Tiranë 11°C · Pjesërisht vranët 21 March 2026
S&P 500 6,506 ▼1.51%
DOW 45,577 ▼0.96%
NASDAQ 21,648 ▼2.01%
NAFTA 98.23 ▲2.8%
ARI 4,575 ▼0.67%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1553 EUR/GBP 0.8659 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0704 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4669 EUR/TRY 51.2223 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.5857 EUR/USD 1.1553 EUR/GBP 0.8659 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0704 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4669 EUR/TRY 51.2223 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.5857
₿ CRYPTO
BTC $70,347 ▲ +0.51% ETH $2,149 ▲ +0.64% XRP $1.4386 ▲ +0.03% SOL $89.6100 ▲ +0.83%
S&P 500 6,506 ▼1.51 % DOW 45,577 ▼0.96 % NASDAQ 21,648 ▼2.01 % NAFTA 98.23 ▲2.8 % ARI 4,575 ▼0.67 % S&P 500 6,506 ▼1.51 % DOW 45,577 ▼0.96 % NASDAQ 21,648 ▼2.01 % NAFTA 98.23 ▲2.8 % ARI 4,575 ▼0.67 %
EUR/USD 1.1553 EUR/GBP 0.8659 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0704 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4669 EUR/TRY 51.2223 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.5857 EUR/USD 1.1553 EUR/GBP 0.8659 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0704 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4669 EUR/TRY 51.2223 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.5857
21 Mar 2026
Breaking
Opinion

Emri si lavdi dhe trashëgimia si përgjegjësi

Për kapedan Sali Vranishtin dhe pasardhësit e tij:

Nga LUAN RAMA

Në historinë e çdo vendi ka emra që lindin si njerëz të zakonshëm, por që koha i shndërron në simbole.

Të tillë janë ata njerëz që nuk jetojnë vetëm për jetën e tyre, por për fatin e vendit të tyre. Ata që në çastet vendimtare të historisë zgjedhin të qëndrojnë në anën e atdheut.

Një nga këta emra është ai i kapedan Sali Vranishtit.

Ai lindi si Sali Murati, një emër i njohur në fshatin e vet, atje mes malesh të larta në Vranishtin e Lumit të Vlorës e të Labërisë sonë.

Por me jetën dhe luftën e tij, ai u bë më shumë se një emër.
U bë një simbol.

U bë Sali Vranishti dhe, si ato male mes të cilave u rrit, u lartësua në historinë tonë si luftëtar i madh dhe kapedan i luftërave.

Ai la gjurmë gjaku e heroizmi kundër të gjithë armiqve të kombit: pushtuesve turq, andartëve grekë, pushtuesve italianë dhe shovinistëve serbë, me këta të fundit nga Macukulli i Matit më 1921 deri në Shkallën e Tujanit në dhjetorin e vitit 1924.

Zgjodhi, me bindjen e njeriut atdhetar dhe vizionar, të ishte në krah të Ismail Qemalit e të Çerçiz Topullit, si kapedan mes kapedanëve të Luftës së Vlorës, dhe përkrah Sulejman Delvinës e Fan Nolit.

Me luftën e tij u shndërrua në legjendë dhe, prej njëqind vitesh, jeton në shpirtin e kombit, i mbuluar me lavdinë që meritojnë ata që i falen atdheut.

Por, më lejoni ta lë për një çast kapedan Sali Vranishtin në madhështinë e tij të shenjtëruar mes luftërash, dhe ta zhvendos vëmendjen te trashëgimia si përgjegjësi e brezave pasardhës.

Sepse historia e njerëzve të mëdhenj si kapedan Sali Vranishti nuk është vetëm një rrëfim për t’u admiruar e nderuar, por një pasqyrë ku trashëgimtarët duhet të shohin e të gjejnë veten.

Heronjtë, pa vazhdimësinë, mbeten emra në muze apo në faqet e historisë.

Pa pasardhës që i mbajnë gjallë vlerat e tyre, heronjtë vdesin.

Këtu fillon kuptimi i vërtetë i trashëgimisë si përgjegjësi.

Trashëgimia nuk është vetëm një emër i mirë apo një histori e lavdishme.
Ajo është një barrë morale.
Është detyrimi që kalon nga etërit te bijtë.

Ajo na kujton se krenaria për paraardhësit është vetëm hapi i parë; hapi i vërtetë është përgjegjësia për të qenë të denjë për ta.

Historia e familjes së kapedan Sali Vranishtit është dëshmia e madhe e këtij ligji të pashkruar të nderit.

Lavdia e kapedanit nuk mbeti vetëm histori dhe kujtesë e së kaluarës.

Ajo jetoi dhe gjeti vazhdimësi te i biri, Maman Saliu, i cili e mbajti me dinjitet emrin e të atit.

Plagëve të babait, kapedan Sali Vranishtit, iu shtuan plagët e tij në luftën partizane për liri dhe, me krenarinë e gjakut e të fisit, e jetoi gjithë jetën si një partizan i lirisë së atdheut.

I mëshoj kësaj ane, sepse historia nuk na i ka kursyer rastet kur gjurmët e gjakut e të heroizmit jo vetëm që nuk janë trashëguar, por, edhe më keq, janë njollosur e përbaltur në llumin e turpit të tradhtisë.

Historianët që duan të bëjnë histori, bazuar në parimet e historizmit dhe ligjësitë e së vërtetës, duhet të kenë guximin intelektual dhe kurajën profesionale ta thonë dhe ta mbrojnë të vërtetën.

Politika shpesh lajthit e bën pazar me historinë. Historianët, të paktën të mos e duartrokasin kur nuk kanë guximin t’i kundëvenë lajthitjeve të saj të vërtetat e historisë.

Në Luftën e Vlorës më 1920, njësoj si kapedan Sali Vranishti, luftuan dhe patën merita të mëdha edhe kapedanë të tjerë.
Por ndryshe prej tij, disa prej tyre ose e humbën vetë emrin në rrjedhë të historisë, ose ua përbaltën emrin bijtë që nuk u bënë dot trashëgimtarë as të heroizmit dhe as të lavdisë së tyre.

Ndërsa po e mbroja këtë argument në përkujtimet e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, një historian më pati thënë se mbase Sali Vranishti qe me fat që nuk jetoi më gjatë, sepse ndoshta edhe ai do të bënte atë që bënë disa prej kapedanëve të 1920-ës, të cilët më 1939 dolën dhe i pritën pushtuesit fashistë me lule dhe u bënë bashkëpunëtorë me ta, apo si ca të tjerë që shkuan në Romë dhe i dorëzuan Viktor Emanuelit të Tretë Kurorën e Skënderbeut.

Këtë nuk e dimë.

Por dëshminë e trashëgimisë na e jep i biri i kapedan Sali Vranishtit, Maman Saliu, që, nën shembullin e të atit, i cili iu vuri pushkën pushtuesve italianë më 1920, rrëmbeu armët dhe luftoi kundër pushtuesve fashistë si partizan dhe komandant i tyre në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Kjo është historia.
Dhe historia nuk shkruhet. Historia bëhet.

Për Maman Saliun, të ishte djali i Sali Vranishtit ishte krenari. Por, më shumë se krenari, ishte detyrim dhe përgjegjësi e madhe për të luftuar për lirinë e atdheut.

Ashtu sikundër përcjellja e kësaj ADN-je krenarie dhe përgjegjësie te trashëgimtarët e brezit pas tij ishte përmbushja e misionit të Maman Saliut për të mos lejuar të humbte emri i kapedan Sali Vranishtit dhe i komandantit partizan Maman Saliu.

Sepse, nga brezi në brez, nuk përcillet vetëm një emër apo një mbiemër.

Trashëgohet gjaku, trashëgohet nderi, trashëgohet heroizmi dhe atdhedashuria.
Trashëgohet kujtesa.
Trashëgohet jeta e jetuar me dinjitet.

Trashëgohet mbi të gjitha detyrimi për të mos e ulur kurrë lartësinë morale të atyre që na paraprinë.

Kjo është arsyeja pse sot ne nuk kujtojmë vetëm një kapedan të historisë sonë.

Ne kujtojmë një emër që u bë lavdi dhe një trashëgimi që u bë përgjegjësi.

Dhe ndoshta kjo është forma më e lartë e nderimit për ata që sakrifikuan për këtë vend: kur bijtë nuk mburren vetëm me historinë e etërve, por jetojnë në mënyrë që ajo histori të vazhdojë.

Dhe të na dëshmojnë se trashëgimia nuk është vetëm krenari për të shkuarën, por, më shumë, është përgjegjësi për të sotmen dhe për të ardhmen.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.