Ekipi nga Turqia prezanton në Tiranë “sistemin e arsimimit në distancë”
Është prezantuar sot në ambientet e Institutit Yunus Emre në Tiranë me anë të një konference mundësia e studimit në distancë në Turqi. Prezantimi i këtij sistemi u bë nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit të Turqisë si dhe një përfaqësuesit e Universitetit Anadolu i cili mbart dhe numrin më të madh të studentëve në distancë në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë merrnin pjesë drejtori i Përgjithshëm i “Të mësuarit gjatë gjithë jetës”, pranë Ministrisë së Arsimit të Turqisë, Ali Riza Altunel, kryetar i Departamentit pranë Ministrisë së Arsimit në Turqi, Mehmet Zeki Başyemenici, këshilltarja e Arsimit dhe Kulturës në Ambasadën Turke në Tiranë, Gül Sarıgül, përfaqësues i Universitetit Anadolu, profesor i asociuar, Köksal Büyük, drejtori i Institutit Yunus Emre në Tiranë, Salih Gültekin si dhe përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme në Shqipëri.
Në fjalën e tij për prezantimin e programit ‘arsim në distancë”, Altunel dha detaje për funksionimin e programeve mësimore të shkollave të mesme dhe universitare.
Duke nënvizuar se të mësuarit nuk ka kufi dhe moshë, Altunel theksoi se këto programe janë një shans i mirë jo vetëm për qytetarët e Turqisë, por edhe për turqit që jetojnë jashtë vendit si dhe qytetarët e huaj që dëshirojnë të mbarojnë studimet e tyre, por për shkak të problemeve të shumta nuk kanë mundur ti kryejnë ato.
Altunel tha se programi prej disa vitesh është duke u zbatuar në vendet e Evropës Perëndimore, Kaukazit dhe SHBA-së dhe se dëshira e tyre është përhapja e tij edhe në vendet e Ballkanit.
Duke dhënë detaje të mëtejshme për programin e studimit në distance Altunel tha: “Është një mundësi e mirë për të gjithë ata që nuk munden të studiojnë një degë të caktuar. Diplomat tona janë të njohura sipas standardeve dhe ndërkombëtarisht. Mjafton që një person të dijë turqisht dhe duke mos u shkëputur nga puna mund të mbarojë një shkollë në saj të këtij programi, madje duke i kryer provimet këtu në Tiranë pranë Institutit Yunus Emre.”
Nga ana tjetër Köksal Büyük, profesor i asociuar nga Universiteti Anadolu, duke dhënë detaje mbi arsimimin në distancë pranë universitetit që ai përfaqëson tha: “Qëllimi jonë nuk është fitimi, por ardhja në ndihmë personave që për një arsye apo një tjetër nuk mund të studiojnë, duke i dhënë mundësi që të realizojnë ëndrrën e tyre dhe me një kosto të ulët si dhe me standarde ndërkombëtare.”
Büyük tha se përmes aplikacioneve online studentëve të cilët marrin arsim në distancë ju ofrohen shumë mundësi dhe ndihmë materiale si dhe i’u dërgohen edhe libra si materiale shtesë ndihmëse.
Ekipi i ardhur nga Turqia ditën e djeshme u ndal në Prishtinë ku prezantuan programet në ambientet e Institutit Yunus Emre në Prishtinë. Pas Shqipërisë ky ekip do të qëndrojnë në Maqedoni dhe më pas do të përfundojnë turin informues në Bullgari.