Opinion

Emërimi i Ballës, si shenjë e degradimit të Organizatës

Nga Armand Shkullaku

Në një darkë që kryeministri Rama pati shtruar për trupin diplomatik, në fundvitit e shkuar, tregohet se Taulant Balla përfitoi për të “vjedhur” një foto me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Por kjo e kapi tentativën e Ballës dhe i kërkoi fotografit ta fshinte atë foto, që ishte bërë pa lejen e saj. E gjitha kjo skenë, sipas disa prej pjesmarrësve në darkë, ishte shoqëruar me tonet qesëndisëse të kryeministrit ndaj Ballës.

Nuk dihet nëse ambasadorja e refuzoi foton me Ballën për arsye estetike apo etike, por një gjë është e sigurtë. Taulant Balla, është politikani më i akuzuar nga opozita për lidhje me krimin, i cili bëhet ministër i Brendshëm. Kryeministri Rama sigurisht i ka patur parasysh edhe këto akuza, edhe ndonjë shqetësim nga partnerët, madje edhe aferat lokale brenda organizatës, kur ka hedhur firmën për emërimin e Ballës në krye të ministrisë së Brendshme.

Nëse vitet e fundit, Edi Rama, është kujdesur të ulë profilin e anëtarëve të kabinetit të tij dhe të mënjanojë këdo që mund të tërhiqte mbi vete hije korrupsioni apo lidhje me krimin, përse duhej që në sektorin më të ndjeshëm në këtë drejtim, të emëronte dikë që, me ose pa të drejtë, është lakuar aq shumë si endësi kryesor i fijeve të errëta të organizatës.

Kjo lëvizje e Ramës mund të shihet si e lidhur me sindromën e njohur që shkakton ankthi i çthurrjes së një sistemi të rrezikshëm, pikërisht kur mendon se e kontrollon plotësisht atë. Si pasojë e këtij ankthi, liderët e fortë, që janë mësuar të kenë nën kontroll gjithçka, nuk arrijnë më të bëjnë lëvizje të kalkuluara por kanë nevojë të ndihen të sigurtë duke u dhënë më shumë pushtet besnikëve fanatikë, me shpresën e rivendosjes së kontrollit. Zakonisht, lëvizja të tilla, që i provokon ankthi i tronditjes së sistemit, janë shenjat evidente të degradimit të regjimeve.

U bë disa kohë që organizata e Rilindjes po manifeston një krizë në bazën e piramidës së saj dhe skandalet ndjekin njëri- tjetrin. Lufta për pushtet dhe territor i grupimeve të ndryshme brenda organiztaës, po prodhon “viktimat” e para. Një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit, ish kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, përfundoi pas hekurave dhe drejtuesi politik i këtij qarku, u shkarkua nga drejtimi i OSSHE, menjëherë më pas. Prej kohësh flitej për një luftë të ftohtë, jo vetëm brenda klaneve në organizatë, por edhe në terren ku grupe të fuqishme interesi thuhej se e kishin detyruar kryeministrin të dublonte “ekipin e Durrësit”.

Menjëherë pas Dakos, i erdhi radha Safet Gjicit, pas skandalit të të cilit flitet përsëri se qëndrojnë përplasje të forta interesash për pushtet dhe territor brenda fraksioneve të organizatës. Përplasje janë paralajmëruar edhe në zona të tjera, ku rivaliteti brenda organizatës mund të marrë trajtat e një konflikti të zhurmshëm që më pas do të ishte i vështirë të kontrollohej.

Por shenja më e fortë e çthurrjes së sistemit, që kreu i kupolës mori këto kohë, ishte skena alla Tarantino, që fisi Rrahja filmoi si dëshmi e pushtetit, forcës dhe kontrollit të territorit brenda organizatës. Mekanizmi që ai kishte ngritur për të mbajtur dhe forcuar pushtetin e tij, ishte bërë më i fuqishëm se sa ai kishte aftësi ta kontrollonte.

Dhe sikur të mos mjaftonte degradimi i sistemit në terren, lista e zyrtarëve të lartë deri tek vetë ish numri dy i qeverisë, Arben Ahmetajn, që po përshëndesin dyert e qelive, po e bëjnë vulnerabël fuqinë përbashkuese të organizatës. Nuk është çudi që shumë shpejt secili të mendojë për kokën e vet dhe jo për mbajtjen në këmbë të organizatës. Çthurrja ka filluar.

Në këtë situatë Edi Rama gjendet i kurthuar dhe i dënuar të veprojë në kushtet e ankthit të daljes së sistemit nga duart. Ai mund të godasë fjala vjen Rrahjat, por çfarë mesazhi u çon grupeve të tjera që i ka përdorur sa herë ka dashur si reparte votash për të ngritur pushtetin e tij. A ka qenë ai që ka deklaruar me zë dhe figurë, se individë të tillë, me të shkuar e të tashme kriminale, janë të dashur për komunitetin, njerëz që u shërbejnë qytetarëve dhe që gëzojnë respektin e tij? A nuk ka qenë ai që ka sulmuar drejtësinë, opozitën, mediat e deri dhe oficerët e policisë, sa herë janë prekur “ushtarët” e tij të organizatës? A nuk i ka promovuar ai ata zyrtarë, si në rastin e Elbasanit, që u kanë dalë në krah bandave ekzekutuese të votës së lirë? A janë shpërblyer vetë klanet lokale me mandate deputetësh, kryebashkiakësh, territore, prona, leje ndërtimi e fonde publike?

Për Edi Ramën është shumë vonë të nisë një betejë për elemimin e tyre, jo thjesht se do të priste trungun mbi të cilin është ngjizur pushteti i tij, por edhe sepse është i pafuqishëm. Pushteti i grupimeve brenda organizatës është aq i fortë, sa mund ta rrëzojë kupolën që mendon se e drejton.

Prandaj me emërimin e Taulant Ballës në krye të institucionit më të ndjeshëm për organizatën, Edi Rama i ka rënë shkurt, në pamundësi për të ndërmarrë ndonjë aksion për ndryshim rrënjësor të sistemit që ka ngritur vetë dhe që tani e sheh t’i degjenerojë përpara syve. Meremetimet kozmetike të emërimit të ministrave pa biografi, të rokadës së drejtuesve të qarqeve, të kombinimeve në administratë apo polici, nuk i japin dot mburojë përballë asaj që po ndodh çdo ditë në terren. Caktimi i Ballës në drejtimin e ministrisë së Brendshme, është një akt i dëshpëruar me shpresën se një besnik i tij, që e njeh më mirë se kushdo botën e errët dhe të fuqishme brenda organizatës, mund të vendosë njëfarë rregulli apo pakti mes grupeve rivale që po i rrezikojnë çdo ditë pushtetin.

Duke e parë si të vetmen zgjidhje, kryeministri i ka rënë kryq akuzave të opozitës apo shqetësimit të partnerëve. Eshtë zgjidhja e vetme që i mbetet të provojë, në gjendjen në të cilën ndodhet sot. Njëkohësisht dhe shenja më e qartë, që dëshmon se degradimi i një pushteti autoritar, kalon gjithnjë në të njëjtën udhë përpara se të prekë fundin.©lapsi.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button