Ema Andrea: Do doja që dikush t’i lexonte heshtjet e mia
Intervista/ Aktorja e njohur vjen në një bisedë ndryshe mbi ikjet, dëshirat dhe pengjet dhe dy rolet e saj të fundit
Nga Alda Bardhyli
Një grua që të mëson me dhembjen, eksperimenton me të, Ema Andrea ishte zgjedhja e duhur e regjisorit Bujat Alimani, për filmin “Vëthi I munguar”, I cili vetëm pak ditë më parë pati premierën në Tiranë. Një grua e tradhëtuar e cila kërkon të gjejë kufijtë e vetes, duke lexuar aty në apartamentin që ndante me të shoqin, sytë dhe mimikën e një tjetër gruaje, të dashurës së tij. Një raport I fortë femëror, shkruar me gjuhën e një burri që na jep të vërtetat e mëndjes së një gruaje, e cila është prekur thellë në dinjitetin e saj. Ema Andrea vjen më poshtë në një rrëfim jo vetëm për këtë grua, por dhe për gruan që vetë është…
Si janë netët e tua?
Mbrëmjet e mia janë plot jetë. Kam orën më kreative në mbrëmje, pas orës 22.30, megjithëse, kjo më krijon probleme disi me aktivitetet sociale që zhvillohen gjatë ditës. Por, natën e kam shumë të shtrenjtë. Eshtë momenti I vetmisë, momenti kur shkarkoj lodhjen. Nëse mund të flisnim për aktivitet psikologjik, për mua ky aktivitet I përket natës. Besoj që jam një njeri që i përkas natës. Natën nuk ia jap dot njeriu, e mbaj për vete.
Shumë gjëra duket se ndodhin natën. Vendimet më të rëndësishme merren natën… Tek ty si ndodh?
Nata për mua është raport me veten. Shumë vendime që i marr natën, ndodh që në mëngjes më zhbëhen. Drita e mëngjesit duket sikur I zhbën ëndërrimet, nëse mund ti quajmë kështu vendimet që merren natën. Ndoshta është nata që të jep më shumë kurajë, pasi raporti me veten të jep kurajo. Drita të zhbën pak, pasi trajtat e qarta që shikon, ngjyrat, ta zhbëjnë pak këtë raportin e vetëbesimit.
Ndoshta se errësira të bën të mendosh më thellë?
Më shumë sesa errësira është dhe vetmia. Nuk ka zhurmë, je me veten, e nuk ngacmohesh nga gjëra të parëndësishme, pasi dita shpesh të shqetëson me zhurma të parëndësishme. Natën nuk ke detyrime nga ato që të duhet ti përgjigjesh, nuk ke orare, ankthe, e ndoshta kjo, bën që ne të themi shpesh që nata është e qetë, ndoshta për faktin që jemi me veten.
Shumë njerëz kanë frikë nga errësira, nga ai këndi ku ti je vetëm e mendon. Ju keni frikë nga errësira?
Po nuk e njohe errësirën në të gjitha kuptimet nuk mund ta shohësh dritën, megjithëse në kuptimin fizik të fjalës, unë e kam frikë, pasi më jep pasiguri, nuk lëviz dot, e duket sikur humb ekuilibrin. Por jam mësuar me errësirën, kaloj orë të tëra me të e heshtjen.
Sa i rëndësishëm është leximi I heshtjes?
Eshtë aq I rëndësishëm sa I pamundur. Kam përshtypjen se nata, errësira dhe heshtja, më shumë të ushqejnë iluzionet sesa I shkojnë asaj që ti ke kuptuar vërtet. Eshtë një lloj gënjeshtre, si një lojë midis vetes e vetes. Sa më shumë rritesh kupton sa mund të mbajë ena jote, apo sa do ti vetë të kuptosh. Ndoshta kjo lidhjet me iluzionet, por do doja që dikush ti lexonte heshtjet e mia.
Si është raporti yt me iluzionet?
Unë besoj që raportin me kohën e kam të ngatërruar, pikërisht se, ushqej shumë iluzionet.Kjo ma lehtëson punën e raportit me kohën. Në një farë mënyre, iluzionet më kanë shpëtuar, pasi më kanë humbur raportin me kohën. Nëse njerëzit I quajnë të rrezikshme iluzionet, do të thotë që kanë vendosur të jetojnë vitet që të tjerët kanë caktuar për to. Të mendosh që qënia njerëzore është materie dhe vetëm materie, humbja e tyre është humbja e vetes, apo varfëri.
Vetëm pak ditë më parë u shfaq premiera e filmit “Vëthi I munguar”, I regjisorit Bujar Alimani, ku ju intepretonit jo vetëm një grua të fortë, por dhe një grua të tradhëtuar…
Përpara se të flas për rolin dua të them si erdhëm deri në këtë rol. Eshtë një histori e bukur, pasi regjisori Bujar Alimani është një artist që jeton në një mënyrë të tillë. Me atë mund të mos shihesh 10 vjet dhe papritur, një natë vere, ti merr një mesazh (pasi ai e di që unë jam e natës, nuk fle), që në dua të punoj… E kështu nisi një dialog pa thënë mirëmbrëma apo si je, pasi dialogjet tona janë gjithnjë të tillë, hyjmë direkt në temë, sikur është një bisedë që kemi lënë para 10 vitesh. E kështu nisi kjo ide, për tu konkretizuar më pas ashtu sic unë I them shpesh Bujarit me humor, “do bëjmë filma e do pijmë birra”. Filmi është xhiruar përgjatë dy netëve, por natyrisht që më parë ka qënë një proces përgatitor me prova. Më hyri në gjak menjëherë skenari, mu duk një skenar jo lokal. Bujari ka ndërtuar një dialog të jashtëzakonshëm femëror. Por ky është një film që mua më pëlqen në kompleks, jo vetëm për personazhin tim. Por dhe aktorja tjetër Adele Gjoka ishte shumë e mirë, e patëm menjëherë kimi bashkë.
Një nga pyetjet që më erdhi mu orvat në mëndje pasi pash filmin, ishte deri ku mund të na ccojë dhembja?
Nuk besoj që është vetëm dhembja. Në këtë rast është dhembja dhe dorëzimi. Eshtë një film që nuk ka të drejta dhe ku e drejta e gjithsecilës arrin e kapërcehet. Edhe e dashura në këtë rast (Adele Gjoka), ka dramën e saj në mënyrën e përballjes me dashurinë dhe me jetën. Ajo ka një zgjedhje edhe pse kjo zgjedhje ka viktimë bashkëshorten, por ka dhe ajo dhembjen e saj. Kur arrijnë kulmin e urrejtjes në film është e natyrshme të shkojnë drejt një dëshire për aleancë femërore. Eshtë një lloj dorëzimi, por as kjo se ka ngjyrën e qartë në film. Nuk e dimë në do jetë një aleancë femërore që do të zgjasi deri në mëngjes, apo do jenë dy ishuj që do të jetojnë të ndarë.
Përtej dhembjes ky është një film për lirinë dhe për kufijtë që secili kemi në jetë…apo të vërtetat…
Sa më I pavarur të jesh aq më I pasigurt ndjehesh në raportet njerëzore. Raportet që ndryshe të ofrohen kur je I ri, e krejt ndryshe në mediume të tjera në kohë të tjera. E vërteta që ti jeton për fat të keq është më e pasigurt në raportet njerëzore në kuptimin e besimit, të raportit të ndërsjelltë, të përcaktuar në fund fare…
Filmi tregon se sa I vazhdueshëm dhe I pambarimtë është kërkimi drejt lumturisë…A mbaron ndonjëheherë ky kërkim?
Në momentin kur kupton që lumturia është cast e paqe me veten ke bërë një pakt. Tek unë për një periudhë kërkimi I lumturisë ka qënë me ankth të madh deri në patetizëm, me drama të forta, pastaj dalngadalë fillova të vlerësoj gjërat e vogla që kisha. Në një moshë të caktuar kuptova që duhet të vetëmjaftohesha, të paktën me ato që unë mund të krijoja për të qënë e lumtur. Por ndonjëherë kërkimi I lumturisë është në varësi me tjetrin. Por momentin kur ti lumturinë kërkon ta ndash e ta jetosh me dikë tjetër, shumë pak mjafton për ta prishur, për të shkatërruar besimin, ashtu sic ndodh edhe në film. Njeriu e mat raportin e tij në momente të vështira, pasi në momente të mira të gjithë janë mirë. Ne e kemi këtë, që në momente të vështira e duam njeriun e zemrës pranë. E nëse kjo femër, nuk e ka pasur njeriun e zemrës në castet e duhura, në humbjet e saj…kjo është drama e saj.
Ajo kërkonte vetëm një përgjigje…?
Po, por në sensin tjetër ajo nuk donte të dëgjonte. Donte të dëgjonte të vërteta krejt të tjera.
Ishit krejt ndryshe në rolin e Dorës, gruas së devotshme të Peter Shaffer, tek drama “Equus” nën regjinë e Dino Mustafiç. Ishe një Dora që të bëje të mendoje?
Mendoj që ky është roli I artit. Dora hyn tek ata personazhe që I kam ëndërruar, që janë personazhet që smë përkasin. Regjisorët shqiptarë bëjnë gabimin e madh që qasin natyrën e një aktori me personazhin. Kjo nuk është profesionale, pasi duhen qasur aftësitë e aktorit për ta trasformuar, nëse ka aftësi për të shkuar deri aty ku shkon. Aktori duhet të zbulojë, të shëndrrojë, të gjejë për të shkuar tek një figurë, e cila vjen në shumë mënyra. Dora ishte një nga këto figura, pasi gjithnjë kisha dashur një personazh me të cilin nuk associohem. E Dora për fat të mire, erdhi nga një regjisor I jashtëzakonshëm siç është Dino Mustafiç. Besoj që regjia e ka ushqyer këtë karakter me të gjitha përmasat deri ekstreme, të asaj që Dora përfaqëson, nënës konservatore, besimtare, e cila jeton në një gënjeshtër dhe për të cilën është shumë e rëndësishme dukja. Kjo nuk e bën, atë një nënë që nuk ka dhembshuri për djalin, por ka një formë jo direkte për ta dashur fëminë. Ajo tek djali shkon përmes bindjeve dhe parimeve të saj, ashtu siç vepron çdo personazh që I përket një dogme të caktuar.
Equus është një dramë e fortë psikologjike,por përtej kësaj është dhe një dramë mbi rëndësinë e edukimit, apo rëndësinë që ka fëmijëria në jetën e gjithsecilit. Si ka qënë fëmijëria jote?
Siç është dhe e tashmja, por me më shumë mbështetje dhe ngrohtësi e moskokëçarje. Unë vetëllastohesha kur isha e vogël, isha shumë spontane. Kisha një familje që ma lejonte këtë spontanitet. Kisha një nënë shumë të fortë, e në të njëjtën kohë dhe me shumë humor, pasi mami im qesh shumë bukur. Në mungesë të babait kemi qënë shumë të lidhur me motrën dhe vëllain, e të pavarur. Kemi qënë një brez në një farë mënyre I pavarur për njëmijë motive. Brezi I çelësit në qafë, I themi ne me humor. Sot, do ta ëndërroja të kishte një brez të pavarur, por nuk ka, pasi nuk ka qënë koha me kaq shumë sëmundje sociale. Kam pasur një fëmijëri me lojë dhe me shumë lodhje, pasi në klasë të pestë u futa në shkollën e baletit. Si çdo shkollë arti e ajo kishte një lodhje të madhe. Jam ushqyer shumë me bazën klasike e kjo vinte e nga shijet e im mëje. Fëmijëria ime është klasike kur e mendoj sot, e gjitha e ndërtuar me baza klasike në shije e figura.
Regjisori Kristaq Mitro e ka treguar disa herë si të piksasi mes shumë nxënësve tek shkolla e baletit, për të besuar bashkë me Ibrahim Muçajn rolin kryesor tek filmi “Një djalë dhe një vajzë”. Ju si e kujtoni atë moment?
Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro janë dy regjisorët e filmit “Një djalë e një vajzë”. Kristaqin e takoj shpesh dhe e dua fort, e me humor I them se “ti më ke marrë në qafë”. Kujtoja se do ishte profesion I bukur, por në fakt është tepër I lodhshëm, I mbushur shpesh me zhgwnjime e intriga. Në një sens ia dedikoj atyre zgjedhjen time në jetë. Atëherë ishte koha e kinoprovave, dhe ata kërkonin një aktore për filmin. Erdhën në shkollën e baletit dhe pasi bëra kinoprovën nuk e mendoja se do më merrnin, pasi nuk më dukej vetja aq e bukur sa për tu zgjedhur për film. Por kaq qënë një raport instiktiv në raport me skenarin. E kam lexuar dhe më ka zënë e qara tek monologu me babain. Më kujtohet se kur kam qënë me dublime, pasi në atë kohë filmat dubloheshin, Ibrahimi më thotë “moj vajzë e di që ke talent”. Ne kemi qënë brez që nuk kemi marrë komplimenta, e një kompliment I tillë I thënë nga një mësues mbahej mënd shumë, dhe ishte një motivim I madh. Më kujtohet se mu mbajt fryma, pasi nuk isha mësuar me fjalë të bukura. Ishin ata që ndikuan në zgjedhjen time për të studiuar për aktore dhe u jam mirënjohëse.
Megjithatë duket sikur historia e atij roli të ka ndjekur në jetë, një femër e paragjykuar nga një histori dashurie tregon dhe atë keqkuptimin me të cilin shpesh je përballur…?
Ai film dhe “Nata me hënë”, që e kam luajtur në vitin e parë të shkollës së lartë, duket se më kanë ndjekur në jetë. Ishte arritje e madhe ta nisje karrierën me një rol të tillë në Teatrin Kombëtar, ishte ta fillosh nga 100 gradë karrierën dhe historia e Marianës në një sens më ka ndjekur. Raporti I shoqërisë sonë me femrën që bie në sy ka qënë gjithmonë absurd, aq sa urrehej pse ishte e gjatë dhe kishte pardesy të bardhë (I referohem tekstit). Të dyja këto personazhe me jetët e tyre, më kanë ndjekur në një formë, por mendoj se kjo është historia e shumë femrave shqiptare.
Beson tek dashuria?
E besoj dashurinë dhe nuk do jetoja dot pa të. Pa të do kisha jetuar thjesht në rregull me botën por unë nuk dua të jetoj në rregull me botën. Besoj tek dashuria dhe dua të dashuroj e të dashurohem.
Çfarë ndodh kur një dashuri mbaron?
Fillon një tjetër…
Cili personazh femër do ishe në teatër?
Do doja një rol që nuk më ngjan. Ose një rol që më ngjan aty ku smë njohin të tjerët. Një grua e brishtë që dashuron tokën dhe jetën e thjeshtë. Unë s’mund të bëj dot më Ofeli, por mund të jetë Fedra, si një karakter që do më sfidonte shumë, nga sensualiteti dhe lufta dhe urrejtja e ikjes së moshës. Mund të ishte shumëdimensionale si rol.
Cilat janë pyetjet që I bën shpesh vetes?
Ku gabova?, është një pyetje që unë ia bëj shpesh vetes, e një nga gjërat që bëj sërish shpesh, është që I “hap sytë me vonesë”. Më duket sikur më iku koha duke bërë gabime. Nuk resht si bëri vetes pyetjen se çfarë dua? Dhe atëherë kur bëj atë që dua sërish nuk e marr përgjigjen, pasi diçka tjetër ka nisur të më tërheqi e vazhdoj të lumturohem me të. Por ka diçka në një sens, ëndrrat e mia I realizoj, ndoshta jo ashtu siç I kam ëndërruar, por nga pak I prek dhe në distancë kohe.
Si është raporti yt me të shkuarën, vitet që kanë ikur?
Mendoj se kam rënë në paqe me këtë gjë, kur mendoj se fundin e kam shok. Nga kjo përpiqem tu shpëtoj gjërave që kam humbur në të kaluarën dhe kjo jo për fajin tim. Mendoj që fati vjen ashtu siç e kërkon, pasi karma jote e bën një tërheqje të tille, nëse je një femër e fortë do hasës gjithnjë vështirësi. Nuk mund ta mohojmë që është fat I mirë apo I keq vendodhja jote gjeografike, vëndi ku ke lindur, përplasja që ke pasur me njerëzit që nuk I ke zgjedhur ti. Jo të gjithë ata me të cilët je përballur I ke zgjedhur ti, që më pas në një farë mënyre kanë ndërtuar destining tënd. Nuk kam pengje me të shkuarën, por kam panic. E shkuara më lidh fort me panikun e humbjes së gjërave që mendoj se do kasha merituar ti bëja. E sot ndaj urrej kur dikush diku ka në dorë një ëndërr timen. Ndoshta kjo më ka bërë të fortë, kur kuptova që askush nuk mund të ketë në dorë jetën time as ëndrrat e mia.
Humbjet çfarë janë për ty?
Rritesh kur humbet.
Sa e vështirë është të shohësh qartë?
Shumëm, sidomos për tipa iluziv. Ndonjëherë dhe e mohoj të parin qartë pasi kam frikë se mos më dhëmbi. Për ti shpëtuar dhembjes jetoj në ajër, në një iluzion. Kur I vendos këmbët në tokë dhembja është shumë e madhe.
Të gjithë ne kemi njerëz të rëndësishëm që i kemi takuar në rrugën për tu bërë këta që jemi. Si është raporti juaj me këta njerëz… Janë ende në jetën tënde?
Raporti im sot me njerëzit e së shkuarës është kthim. Në një periudhë të jetës unë humba shumë njerëz, rrugët na u ndanë. Nuk kanë shumë rëndësi motivet, pasi ato janë të ndryshme por sot veten nuk dua ta pyes pse, pasi kam frikë nga përgjigjja. Sot shoh që njerëzit janë kthyer me të njëjtin efekt dhe respekt, i cili kishte humbur diku dikur. Ky kthim më bën ti gjej njerëzit e së shkuarës në raport tjetër, por unë jam mirë me këtë raport rikthimi edhe pse nuk është ashtu sikundër ka qënë. Vetëm familja është ajo që nuk ka pasur asnjëherë turbullim në raportet tona, ndërsa në raportet e tjera ka pasur gjithnjë ikje dhe afrime. Në një moment timin më kujtohet që kam qënë pa asnjë fotografi rreth e rrotull e kjo do të thotë shumë.
E mendon të ardhmen?
Unë të ardhmen e lidh gjithnjë me punën. E në këtë kuptim ashtu si projektet artistike është e turbullt. Por si natyrë smë pëlqejnë gjërat e qarta pasi dua të shkoj me improvizim deri në fund. Nuk e vizatoj më të ardhmen time si Ema vetëm si artiste.
Pse nuk e ke lënë asnjëherë Shqipërinë?
Çdo ditë kam qënë e joshur, por nuk e kam bërë. Kur je e re nuk e mendon që jeta ka një limit, dhe unë prisja ofertat më të mira për të shkuar e jetuar jashtë. Kisha një ide timen si doja të shkoja jashtë. Doja të shkoja jashtë me atë çfarë isha si profesion, ose të kisha ikur me anijet e të studioja, gjë që nuk e bëra. Ka qënë një moment kur unë se kapërceva murin, dhe pse hipa mbi murin e ambasadës franceze. Shoqet e mia janë të gjitha jashtë. E gjithnjë ma kujtojnë se isha e vetmja që shprehesha që “sdua të jetoj në Shqipëri se smë kupton njeri”, e unë ngela këtu e ato ikën të gjitha. Kam pasur oferta për të ikur jashtë, por gjithnjë jam kthyer, o për motive dashurie, o për motive përgjegjësie. Kujtoja se këtu do bëja një karrierë të bukur profesionale, sa jashtë do shkoja vetëm për duatrokitjet. Por në fakt edhe këtu në Shqipëri, unë mbeta një emigrante në art. Nuk e realizova dot të ikurën jashtë, por kur iki në Europë ndjehem në shtëpi.