Kronika

FBI heton lobistin e PD. Prokuroria shqiptare, letërporosi SHBA për plotësimin e dosjes

Ndërkohë që prokuroria në kryeqytet po heton për falsifikim formularësh, për sa kohë dyshohet se Partia Demokratike ka dorëzuar në KQZ të dhëna të rreme për financimin.

Burime nga grupi i hetimit shprehen për Top Channel se do t’i drejtohen autoriteteve amerikane me letërporosi për të plotësuar dosjen ku përmenden se si Nik Muzin u pagua për të vendosur kontakte në Uashington për Partinë Demokratike.

Gjatë javës, prokurorët pyetën Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili përsëriti se i qëndron versionit zyrtar të partisë së tij për këtë çështje.

Për hetimin e nisur kryesisht që prej muajit nëntor 2017, prokurorët shqiptarë posedojnë një raport të KQZ-së për financimin e Partisë Demokratike, por së fundmi edhe një shkrim të revistës amerikane “Mother Johnes”, ku dalin në dritë edhe biznesmenë rusë.

Prokurorët tregojnë se do kërkojnë dokumente shtesë edhe nga tatimet dhe dega e Thesarit për të verifikuar pagesat e depozituara nga Partia Demokratike. Kjo e fundit, thotë se ka paguar 125 mijë dollarë për lobim. Por nga ana e saj, revista amerikane “Mother Jones” paraqiti skemën e financimit. Sipas kompanisë, së Muzin, e cila plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë, rezulton se ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë është e datës 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë kryer nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Debati dhe hetimet në Uashington dhe Tiranë kanë nisur për 525 mijë dollarët dhe burimet e financimit, duke marrë shkas nga deklaratat që ka bërë kompania e lobistit Muzin.

Që nga zgjedhjet e fundit presidenciale, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një debat të nxehtë për ndërhyrjen ruse, ndërsa prej kohesh vijojnë hetimet për ndërhyrje të Moskës në fushatën e Trump, të cilat kanë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë. Ndaj edhe organet ligjzbatuese dhe autoritetet atje janë aq të ndjeshme sa herë bëhet fjalë për ndërhyrjen politike apo financiare të Rusisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button