“E vetmja gjë e rëndësishme, regjimi pa viza”, propozimi i ri për Ballkanin Perëndimor
“Megjithatë, BE duhet të bëjë lëvizje më të guximshme në këtë rrugë. Ne besojmë fuqishëm se është koha për të bërë më shumë. Kemi nevoje për ide të reja që mund të plotësojnë dhe ri-forcojnë strategjinë, duke ofruar një impuls të ri për integrimin e rajonit në strukturat e BE. Armiku ynë më i fortë në rajon është zhgënjimi i njerëzve për shkak të proceseve të komplikuara dhe afateve të gjata, gjë që përfundimisht mund të çojë në një ndjenjë të dorëheqjes nga ana e vendeve në rajon”, shprehen ata.
Swoboda dhe Koppa kanë një propozim me tre hapa si një kornizë për një afrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
E para është krijimi i një komiteti sigurie mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. “Ajo që nevojitet është një kuadër efikas bashkëpunimi institucional për çështjet e sigurisë në formën e një komuniteti të sigurisë BE-Ballkan. Kjo përfundimisht duhet të çojë në një komiteti të sigurisë”.
Hapi i dytë sipas dy eurodeputetëve është pjesëmarrja në fondet strukturore, që aktualisht janë vetëm për vendet e BE-së. “Masa e parë do të ishte të kthehej Procesi i Berlinit në një proces të BE-së, një proces komunitar i Bashkimit dhe ta integrojë atë në strategjinë e para-pranimit, me një rol të veçantë për Komisionin Evropian. Kjo do të ishte një qasje që kërkon të adresojë çështjet ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mund të jetë një nxitës i bashkëpunimit ekonomik rajonal, rritjes dhe qëndrueshmërisë. Fondet strukturore – aktualisht të rezervuara vetëm për shtetet anëtare – duhet të hapen për vendet kandidate në këtë kuadër”, thonë ata.
“Hapja e negociatave duhet të jetë parakushti bazë, por pjesëmarrja në fondet strukturore duhet të jetë gjithashtu e kushtëzuar nga progres i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe fusha të tjera specifike, si bashkëpunimi i ngushtë rajonal”, thuhet më tej në propozimin e tyre.
Hapi i tretë i propozimit të tyre është statusi i vëzhguesit në mbledhjet e Këshillit. “Pas mbylljes së kapitujve 23 dhe 24, vendet kandidate mund të marrin statusin e vëzhguesit në mbledhjet formale dhe informale të Këshillit, veçanërisht në fushat e drejtësisë, çështjeve të brendshme, politikës së jashtme, të mbrojtjes, energjisë dhe politikës sociale”, propozojnë Swoboda dhe Koppa.
Ata janë të mendimit se procedurat e gjata të deritanishme krijojnë një zhgënjim pasi sipas tyre, nuk ofrojnë asnjë perspektivë reale apo rezultate të prekshme.