Energjia drejt modelit europian, shtatë ndryshimet e projektligjit të ri – Tv Klan
Një projektligj i ri “Për sektorin e energjisë elektrike” e zhvendos tregun nga një model më i kontrolluar drejt një sistemi të ekspozuar ndaj çmimeve të bursës, kontratave private dhe konkurrencës rajonale, duke rritur njëkohësisht rrezikun për bizneset dhe mundësitë për investitorët.
Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë hodhi së fundmi për konsultim një projektligj të ri “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Ky draft vjen thuajse një dekadë nga miratimi i ligjit të fundit ende në fuqi dhe që për kohën kur u miratua synonte të zgjidhte dhe të rindërtonte arkitekturën e brendshme të tregut, si dhe reformimin e tij. Projektligji i ri ka një qasje më të gjerë që e sheh tregun vendas tashmë në raporte integrimi rajonal dhe europian duke shkuar drejt modelit të këtij të fundit, edhe si aspiratë e të qenët pjesë e tij në vijim.
Projektligji i ri për sektorin e energjisë elektrike, aktualisht në konsultim publik, përfaqëson një zhvendosje të qartë nga modeli tradicional i administrimit të sistemit drejt një tregu të ekspozuar ndaj sinjaleve të bursës, kontratave private dhe integrimit rajonal.
Ndryshimi më shumë se teknik, është strukturor, ku energjia nuk është më thjesht një shërbim që përdoret për konsum, por kthehet në një burim të mundshëm investimi. Por cilat janë disa nga risitë apo ndryshimet që sjell drafti i ri në raport me atë ekzistues.
Liberalizimi pothuajse i plotë i çmimeve
Ndryshimi i parë dhe më i prekshëm është liberalizimi pothuajse i plotë i çmimeve. Ligji nr. 43/2015 e parashikon se “furnizimi me energji elektrike i klientëve fundorë bëhet me çmime të parregulluara”, të përcaktuara “në bazë të kontratave të negociuara ndërmjet furnizuesit dhe klientit fundor”, por në të njëjtën kohë, ruan një rol të fortë të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për kategori të caktuara klientësh dhe për shërbimin universal.
Drafti i ri e zgjeron këtë logjikë. Tregu i lirë nuk është më një fazë tranzitore apo përjashtim, por është rregulli bazë i funksionimit të sektorit. ERE merr rolin e mbrojtjes për raste specifike, por nuk do të ketë më rolin që ka sot në formimin e çmimit.
Kjo do të thotë se bizneset shqiptare kalojnë nga tarifa relativisht të parashikueshme drejt ekspozimit real ndaj luhatjeve të tregut me shumicë. Për industrinë, energjia nuk është më thjesht një shpenzim që parashikohet lehtë, por një risk financiar që ndikon drejtpërdrejt në marzhet e fitimit dhe planifikimin afatgjatë.
Kontratat dinamike të çmimit
Risia e dytë e këtij drafti është futja e kontratave dinamike të çmimit, një koncept që nuk e gjejmë sot. Drafti i ri njeh shprehimisht “Kontratën e çmimit dinamik të energjisë elektrike”, e cila “pasqyron ndryshimin e çmimit në tregjet spot (tregje ku energjia blihet dhe shitet për dërgesa të menjëhershme, zakonisht brenda 24 orëve ose një periudhe shumë të shkurtër.
Çmimi i energjisë në këto tregje përcaktohet në bazë të kërkesës dhe të ofertës në kohë reale), përfshirë tregun e ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë”.
Ky formulim e ndryshon rrënjësisht marrëdhënien mes konsumatorit dhe energjisë. Në vend të një fature të qëndrueshme mujore, çmimi mund të ndryshojë sipas orës, ditës dhe nivelit të kërkesës në treg. Energjia e konsumuar në orët e pikut mund të kushtojë ndjeshëm më shumë se ajo e përdorur gjatë natës, ose në periudhat me prodhim të lartë nga burimet e rinovueshme.
Një fabrikë që operon në orët e ngarkesës maksimale mund të përballet me kosto shumë më të larta sesa një biznes që e zhvendos konsumin në orët më të lira. Kjo e kthen energjinë nga një faturë fikse mujore në një ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj tregut të momentit.
Forcimi i furnizuesit të mundësisë së fundit
Ndryshimi i tretë lidhet me forcimin e furnizuesit të mundësisë së fundit dhe sigurinë e tregut. Ligji i vitit 2015 e përcaktoi qartë këtë koncept dhe rolin për këto hallka ndërkohë që projektligji i ri ka një qasje që shkon më shumë drejt sigurisë që duhet të ofrohet nga ana e sistemit dhe menaxhimi i krizave.
Kjo qasje duket se vjen në një linjë me atë që po mban edhe Europa, ku kriza e fundit e energjisë që nisi në fund të vitit 2021 dhe kulmoi në vitin 2022 por me efekte që po ndihen ende sot, ka nxjerrë mësimet e saj. Efekti i krizës ishte ai i falimentimit të furnizueseve dhe nevoja e shtuar për të mbrojtur konsumatorët industrialë nga ndërprerje të papritura të furnizimit.
Në këtë rast, shteti nuk ndalet më vetëm te çmimi, por te “continuity of supply” (vazhdimi apo garantimi i furnizimit) që u lakua jo pak herë edhe në vendin tonë gjatë kulmit të vitit 2022. Duket se kjo lidhet ngushtë me hallkën e liberalizimit dhe ku siguria e furnizimit merr të njëjtën rëndësi sa vetë tarifa.
Ky vjen edhe si një mekanizëm nxitjeje për investitorët pasi askush nuk investon në një treg ku furnizuesi mund të zhduket brenda natës dhe ku mungon një rrjet sigurie institucional.
Lidhje shumë më e fortë me energjinë e rinovueshme dhe me skemat “CfD”
Ndryshimi i katërt, dhe ndoshta më i rëndësishmi për kapitalin ndërkombëtar, është lidhja shumë më e fortë me energjinë e rinovueshme dhe me skemat “Contract for Difference” (CfD). Ligji i vitit 2015 është një ligj klasik i tregut energjetik, i fokusuar te rrjeti dhe furnizimi.
Drafti i ri lidhet vazhdimisht me Ligjin nr. 24/2023 për burimet e rinovueshme dhe ndërton bazën për mekanizma si ankandet konkurruese, “premium schemes” (programe që ofrojnë mbështetje financiare ose përfitime për prodhimin dhe përdorimin e energjisë nga burime të rinovueshme (si energjia diellore, eolike.).
Këto skema mund të përfshijnë tarifa preferenciale ose subvencione për prodhuesit e energjisë nga këto burime) dhe veçanërisht CfD.
Edhe pse termi CfD nuk paraqitet si nen më vete, logjika e tij është e qartë: investitori nuk mbështetet më vetëm te çmimi i tregut, por te një “strike price” (çmim i dakordësuar) që garanton parashikueshmëri financiare. Nëse çmimi i tregut bie nën nivelin e garantuar, diferenca kompensohet; nëse rritet mbi të, prodhuesi kthen diferencën.
Kjo lidhet ngushtë me garantimin e kreditimit të investimeve pra që ato të jenë fizibël. Për bankat, fondet dhe investitorët institucionalë, kjo përcakton nëse një projekt është i financueshëm apo jo.
Kalimi nga një ligj teknik i rrjetit në një ligj të integrimit rajonal dhe europian të tregut
Ndryshimi i pestë është kalimi nga një ligj teknik i rrjetit në një ligj të integrimit rajonal dhe europian të tregut. Ligji i vitit 2015 fokusohet fort te transmetimi, shpërndarja dhe marrëdhënia furnizues–klient.
Drafti i ri është dukshëm më i orientuar drejt “market coupling” (integrimin e tregjeve të energjisë elektrike të dy ose më shumë vendeve ose rajoneve, për të optimizuar shpërndarjen dhe çmimet e energjisë), integrimit me bursat rajonale, harmonizimit me acquis të Bashkimit Europian dhe pjesëmarrjes ndërkufitare.
Kjo do të thotë se energjia nuk është më vetëm një sistem kombëtar i izoluar, por pjesë e një tregu rajonal të lidhur me BE-në. Çmimi i energjisë në Shqipëri do të ndikohet jo vetëm nga reshjet në kaskadën e Drinit, prodhimi i fotovoltaikëve në Karavasta, Fier e kudo në Shqipëri, por edhe nga zhvillimet në Itali, Greqi dhe nga luhatjet në tregjet europiane.
Në finale, ligji i vitit 2015 përcakton kryesisht si organizohet sistemi kombëtar, ndërsa drafti i ri synon të përcaktojë se si Shqipëria do të funksionojë brenda tregut europian. Ashtu siç flitet edhe për sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe për energjinë, kjo qasje mund të lexohet me të mirat dhe sfidat e saj.
Për biznesin do të thotë më shumë rrezik, por edhe më shumë mundësi, për investitorët, më shumë parashikueshmëri, kurse për konsumatorin final, një treg ku çmimi i energjisë do të jetë gjithnjë e më pak i rregulluar dhe gjithnjë e më shumë produkt i kërkesë/ofertës të një dimensioni më të gjerë. (Marrë nga Monitor)
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.