Ekonomia

“EITI Albania”/ Këtë vit dy raporte të transparencës për industrinë nxjerrëse

“EITI Albania” do të publikojë brenda vitit dy raportet e reja të transparencës për vitet 2013 dhe 2014, prej nga pritet shifra dhe të dhënat më aktuale që ndihmojnë për të kuptuar se ç’ndodh me burimet natyrore në teritorin e Shqipërisë.
zone-mineral-mbajtsePër vitin 2015 burimet hidrike janë në fokusin e veprimtarisë së EITI, për të vlerësuar kontributin potencial të kësaj industrie në PBB.
Këto ditë, në përfundim të procedurave për përzgjedhjen e konsulentit të shërbimit “Përzgjedhja e një firme për përgatitjen e studimit mbi potencialin e të ardhurave nga industria nxjerrëse”, fitues u shpall kompania “Ernst & Young et Associes” me qendër në Francë, thuhet ne faqen zyrtare te “Alb EITI”-t.
“EITI Albania” ka ndërmarrë një studim pët të matur rezervat aktuale, projektet e pritshme, potencialin e të ardhurave nga industritë nxjerrëse dhe krijimin e një modeli ekonomik për industrinë, në përfundim të të cilit, priten të dhëna mbi kontributin e pritshëm të tyre në PBB, sa i formalizuar është tregu, etj.
Rishikimi i ligjit minerar në Tetor vjet dhe atij hidrokarbur këtë vit, detyron subjektet që shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore të raportojnë mbi zhvillimet e veprimtarisë së tyre dhe të dhënat dorëzohen pranë organizatës “Alb EITI”, pjesë e nismës ndërkombëtare mbi transparencën e të dhënave në shfrytëzimin minerar.
Mbikqyrja e industrisë nxjerrëse minerare dhe publikimi i të dhënave ka bërë që të ardhurat nga sektori të shënojnë rritje gjatë viteve që nga viti 2008 kur nisën raportimet e të dhënave. Raporti i fundit përfshin veprimtarinë nxjerrëse për vitin 2012 ku kontributi i sektorit nxjerrës në PPB ishte 5.4%, nga 4.3% në 2011-tën, ose në vlerë 1.335 miliardë lekë kontribut në buxhet nga subjektet private që shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore.
Masat që ka nisur ministria e Industrisë për rregullimin e sektorit dhe penalizimet ndaj subjekteve abuzuese, kanë rregulluar më tej veprimtarinë minerare në vend, ndonëse pjesa më e madhe e të ardhurave në sektor vjen nga eksporti i produkteve, kryesisht nafta dhe kromi.
Në Shqipëri industria nxjerrëse kontribuon vetëm me 2,5% në buxhet, ndonëse vendi ka fushën më e madhe naftëmbajtese në Europë, ndërsa ka rezerva të mëdha natyrore edhe në krom, bakër, hekur nikel dhe gur gëlqeror. “EITI Albania” vjet dha dy raporte të transparencës EITI për vitet 2011 dhe 2012, në bazë të të cilëve, volumi i të licensuarve në industritë nxjerrëse dhe volumi i aktivitetit ekonomik në zonat, kontribuan me të ardhura shumë të ulta në PBB dhe në buxhetin e shtetit.
Nëse kontributi i këtyre industrive në PBB-në e vitit 1990 ishte rreth 40 %, në vitin 2012 ishte rreth 5.6 % dhe në buxhetin e shtetit 2.5 %. Vërehet se trendi i madhësisë së kontributit i të ardhurave të industrisë nxjerrëse në PBB dhe buxhetin e shtetit ka qenë rritës. Në vitin 2012 ky kontribut në PBB ishte 5.6 % e totalit, përkundrejt 2 % në vitin 2009.
Në vitin 2012, sipas ” EITI Albania”, prodhimi total i naftës dhe mineraleve të tjera arriti në vlerën 65.8 miliardë lekë, nga 70.7 miliardë lekë në vitin 2011. Nafta zinte 76% të prodhimit total në vitin 2012 dhe 68% në vitin 2011 dhe rreth 85% e saj u prodhua nga puset në zonën Patos-Marinëz nga kompania “Bankers Petroleum”.
Prodhimi i kromit në vitin 2012 zinte rreth 62% të prodhimit minerar dhe 66% në vitin 2011, ku zona e Bulqizës mban vendin kryesor në prodhimin total të kromit.
Në vitin 2012, transferimet e rentës minerare për pushtetin vendor arritën në 41.7 milionë lekë, që përbën 0.6% të rentës së mbledhur në total, ose 2.3% e totalit të rentës së transferueshme në përputhje me ligjin për taksat kombëtare.
“EITI Albania” (Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri) është pjesë e koalicionit global të qeverive, kompanive dhe shoqërisë civile për të punuar së bashku për të përmirësuar transparencën dhe menaxhimin e përgjegjshëm të të ardhurave nga burimet natyrore të një vendi, EITI (Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse).
Qeveria shqiptare ka ndërtuar një axhendë agresive drejt arritjes së plotë të transparencës dhe mirëqeverisjes së burimeve natyrore në vendin tonë, duke konsuderuar që burimet natyrore janë pasuri kombëtare, që u përkasin qytetarëve.
EITI u lançua në vitin 2002 nga Toni Blair, aso kohe kryeministër i Anglisë, në Samitin Botëror për Zhvillim të Qëndrueshëm, që u mbajt në Johanesburg, (Afrika e Jugut) si një nismë ndërkombëtare, me qëllim, përmirësimin e transparencës dhe dhënies llogari në vendet e pasura me minerale, naftë dhe gaz. Këto vende pavarësisht se kanë potenciale dhe burime natyrore, sipas studimeve të shumta rezulton se ato karakterizohen nga rritja e vogël ekonomike, shkallë e lartë korrupsioni, konflikte sociale, sikurse po ndodh sot në Lindjen e Mesme, etj.
Shqipëria është bërë anëtare e EITI në vitin 2011, ndërsa raportet me të dhënat e sektorit i nisi që në vitin 2008. Në botë, janë rreth 50 shtete që janë bërë pjesë e Nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse, ndër to SHBA, Kanadaja, etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button