Ekonomia

Energjia: Iu ndërpritet kompensimi, për dokumentet

Nga Zamir Alushi

Iu ndërpritet kompensimi i energjisë atyre që nuk dorëzuan dokumentet në ISSH deri në fund të qershorit. Deri në korrik, ata që e përfitonin kompensimin e vjetër të energjisë vazhduan të merrnin edhe të riun. Por, qeveria kishte vendosur kusht riverifikimin e dokumenteve. Ata që nuk arritën të dorëzojnë dokumentet nuk morën kompensimin 640 lekë në pagesën e pensionit për qershorin. Por, përveç këtyre, llogaritet se janë mbi 130 mijë pensionistë dhe shtresa të tjera në nevojë që nuk janë fare në listat e qeverisë, sepse sipas burimeve zyrtare nuk kanë aplikuar. Pra, skema e kompensimit të energjisë, në rastin më të mirë nuk po funksionon, ose u ndërtua e tillë që të mos shpenzohet ky buxhet i destinuar për të varfrit. Ministria e Financave njoftoi dje se, për periudhën shkurt – qershor 2015, numri i përfituesve ka arritur në 89 mijë persona, ku 2441 raste janë në proces shqyrtimi me të drejtë tërheqje të kompensimit. Sipas përllogaritjeve të qeverisë, të publikuara në fillim të vitit nga ish-ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, numri i atyre që u linte e drejta për marrjen e kompensimit të energjisë elektrike ishte 204 mijë persona. Më pas, shqyrtimi i dokumenteve nxori se ishin 210 mijë familje që e përfitonin këtë të drejtë.

Afati

Udhëzimi i tre ministrave për zbatimin e vendimit të qeverisë për kompensimin e energjisë elektrike, caktonte datën 27 prill si afat për dorëzimin e dokumenteve. Duke parë se kishte dyndje të madhe të pensionistëve, ky afat u shty nga ISSH dhe Ministria e Mirëqenies Sociale deri më 27 qershor 2015. Deri në këtë datë mund të merrej kompensimi edhe për muajt e kaluar, por me mbarimin e periudhës së caktuar, pagesat fillojnë nga muaji kur është bërë dorëzimi i formularëve dhe dokumenteve.

Rideklarimi

Sipas udhëzimit, kompensimi i diferencës së çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 KWH, fillon nga data 1 shkurt 2015 dhe i përgjigjet energjisë elektrike të shpenzuar nga data 1 janar 2015. Me qëllim që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH-ja, si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit janë të vlefshme ato dokumente të cilat shërbejnë për dhënien e kompensimit sipas vendimit të qeverisë të 2006-s. Rideklarimi për efekt të përfitimit të kompensimit sipas vendimit të qeverisë Nr.8, viti 2015 dhe vlerësimi i kushteve për vazhdimin e kompensimit do të bëhej brenda tre muajve nga fillimi i pagesave, duke bërë edhe sistemimin e efekteve financiare në rast të përfitimeve të padrejta. Përfituesit e rinj kualifikohen për përfitim vetëm pas deklarimit dhe dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara. Në këto raste, e drejta e përfitimit të kompensimit fillonte nga data 1 shkurt 2015, por me kushtin që deklarimi të jetë bërë brenda datës 27 qershor 2015. Në raste të tjera, e drejta e kompensimit do të fillojë nga muaji që bëhet deklarimi dhe dorëzohen dokumentet.

Fondi

Për vitin 2015, në buxhetin e shtetit janë planifikuar 1.6 miliardë lekë për kompensimin e shtresave në nevojë për ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike. Ndërsa për 5 muajt e parë, sipas Ministrisë së Financave, kjo shumë në dispozicion ka qenë 638 milionë lekë. Nga këto janë dhënë 271 287 144 lekë. Për rastet në proces shqyrtimi me të drejtë tërheqje nga 1 shkurt 2015, shuma në dispozicion është 1 581 768 lekë, që do të thotë se shuma totale e paguar është gjithsej 272.868.912 lekë. Ministria e Financave konfirmon se është tërhequr nga Thesari deri në muajin qershor 2015, shuma 289 090 000 lekë. Sipas ministrisë, procesi është në vazhdim dhe kërkesat e reja shqyrtohen me të drejtë pagese nga data 1 shkurt 2015, që i përgjigjet energjisë së konsumuar dhe paguar nga fillimi i muajit janar.

Përfituesit

Në grupin e personave që do të përfitojnë këtë kompensim janë futur familjet që marrin ndihmë ekonomike, kryefamiljarët pensionistë, personat me aftësi të kufizuara, si dhe punonjësit buxhetorë që marrin më pak se 35 mijë lekë të ardhura në muaj. Shkurtimet që janë bërë në listat e familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike e bënë më të vogël se sa pritej shifrën e atyre që mund të marrin kompensim për energjinë. Nga 104 398 familje që merrnin ndihmë ekonomike në 2013, janë reduktuar, duke i larguar nga skema, mbi 26 mijë prej tyre, për shkak se nuk i plotësonin kushtet. Lista emërore e pensionistëve kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie ose pension invaliditeti, që përfitojnë kompensimin e çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 KWH, përcaktohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bazuar në deklaratën personale të përfituesit. Së bashku me deklaratën, kryefamiljari pensionist/invalid duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit: a) fotokopje e nënshkruar e kartës së identitetit; b) certifikatën familjare për invalidët; c) për anëtarët madhorë të familjes, vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë. d) fotokopjen e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara. Është e qartë se dy kërkesat e fundit janë një pjesë e shkaqeve të vonesës së pensionistëve, pa llogaritur burokracinë shtetërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button