Kronika

Evidentimi i shkeljeve të fondeve publike/ Kraja: Shpejt do të kemi rezultate konkrete

Kreu i SPAK, Arben Kraja, ka marrë pjesë sot në konferencën me titull “Sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e integritetit”, ku ai u shpreh se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.

Kraja tha se SPAK, edhe në një kohë kaq të shkurtër, ka dhënë rezultatet e para.

“Lufta kundër korrupsionit është është një nga prioritetet kryesore të shoqërisë tonë. Është një periudhë e gjatë kohe që flitet, merren nisma ligjore, reforma të thelluara dhe ka ardhur dhe momenti i ngritjes së strukturave dhe realizimit të produktit të asaj çfarë është pritur në finale. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se është një luftë shumë komplekse, përfshin shumë faktorë brenda dhe kërkon bashkëpunimin e shumë faktorëve”, tha ai.

Duke u fokusuar tek eksperienca për ngritjen e SPAK, Kraja tha se ndërtimi nga e para i një institucioni në nivel kushtetues, pa diskutim që kërkon një punë të madhe, impenjim dhe forcë.

“Kemi pasur mbështetjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në aspektin e plotësimit me prokurorë, kemi pasur mirëkuptimin e Parlamentit qoftë në plotësimin e kërkesave financiare dhe ligjore dhe ka qenë një punë shumë voluminoze sidomos në përzgjedhjen e kandidatëve. Gjatë vitit të kaluar e gjithë puna ka qenë përqendruar në përzgjedhjen e kryetarit të BKH-së dhe procedurën e përzgjedhjen e grupit të parë të hetueseve dhe jemi në fazë e dytë të përzgjedhjes së grupit të dytë dhe deri në fund të vitit duke përfshi Vetingun dhe trajnimin do të jenë në dispozicion”, tha ai.

“Kemi objektiv vendosjen e kontakteve me BE. Është e rëndësishme. Jemi në proces bashkëpunimi me BE. Objektiv kemi dhe vendosjen e kontakteve me zyrën e prokurorit të BE-së sepse është e rëndësishme, sepse mbron fondet e BE-së nga keqpërdorimi. Ne jemi në proces aderimi dhe duhet të kemi patjetër autoritete tona që të jemi të vëmendshëm nga keqpërdorimi. Ajo që kemi konstatuar ka të bëjë me faktin e pandëshkueshmërisë. Kjo ka ardhur nga mosfunksionimi i sistemit, prokurori, gjykatë që s’ka dhënë atë që duhet të jepte, dënimin e personave që shkelin ligjin. Po shohim çdo ditë gjyqtarë dhe prokurorë që përfshihen në veprimtari që shkelin ligjin. Në këtë sens, është një mekanizëm që duhet të funksionojë si një i tërë. Ndëshkueshmëria e atyre që s’kanë ushtruar detyrën duhet të jetë një vijë ndarëse”, tha ai.

Kraja shtoi se kemi vullnetin e mirë për të punuar dhe vepruar dhe jemi të bindur se po e bëjmë për të mirën e vendit.

“Këtë vit kemi pasur në disa raste, edhe dënime për pastrim të produkteve të veprave penale, përfshirë dhe konfiskimet në vlera të konsiderueshme. Mendoj që është risi dhe përparësi që kemi vendosur. Ne jemi të vendosur për të ndaluar çdo pasuri kriminale, sepse është e paligjshme ta administrojnë dhe duhet të jetë e dënueshme. Kërkohet më shumë të kemi produkt në evidentimin e shkeljeve të fondeve publike. Bëhet fjalë për zyrtarë të përfshirë në përdorimin e fondeve. Kjo është një përparësi e jona, e cila po vlerësohet çdo ditë dhe shpejt do të kemi rezultate konkrete që do i bëjmë publike. Ne kemi vullnetin e mirë për të punuar dhe vepruar. Jemi të bindur se po e bëjmë për të mirën e vendit sepse duhet bërë që të ikë imazhi i keq në kuptimin se nuk mund të investosh, sepse janë strukturat e korruptuara, se nuk gjendet një e drejtë, sepse aty janë institucionet e korruptuara dhe për këtë jemi të bindur se do ta bëjmë më të mirë”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button