Emigrantët e shkelur nga treni janë nga Afganistani dhe Somalia
Në aksidentin që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22.30 në hekurudhën Veles-Shkup në Maqedoni, treni që qarkullon në linjën Selanik-Beograd ka lënë të vdekur 14 emigrantë, prejardhja e të cilëve është nga Afganistani dhe Somalia, njoftoi Prokuroria Publike maqedonase.
Sipas fjalëve të vozitësit të trenit, duke ecur në drejtim të Shkupit me trenin ekspres të udhëtarëve, në largësi prej rreth 50 deri 100 metra ai ka vërejtur një grup prej disa dhjetëra njerëzish duke qëndruar apo duke ecur nëpër hekurudhë.
“Vozitësi është përpjekur t’i paralajmërojë me anë të sirenës dhe ta ndalë kompozicionin. Një pjesë e njerëzve që janë gjendur në binarët kanë ikur, ndërsa një pjesë kanë mbetur në to dhe për shkak të pamundësisë që në një distancë aq të vogël të ndalet, treni i ka përplasur, me ç’rast disa prej tyre i ka shkelur”, njoftoi prokuroria.
Nga na e organeve kompetente të Velesit në vendngjarje janë konstatuar 14 të vdekur, ndërsa nuk është gjetur asnjë i lënduar. Rreth 10 veta janë ndaluar dhe janë dërguar në polici, ndërsa të tjerët nga grupi janë larguar në drejtim të panjohur.