Elbasani dhe Egnatia ndahen në paqe dhe pa gola dhe me nga një lojtar më pak
Kryesfida e Javës së 29-të të kategorisë Superiore, ajo mes AF Elbasani-Egnatia, e luajtur në “Elbasan Arena”, u mbyll në barazimin e bardhë 0-0.
Egnatia udhëtoi sot drejt Elbasanit në një nga transfertat më të vështira të sezonit.
Këto dy ekipe erdhën në ndeshjen e sotme me një bilanc nga 2 fitore secili ekip dhe 3 barazime, në shtatë përballjet që AF Elbasani ka pasur me Egnatian.
Por sot vëmendja e skuadrës mike nuk ishte vetëm te kundërshtari. Skuadra rrogozhinase gjendej përballë një situate të rrallë dhe të komplikuar, pasi i gjithë stafi teknik i saj është pezulluar nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës me 5 ndeshje (ndërsa trajneri Edlir Tetova me 6 muaj), duke lënë një boshllëk të madh në drejtimin e ekipit në këtë sfidë vendimtare. Në futboll roli i stafit teknik është thelbësor jo vetëm në aspektin teknik, por edhe për menaxhimin emocional të skuadrës gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Egnatias po ashtu i mungonte kapiteni Albano Aleksi për shkak pezullimi nga Disiplina. Xhemajli ndërkohë nuk është pjesë e skuadrës, pas kartonit të kuq që mori ndaj Vllaznisë.
Ndërsa tek vendasit portieri 20-vjeçar Klevi Totoshi zuri vendin e portierit Janaçek, i cili u dëmtua në ndeshjen me Flamurtarin dhe akoma nuk është zbuluar koha e rikuperimit. Verdheblutë ndodhen në krye të renditjes së bashku me Vllazninë, me 2 pikë më shumë se Egnatia.
Në minutën e gjashtë, Boje i Elbasanit, i ardhur në merkaton e janarit tek verdheblutë, doli me karton të kuq, pasi goditi lojtarin kundërshtar Sota. Ky moment u rishikua në VAR nga gjyqtari kryesor i takimit Andi Koçi.
Në minutën e 27-të Ruçi i Egnatias e la ekipin me 10 lojtarë, pasi mori kartonin e dytë të verdhë, duke barazuar forcat në fushë.
Në pjesën e parë vlen të përmendet një shtyllë e Lajthisë për vendasit.
Pjesa e dytë foli më shumë për vendasit, të cilët me gjithë rastet e krijuara nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës.
Me barazimin e sotëm Elbasani shkon në kuotën e 53 pikëve, ndërsa Egnatia në atë të 51 pikëve.
Edhe e shtuna sjell përballje të rëndësishme. Bylis do të përballet me Flamurtarin në një sfidë ku të dyja skuadrat synojnë maksimumin e pikëve. Takimi është planifikuar të zhvillohet në ora 15:00, në stadiumin “Adush Muça”.
Vllaznia kryesuese do të presë në shtëpi Dinamo City-n, ndërsa Partizani do të udhëtojë drejt Durrësit për t’u përballur me Teutën. Të dyja këto sfida do të luhen në ora 18:00.
Java do të mbyllet të dielën, më 22 mars, me ndeshjen mes Tiranës dhe FK Vorës, që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në ora 15:00.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.