Ekonomia

Eksporti i energjisë: Tregjet kryesore Greqia, Zvicra dhe Serbia

Open Data Albania po hulumton mbi çmimin, sasinë dhe vlerat në eksport – import të energjisë elektrike në vitet 2008-2013.

energjiaNë zbatim të kërkesave të Modelit Shqiptar të Tregut, importet e energjisë elektrike për nevoja publike në vendin tonë, kryhen nga furnizuesi publik me shumicë (FPSH), me përbërje të KESH-it, CEZ Shpërndarje sh.a dhe Furnizuesit e Kualifikuar. Deri në fund të vitit 2013 në vendin tonë janë të licencuar 23 subjekte si furnizues të kualifikuar; 55 subjekte për tregtimin e energjisë elektrike dhe 88 subjekte për prodhimin e energjisë elektrike.
Eksportet e energjisë elektrike, si në sasi ashtu edhe në vlerë kanë ardhur në rritje nga viti 2008 deri në vitin 2010. Më pas, në dy vitet në vazhdim, përkatësisht 2011 dhe 2012 kemi rënie të mëdha të eksportit të energjisë elektrike. Vitin që lamë pas, situata e eksportit u përmirësua, duke pësuar një rritje vjetore me 226% të sasisë së eksportuar. Në vitet e marra në shqyrtim, destinacionet kryesore të eksportit të energjisë elektrike, si në sasi ashtu edhe në vlerë, i referohen vendeve si Greqia, Zvicra, Serbia. Po ashtu, Çekia dhe Sllovenia paraqiten si vende ku të tregtimit të energjisë elektrike për katër vitet e fundit. Çmimi mesatar në eksport i energjisë elektrike ka pësuar rënie te vazhdueshme përgjatë viteve 2008-2011. Në vitin 2012 pati një përmirësim të çmimit mesatar të eksportit të energjisë elektrike, por kjo rritje nuk vazhdoi shumë gjatë, pasi në vitin 2013 çmimi mesatar në eksport i energjisë elektrike ra me 35% krahasuar me një vit më parë.
Importet e energjisë elektrike kanë ndjekur një trend të kundërt me eksportet, por në të gjitha vitet kemi një bilanc tregtar negativ, ku vlerat dhe sasitë e importeve janë më të mëdha sesa vlerat dhe sasitë e eksporteve. Vendi ynë ka blerë energji elektrike vazhdimisht përgjatë këtyre viteve nga Serbia, Çekia dhe Zvicra. Pjesë e vendeve nga ku kemi importuar energji elektrike janë edhe Greqia, Hungaria, Franca, Sllovenia, por në sasi dhe vlera më të vogla.
Çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike nga importi ka ardhur në rënie përgjatë viteve 2008-2010. Në dy vitet në vijim, çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike pësoi rritje, por në vitin 2013 u karakterizua nga një rënie me 24% krahasuar me një vit më parë. Çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike nga importi shfaqet i ndryshëm në varësi të vendeve ku blihet energjia elektrike. Për vitin 2013, Mali i Zi dhe Serbia janë vendet që ia kanë shitur më lirë shtetit Shqiptar energjinë elektrike. Vendi ynë e ka eksportuar energjinë elektrike drejt këtyre vendeve me një çmim më të ulët sesa çmimi i blerjes nga importi, po nga këto vende. Diferencat më të mëdha mes çmimit të eksportit dhe çmimit të blerjes nga importi, vendi ynë i ka me Zvicrën, Francën, Çekinë.
Në pozita jo të favorshme vendi ynë renditet edhe ndaj vendeve të rajonit. Çmimi mesatar në eksport i energjisë elektrike të tregtuar në vitin 2013, e rendit vendin tonë në fund të listës për çmimin më të ulët, me vetëm 4.39 Lek për Kw/Orë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit e kanë tregtuar energjinë elektrike në vitin 2013 me një çmim mesatar mbi 6 Lek për Kw/Orë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button