Ndahet nga jeta në moshën 104-vjeçare filozofi dhe sociologu Edgar Morin
Sociologu dhe filozofi i njohur francez, Edgar Morin, ka ndërruar jetë në moshën 104-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga bashkëshortja e tij, Sabah Abouessalam Morin.
I konsideruar si një nga mendimtarët më me ndikim të shekujve XX dhe XXI, Morin u bë i njohur në mbarë botën për teorinë e tij të “mendimit kompleks”, përmes së cilës kundërshtoi fragmentimin e dijes dhe mbrojti një qasje ndërdisiplinore që bashkonte filozofinë, sociologjinë, biologjinë, antropologjinë dhe shkencat e tjera për të kuptuar më mirë realitetin njerëzor.
I lindur më 8 korrik 1921 në Paris, me emrin Edgar Nahum, në një familje hebreje me origjinë nga Selaniku, ai iu bashkua Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përdori pseudonimin “Morin”, të cilin e mbajti gjatë gjithë jetës. Në vitin 1941 u anëtarësua në Partinë Komuniste Franceze, nga e cila më vonë u përjashtua, përvojë që e pasqyroi në librin e njohur “Autocritique”, botuar në vitin 1959.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Morin u shqua si një studiues që trajtoi tema të ndryshme, nga kinemaja dhe sporti deri te teknologjia, globalizimi dhe transformimet shoqërore. Ai dha gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e dokumentarit modern me filmin “Chronique d’un été”, realizuar në vitin 1961 së bashku me regjisorin Jean Rouch.
Morin mbeti aktiv në debatin publik deri në fund të jetës, duke komentuar çështje si ndryshimet klimatike, pandemitë, konfliktet ndërkombëtare dhe sfidat e globalizimit. Ai besonte se krizat përmbajnë gjithmonë mundësi për ndryshim dhe shpesh e përkufizonte veten si një “optimist-pesimist”, duke thënë se “shpresoj në një sfond dëshpërimi”.
Për shumë studiues dhe intelektualë, Edgar Morin mbetet një figurë qendrore e mendimit bashkëkohor europian dhe një nga zërat më origjinalë të filozofisë dhe sociologjisë moderne.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.