Tiranë 18°C · Vranët 15 April 2026
S&P 500 7,000 ▲0.46%
DOW 48,399 ▼0.28%
NASDAQ 23,867 ▲0.97%
NAFTA 91.79 ▲0.56%
ARI 4,824 ▼0.54%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1797 EUR/GBP 0.8694 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 95.9271 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4835 EUR/TRY 52.7529 EUR/JPY 187.35 EUR/CAD 1.6231 EUR/USD 1.1797 EUR/GBP 0.8694 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 95.9271 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4835 EUR/TRY 52.7529 EUR/JPY 187.35 EUR/CAD 1.6231
₿ CRYPTO
BTC $73,939 ▼ -0.84% ETH $2,342 ▲ +0.39% XRP $1.3758 ▲ +0.45% SOL $84.4700 ▼ -0.8%
S&P 500 7,000 ▲0.46 % DOW 48,399 ▼0.28 % NASDAQ 23,867 ▲0.97 % NAFTA 91.79 ▲0.56 % ARI 4,824 ▼0.54 % S&P 500 7,000 ▲0.46 % DOW 48,399 ▼0.28 % NASDAQ 23,867 ▲0.97 % NAFTA 91.79 ▲0.56 % ARI 4,824 ▼0.54 %
EUR/USD 1.1797 EUR/GBP 0.8694 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 95.9271 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4835 EUR/TRY 52.7529 EUR/JPY 187.35 EUR/CAD 1.6231 EUR/USD 1.1797 EUR/GBP 0.8694 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 95.9271 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4835 EUR/TRY 52.7529 EUR/JPY 187.35 EUR/CAD 1.6231
15 Apr 2026
Breaking
Opinion

“E dashur diaspora”: Eric Adams në Tiranë, unë në Detroit

DIANA GËLLÇI, PhD

Ditë me shi sot në Detroit. Një nga ato ditë kur bëhet e qartë se, edhe pse dimri nuk pranon të largohet, pranvera ndihet në çdo fije bari. Në ditë të tilla, puna ecën më ngadalë dhe mendimi sikur gjen më shumë hapësirë për përsiatje.

Në emailin e hapur sapo mbërrin një mesazh që fillon me fjalët: “E dashur diaspora”. Ndala për një çast. Mes dilemës për ta dërguar drejt e në kosh pa e hapur, apo për të parë më tepër, fitoi kjo e fundit. Dhe ja ku ishte: një tjetër ftesë e ambalazhuar bukur për të njëjtin qëllim të vjetër. Një organizatë e ashtuquajtur AADF që dërgon një pyetësor ku, me pak fjalë, thotë: na jep pak nga koha jote, na thuaj çfarë të pëlqen, çfarë do të bësh për atdheun… Gati sa nuk thoshin: “që ne të dimë si të aplikojmë për fonde… për veten tonë.”

“E dashur diaspora.” M’u kujtua jehona e largët e thirrjes së dikurshme: “Ej, kalamaja!” Vetëm se kjo e tanishmja nuk më ngazëlleu aspak. Përkundrazi. Jo sepse është hera e parë që e lexoj këtë formulim, por sepse sa herë që e shoh, më krijon të njëjtën ndjesi distance.

Kush është kjo “e dashur diaspora” së cilës i drejtohen? Kujt po i flasin në të vërtetë? Kush ka të drejtë të përcaktojë se kush futet në këtë kategori abstrakte që quhet “diasporë”, e cila sheqeroset më pas duke i shtuar edhe pudrën e bardhë të dashurisë? E kuptoj që dikujt mund t’i jetë dhënë fuqia të marrë vendime, të bëjë ligje, të ngrejë gratacela, të shpallë investitorë strategjikë. Por diasporën, kush e përcakton dhe, vallë, si?

Qenkan “Ditët e Diasporës” në Tiranë. Nga tribuna përshëndet Eric Adams, ish-kryebashkiaku i New York-ut, me plisin e malësorit dhe buzëqeshjen e sigurt në fytyrën e zeshkët. Ai sapo është nderuar me shtetësinë shqiptare (honorary Albanian citizenship), një status që nuk i kërkon njohuri të gjuhës shqipe dhe historisë shqiptare, as jetë në Shqipëri, apo lidhje të drejtpërdrejtë me realitetin e saj të përditshëm. Eric Adams qenka zgjedhur, pra, të përfaqësojë zërin e diasporës. Ndërsa një milion e ca shqiptarë jashtë atdheut, pa emra, pa zë dhe fytyrë, dhe pa histori jete e profesionale, përfshihen në një email: “e dashur diaspora”.

“A jeni gati të kontribuoni në Shqipëri?” Një fjali që për një të mijtën e sekondës të rrëmben, por që pastaj zbrazet krejt në çastin tjetër. Pra, sipas kësaj logjike, lidhja me Shqipërinë fillon në momentin që një institucion vendos të përfshijë në një email të vetëm gjithë diasporën… “e dashur”!

Në të vërtetë, për dekada me radhë, shqiptarët jashtë vendit kanë qenë një shtyllë e rëndësishme për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Nga remitancat te lidhjet profesionale, nga përvoja akademike te mbështetja familjare, kontributi nuk ka munguar kurrë. Ajo që ka munguar shpesh është njohja dhe respekti institucional për këtë kontribut.

Problemi nuk është thjesht një email. Problemi është mënyra e të menduarit që ai pasqyron. Një mënyrë që e sheh diasporën si burim për t’u aktivizuar, por rrallëherë si një zgjatim të gjallë të atdheut, apo si një partnere për t’u dëgjuar.

I ktheva një përgjigje kortezie emailit:

“Të nderuar,

Mesazhi juaj, i paadresuar dhe pa një dërgues të identifikueshëm, nuk përmbush standardet minimale të komunikimit profesional dhe institucional.

Përdorimi i një adresimi të përgjithësuar ndaj ‘diasporës’ dhe kërkesa për angazhim përmes një instrumenti anonim nuk krijojnë premisa për një ndërveprim serioz apo të besueshëm.

Për këto arsye, nuk shoh bazë për t’u përfshirë në këtë nismë. Ju lutem, më hiqni nga kjo listë komunikimi dhe mos më dërgoni mesazhe të mëtejshme.

Gjithë të mirat,
Diana Gellci, Ph.D.”

PS: Dhe ata pastaj u përgjigjën: “Të nderuar Zonja Gellci…” duke më ngritur në fuqi, a duke më shumëfishuar, duket. Nuk ua vë dot fajin që nuk kanë kohë të rishohin përgjigjet e shkruara me Inteligjencë Artificiale. Janë të zënë me Ditët e Diasporës në Tiranë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.