Elezi: KQZ e gatshme për zgjedhjet e nesërme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen nesër. Këtë proces zgjedhor do ta vëzhgojnë rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për KosovaPress, theksoi se edhe pse ka qenë një kohë e shkurtër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, KQZ ka arritur që me kohë t’i kryej të gjitha përgatitjet dhe të jetë gati për nesër.
“KQZ menjëherë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës ka filluar me përgatitjet intensive të këtij procesi zgjedhor. Është e kuptueshme që procesi i organizimit të zgjedhjeve të parakohshme është sfidues në aspektin kohor, megjithëkëtë KQZ ka arritur që edhe për pse koha e shkurtër ka arritur të përmbush detyrimet e tij në mënyrë që gjithçka të jetë gati për ditën e nesërme, 11 qershor”, tha Elezi.
Për ditën e nesërme në gjithë Kosovën do të hapen 889 qendra votimi me gjithsejtë 2,490 vendvotime, derisa numri i votuesve është 1, 872, 941 votues. Vendvotimet do të përgatiten gjatë ditës së sotme në mënyrë që nesër ato të jenë gati, derisa materiali sensitiv do të shpërndahet në orët e hershme të ditës së nesërme.
Një numër i madh i organizatave jo-qeveritare vendore e ndërkombëtare kanë shprehur interesim për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Elezi konfirmoi se tashmë KQZ ka akredituar rreth 30 mijë vëzhgues për këtë proces zgjedhor.
“Gjatë ditës së premte KQZ ka përmbyllur procesin e akreditimit të vëzhguesve që do të jenë në ditën e zgjedhjeve por edhe më vonë. Në përgjithësi numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja është rreth 30 mijë. Këta vëzhgues përfaqësojnë subjekte të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, pastaj organizata jo qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare si dhe do të ketë përfaqësues drejtues të institucioneve nga vendet e botës kryesisht të trupave menaxhuese të zgjedhjeve që kanë shprehur interesim për të ardhur në Kosovë për të përcjellë nga afër procesin zgjedhorë këtu”, theksoi ai.
Rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve, Elezi thotë se nuk do të vonohen, meqë është vetëm një fletëvotim dhe se numërimi do të jetë më i shpejt.
“Edhe kësaj radhe KQZ do të zbatoj procedurën e transmetimit të drejtpërdrejt të rezultateve të cilat na vijnë nga të gjitha vendvotimet në Kosovë menjëherë pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve dhe procedurave të tjera dhe këto rezultate do të shfaqen gradualisht në faqen e KQZ-së. Ne po shpresojmë që duke pasur parasysh se do të ketë vetëm një fletëvotim, për dallim prej zgjedhjeve lokale që janë dy fletëvotime, një për kryetar komune dhe një për asamble komunale, besojmë se kjo ndikon në numërimin me të shpejt të numërimeve dhe besojmë se deri në mesnatë të kemi rezultatet jo përfundimtare sa i përket zgjedhjeve të ditës së nesërme”, u shpreh ai.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të përkujdesën e Policia dhe prokuroria e shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja ka nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi. Elezi theksoi se bashkëpunimi me këto institucione është mirë dhe se besojnë se gjithçka do të shkoj mirë sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të ditës së nesërme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 26 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare.
Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 971 kandidatë për deputetë.