Kryeartikull

Edi Rama dhe PS (Dashuri me shikim të parë apo martesë e detyruar?!)

Nga Bedri Islami

Që Edi Rama, shumë vite më parë, atëherë kur njerëzit ndanin idetë e tyre të politikës, as që e kishte menduar se një ditë do të ndodhej pjesë e PS-së fillimisht, e më pas kreu i saj i padiskutueshëm, kjo është që diçka që dihet nga të gjithë tashmë. Jeta e tij politike nuk ka qenë e lidhur me një strukturë të së majtës, megjithëse idetë e tij, në dukje radikale, kanë qenë afër të së majtës, pa e ditur nëse do i ngjanin ideve laburiste angleze apo një socialdemokracie franceze.

Fillimisht ai u bë ministër i së majtës, një rast pikëllimi e solli atë në një vëmendje që kishte munguar drejt tij dhe, pasionant si pak kush, ai e mori mbi vete të drejtën për të qenë ndryshe nga kolegët e tij. Ndryshe nga gjithçka. Ishte ndoshta i vetmi ministër i një qeverie socialiste që nuk ishte anëtar i saj dhe, në vitet e para as nuk e mendonte se mund të ishte. Ishte ndryshe nga ministrat e tjerë, por edhe nga figurat e tjera të së majtës që nga veshja, aspak e zakontë për postet ministrore, statura që po krijonte përmes një imazhi të ri të njeriut që mund të ishte pjesë e qeverisjes, por që nuk kishte asnjë sens partiak në paraqitjen e tij. I sajdisur nga personazhet më të rëndësishme të forcës politike që i dha postin ministror, ai u bë pjesë e lojës së dyfishtë: Të atyre që përmes tij kërkonin ringjalljen e ndjenjës së të bukurës tek të rinjtë duke e mishëruar përmes Ramës në partinë e tyre, e nga ana tjetër, të vetë Ramës, që përmes tyre të shkonte drejt një posti të ri, po ashtu politik e administrativ njëkohësisht, të kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Tiranës. Tre herë radhazi, me një lehtësi të çuditshme, por jo të papritur, ai rrëzoi kundërshtarët e tij, edhe kur partia e tyre ishte në qeverisje, edhe kur ishte në opozitë, dhe tri herë kishte përballë figura të njohura, themeltare të PD-së, ministra dhe polemistë të dalluar: Ai e mori Bashkinë duke mundur Mustafajn, më i denji mes tyre që i dolën ballas, pastaj Ngjelën, më i shquari në polemikën e tij, dhe në fund, Olldashin, të cilin, një figurë kontraverse e thellësisht mafioze si Fazlliç, e futi në lojë në vendin e Bashës, vetëm për të humbur.

Megjithatë Rama, edhe pse kishte pas vetes të gjitha forcat e së majtës, nuk mendonte të bëhej pjesë politike e saj. Kishte qenë në thellësinë e saj, por nuk lagej nga breshëri i politikës. Jetonte në ishullin e tij të pushtetit, duke menduar tokat e qëndrueshme të mëvonshme. Ishte bërë idhulli i socialistëve, sidomos të Tiranës, pa qenë njëri prej tyre. Po bëhej idhulli i të gjithë socialistëve, pa menduar se pas tij qëndronin shumë struktura partiake, të cilat, edhe pse kishin një lider, Nanon, ndjenin më shumë për tjetrin, që, edhe pse nuk ishte de jure i tyre, ishte de fakto.

Pra, nuk ishte dashuri me shikimin e parë. Edi Rama e njohu thellësisht forcën që më pas do i bëhej lider, por e njihte pa qenë brenda saj. Nëse zakonisht thonë për diçka që është brenda një zhvillimi se, e di luga se çfarë ka vekshi, Edi Rama nuk pranonte asaj kohe të ishte as luga e as vekshi. Partia e fuqishme, me një elektorat të qëndrueshëm, por që nuk kishte qenë aq entuziste ndaj të tjerëve, po bëhej entuziste për atë, që në fakt, deri asaj kohe nuk kishte qenë entuziast për vetë këtë forcë politike. Edi Rama, megjithëse njeri i pasioneve, nuk u bë pasionant nga takimi i parë me staturën politike që më pas do i bëhej personifikimi i saj, por edhe krejt i huaj nuk qëndroi ndaj saj. Ai, si duket, zgjodhi rrugën e depërtimit përmes figurës, një pune që dukej se do të ishte e pazakontë dhe që, më shumë se sa vetë fjalët e tij, do të tundonin socialistët për ta patur atë diku, mes tyre, por ishte tepër shpejt për të qenë lideri i padiskutueshëm, si është sot.

Vizioni i socialistëve nuk ishte si kënga e sirenave për një njeri që fillimisht kishte aspiruar djathtas, tepër djathtas, ndoshta më radikali i atyre që do të shfaqeshin më pas si radikalë, idhtar i një pastrimi të menjëhershëm të politikës, të një pastrimi pa dhimbje, dhe nga kjo, më shumë se socialistët, u ndjenë të rrezikuar pikërisht ata që më pas do të shfaqeshin si më të djathtët e të djathtëve, por që në fakt do të ishte një makutëri bashibozuke e pashembullt, që e prishën çdo gjë në këtë ëndërr demokracie.

E djathta e Edi Ramës, si duket kishte qenë vrulli i parë i një mendimi politik, që kishte njohur më herët se të tjerët boshllëkun e një sistemi në kalbëzim, dhe që përmes refleksioneve, diçka e re, megjithëse të vonshme, ishin diç më e re, tërheqëse, ndjellëse dhe rebeluese. Por, jo përtej saj.

Nuk është ky rasti i parë që e majta është tërheqëse për pasionantë të së djathtës, të cilët, dhe kjo është e domosdoshme, janë shumë më të kulturuar se ata që i rrethojnë në vetë të djathtën. Fransua Miteran është njëri prej tyre. Presidenti më i kulturuar francez, njeriu që mposhti edhe mitin e De Golit dhe që e bëri emrin e tij simbol të Francës , ia arriti kësaj duke u nisur nga e djathta, nga rezistenca franceze, nga miklimi i qeverisë së Vishisë, por edhe nga këmbëngulja për të mos qenë pjesë e një kabineti golian, ku ai nuk do të ishte në rradhën e parë të violinave qeverisëse. De Goli nuk ia harroi kurrë këtë, ai nuk e harroi njeriun që ishte paraqitur më radikal dhe më nacionalist se ai vetë, që me ftohtësinë goliane e kishte larguar nga rradhët, pa e ditur se haku do i merrej shumë shpejt. Kjo ndodhi edhe me Ramën. I larguar nga pushteti i Berishës, ai u tërhoq për disa kohë në botën e tij, gjysmë boheme, gjysmë filozofike, për të hedhur tej pushtetin e Berishës, por me dallimin e vetëm se Berisha nuk kishte asnjë copë të petkut të De Golit.

Rama erdhi po kështu në Partinë Socialiste, por, ndërsa rruga ishte e përbashkët me mitin e socialistëve francezë, kishte edhe ndryshime në rrethin që e mbështillte. Intelektualët më të shquar të Francës u bënë krahët e Miteranit, përmes së cilëve dhe me të cilët, për 14 vite radhazi, herë me qeveri të majta, herë me qeveri të djathta ai mbetej sfinksi i presidencës, që, sa ishte mistik, aq ishte edhe i pranishëm.

Rama, pasi e kaloi fazën e asaj që mund të quhej dashuri me shikimin e parë në partinë që drejton, gjërat,si duket, i mendoi më qetë se sa pasionantët politikë, megjithëse pasionant si njeri. Ai iu drejtua strukturës politike në një kohë kur asaj kishin filluar t’i merreshin këmbët, dhe kur dualizmi mes tij dhe zotit Nano, njeriut që po rrëshqiste nga adhurimi në humbjen e vëmendjes, ishte krejt i afërt. Edi Rama ishte i mirëpritur nga socialistët, kreu i tyre i asaj kohe i tha ‘mirëseerdhe’, megjithëse ndjehej ironia dhe pendimi përse e kishte sjellë në qeveri dhe i kishte dhënë bashkinë, që në fund e mori vetë. Ai ishte i mirëpritur, pasi zenithi i tij politik ishte në ngjitje ende, ai nuk kishte arritur kulmin dhe socialistët, ndoshta me naivitet menduan se zenithi i tij do të ishte edhe zenithi i tyre.

Socialistët nuk u dashuruan me shikim të parë me Edi Ramën, ashtu si ai nuk ishte dashuruar me ta në pamjen e parë. Por, më tej, të dyja palët e ndjenë domosdoshmërinë e njësimit, besimi shkoi nga të rinjtë drejt më të vjetërve, deri sa nuk dihej se ku ishte vija që i kishte ndarë disa kohë më parë.

Ata që mendojnë se Rama është njëkohësisht, kryetar i partisë dhe militant i saj, ata janë të gabuar. Ai është pika e referimit të tyre, pika më e lartë, është pa asnjë dyshim figura e tashme më frymëzuese që kanë dhe që kanë patur deri tani, por, mos i gënjejë mendja, ai nuk do të jetë edhe më pas aty, militant, i përbashkët, njeriu që do i vërë shpatullat kur ajo të anohet sado pak. Edi Rama mund të jetë lideri i shkëlqyer, dhe është në disa përmasa, por nuk është mbështetësi i shkëlqyer. Ai u dha frymëzim socialistëve, dhe, duhet thënë, vazhdon t’u japë, përmes tij njerëzit janë gjithnjë e më tej pjesë e frymëzimit socialist, dhe përtej saj, ai i dha një frymëmarrje të re, e cila, megjithëse mbështillet me idenë e laburizmit britanik, nuk është asgjë tjetër, veçse perceptimi i tij për një të majtë, që ende nuk është e majtë si duhet dhe, njëkohësisht nuk është as e qendrës së majtë. Më shumë se sa një parti politike strikte, organizative, më shumë një piramidë politike, se sa një lirshmëri politike, Rama, në mendimin e tij ka idenë, dhe jam i bindur për këtë, për krijimin e një lëvizjeje politike, rilindase apo jo, me tipare sipas përcaktimit të tij. Ai kërkon më shumë një parti parlamentare, ku partia tradicionale të shërbejë pikërisht për këtë të parën, partinë parlamentare.

Pra, ndërlidhja mes tij dhe socialistëve, duke mos qenë një dashuri me shikimin e parë, nuk është njëkohësisht as një martesë e sforcuar.

Ajo është një gjetje politike me dy anë. Ana e shumicës dëshironte dhe vuante të kishte një lider karizmatik dhe kur e gjeti atë, Ramën, e bëri pjesë e tij, duke e ndjekur atë, herë pas here me atë skajimin që ka një bazë militante. Ramës iu donte një shumësi politike, strukturat e së cilës nuk i kishte ngritur vetë, por i duhej që të bënte reale idetë dhe vizionet që ai kishte për politikën e për shtetin, dhe që, përmes saj, të bënte të prekshme një ëndërr të vjetër, të ishte pjesë e historisë. Pikë për pikë si Fransua Miteran në pikun e shkëlqimit të tij.

Socialistët kanë sot liderin më intelektual që kanë pasur në periudhën pas pluraliste. E kanë gjetur atë dhe ai i ka gjetur ata. Në këtë dashuri në kohën e qeverisjes, asnjë lëvizje blushiane, edhe pse aspiron për më shumë, duke manipuluar me pjesë të vogla të së vërtetës, nuk ia heq dot shkëmbin ku e kanë vendosur fillimisht dhe ku është ngjitur më pas. Lëvizja e Blushit për ndryshim politik, që rastësisht apo jo, koinçidon me botimin e ndonjë libri të ri nga ai, është vetëm zhurma e mullirit, ndërsa mokrrat bluajnë grurë. Nuk është zhurma ajo që bën shtetin, dhe, kur dikush tjetër, cilido qoftë ai, aq më shumë lideri yt, përmes një mundimi sizifian, kërkon të ringrejë atë që është shembur, shtetin pra, nuk është gjë e dobishme të ulërish.

Të jemi të sinqertë. Ajo që i mungon Ramës është forca për të ndëshkuar të keqen, por nëse kërkon të ndëshkojë mendimin ndryshe brenda vetes, ai nuk do të jetë njeriu i konceptit laburist për parinë, por, edhe më tej se kaq, nuk do të jetë njeriu që sillte vetë mendimin e qëndrimin ndryshe në forcën politike që drejton dhe, jo rastësisht, e pranuan si lider, pikërisht për ndryshimin që kërkoi. Mosndëshkimi i së keqes nga Rama, brenda shtetit, është dobësia e tij, dhe këtë e ndjejnë socialistët që duke e ditur se mes tyre dhe Ramës ka një kontratë politike, e shpërpjestuar në progresion gjeometrik edhe tek të tjerët, mosplotësimi i saj do të jetë shprishja e proporcionit të dashurisë mes liderit dhe masës.

Pas Fan Nolit, duam apo nuk duam, Rama është drejtuesi më intelektual që kemi pasur e vazhdojmë të kemi, por jo më pragmatisti, jo më i sakti dhe më i vendosur në mbajtjen e fjalës së dhënë.

Por kjo është një temë e së ardhmes.

Sot, e shtunë, është dita kur dashje pa dashje, socialistët verifikojnë edhe një herë kontratën e tyre, një kontratë që është bërë pjesë edhe e të tjerëve, njerëzve të zakonshëm, jashtë rrjedhave të politikës aktive.

Është një kontratë, e cila e ka të shkruar pjesën themelore të saj, por që shumë lehtësisht mund të kthehet në diçka të re.

Në cilën?

Nëse marrëdhënia mes Ramës dhe socialistëve nuk është as dashuri me shikimin e parë dhe as martesë e detyruar, ajo lehtësisht mund të jetë një marrëdhënie e qëndrueshme, jashtë statuseve partiake, por që mund të përcjellë njëkohshëm, edhe vizionin e Ramës dhe ëndrrën e një shumësie njerëzore që, duke aspiruar për ndryshimin e domosdoshëm, aspiron njëkohësisht edhe për ringritjen e një vendi që askush nuk do e kishte shkatërruar më keq, se sa e shkatërruan politikanët shqiptarë. Socialistët, sot për sot, ndoshta edhe për shumë vite, nuk mund të kenë, brenda strukturës së tyre, një lider më të fuqishëm, se sa zoti Rama. Këtë, më mirë se kushdo e di Ben Blushi, ndaj edhe e ka shpallur luftën e tij, duke synuar të ketë ndeshje me majat, megjithëse vetë nuk është majë e askujt. E ndoshta, as mashë e askujt.

Do të ndodhë kjo?

Lidhjet e mëdha, ato të fshehura brenda vetes dhe pjesë e pashmangshme e jetës, nuk shfaqen rastësisht. Këtë unë e di mirë dhe këto ditë e pranova edhe një herë se lidhjet e mëdha janë ato që lëvizin gjithçka. Edhe të pamundurën, nëse duam ta bëjmë këtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button