Edi Rama: Akti i Ilir Metës ka zbardhur planin dhe na tregoi se ‘ku fle lepuri’
Duke mos iu referuar asnjëherë si President i Republikës, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se akti i Ilir Metës për të shfuqizuar 30 qershorin ka zbardhur të gjithë planin kundër reformës në drejtësi.
Duke folur nga Divjaka, Rama theksoi se frika nga zgjedhjet dhe paniku nga përshkallëzimi i reformës në drejtësi me hapjen e negociatave i ka bërë bashkë opozitën dhe presidentin kundër 30 qershorin.
“Frika nga zgjedhjet, por akoma më keq, tmerri nga reforma nga drejtësi dhe paniku nga përshkallëzimi i reformës në drejtësi me çeljen e negociatave, ka bërë që ata të kthehen në një front kudnër çceljes së negociatave. Akti i fundit i Ilir Metës e ka zbardhur plotësisht të gjithë planin dhe na ka dhënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri”, u shpreh Rama.
Rama përsëriti se Meta e ka humbur të drejtën për të qenë në zyrën e kreut të shtetit dhe Parlamenti ka të gjithë të drejtën për të vepruar në emër të sovranit.
“Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë jo vetëm të Republikave Parlamentare, por të qeverive të botës. Firmos dhe ç’firmos. Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund të as të pranohet dhe as tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës për sa kohë që fuqia e popullit Sovran është tek Parlamenti dhe për sa kohë që Parlamenti ka jo vetëm të drejtën, por ka detyrën të reagojë në emër të Sovranit nëse presidenti çmendet”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se në 30 qershor do donte të kishte përballë kundërshtarët, por ata e kanë braktisur garën nga frika.
“Do kishim dëshiruar shumë që këtë fushatë ta kishim pasur garë me kundërshtarët tanë, një betejë konkurruese për të parë se kush ka vizionin më bindës, kush ka idetë më të mira, kush ka kandidatët më të besueshëm. Fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu sepse kundërshtarët tanë kanë kapitulluar përpara se të fillojë ndeshja dhe kanë braktisur fushën e lojës. Kanë pranuar se nuk përballen dot me ne në zgjedhje. Kanë frikë nga gjykimi i njerëzve dhe të maten me ne, duke bërë atë që politika duhet të bëjë dhe jo duke sharë dhe duke kërcënuar”, tha ai.